English

Shqipëria në Ballkan!

Hapja dhe jo mbyllja, dialogu dhe jo mungesa e tij, mund t'i japin një zgjidhje problemeve etnike të Ballkanit

Nga Blendi Fevziu Ilir Meta, Ministri i Jashtëm Shqiptar dhe Zëvendëskryeministri, ka thyer në fundjavë edhe murin e fundit të izolimit të Shqiptarëve. Kolona e makinave të delegacionit të Republikës së Shqipërisë ka hyrë në Luginën e Preshevës dhe Bujanovcit për të shënuar, siç tha Kryetari i Komunës atje, vizitën e parë të një burrështetasi shqiptar në ato troje, 98 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

Imazhet që TV-të përcollën në Tiranë, Prishtinë apo edhe Beograd, risollën në kujtesë imazhe të harruara të shqiptarëve të ndarë forcërisht nga shteti i tyre amtar, të shtypur dhe të izoluar, imazhe që kanë dominuar historinë tonë të shekullit të XX. Nga ana tjetër, ato përftuan edhe një realitet të ri.

Idenë se Shqipëria ka fituar një status të ri, imponues; se ajo ka filluar të kujdeset për bashkëkombësit e saj dhe se çdo raport dypalësh me Serbinë duhet dimensionuar në kontekstin e Kosovës, por edhe të Shqiptarëve në Serbi. Prania e një anëtari të Qeverisë serbe në krah të Ilir Metës, ishte shembulli më i mirë se e ardhmja e komunitetit shqiptar që jeton sot në Serbi do të vishet me një model të ri. Nuk dua të përfshihem në debatin nëse duhej apo jo që Ministri i Jashtëm Shqiptar të vizitonte Preshevën dhe Bujanovcin. Personalisht e konsideroj këtë një debat të tejkaluar dhe banal. E para, Shqipëria ka qenë e vonuar dhe borxhli në këtë vizitë. Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha kanë vizituar Beogradin, por askush prej tyre nuk ka guxuar ta vizitojë Kosovën; liderët shqiptarë të 10 viteve të fundit kanë vizituar disa herë Beogradin, por asnjëherë krahinat shqiptare që kanë mbetur nën Serbi. Vizita e krahinave shqiptare ka qenë një dimension i munguar për 98 vjet dhe Tirana zyrtare kishte detyrimin që ta shkelte tashmë këtë tabu. E dyta, Shqipëria duhet të shkëputet nga politika e jashtme apatike dhe të jetë prezente e të ushtrojë presion për mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombësve të saj, si në Serbi, ashtu edhe në Greqi. Nëse çdo President Shqiptar i 20 viteve të fundit ka vizituar arbëreshët e Italisë, duke shprehur solidaritetin për këtë komunitet të jashtëzakonshëm që ka mbijetuar në shekuj, s'ka përse mos ta bëjë këtë me një komunitet që ka luajtur rol aktiv në zhvillimet shqiptare në ish Jugosllavi. E treta, problemi i Kosovës dhe njohjes së saj nuk është një problem që duhet ta izolojë Shqipërinë në marrëdhëniet dypalëshe, përkundrazi. Pikërisht për hir të Kosovës, Shqipëria duhet të jetë më aktive me ato vende që nuk e kanë njohur atë ende, duhet të ketë më shumë kontakte, më shumë presion dhe të afishojë pikëpamjen dhe argumentet e saj. Siç ka ndodhur me aktivizimin e diplomacisë në 10 vitet e fundit me vende të cilat nuk kanë pasur interes më parë. Së katërti, Shqipëria e aq më shumë Kosova, nuk duhet të kenë frikë nga hapja dhe liberalizimi i Serbisë, por nga e kundërta. Nëse Serbia moderon qëndrimin e saj - nëse ajo aplikon një politikë sa më të hapur, inkurajuese dhe integruese për komunitetin shqiptar që jeton atje, kjo nuk është një fitore vetëm e saj, por edhe e Shqiptarëve, e Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo do të ndikojë që edhe standardet e Serbëve në Kosovë të përmirësohen dhe dy vendet ta harrojnë të shkuarën e dhimbshme për hir të një të ardhmeje europiane. Ideja që Serbia duhet lënë e izoluar, duhet shtyrë të gabojë dhe të tregohet me gisht si delja e zezë e Ballkanit, është më se e gabuar. Ajo të kujton politikën e Titos e Milosheviçit që e bënin këtë me Shqipërinë Komuniste. Hapja dhe jo mbyllja, dialogu dhe jo mungesa e tij, mund t'i japin një zgjidhje problemeve etnike të Ballkanit. Por, do të doja të dilja tej këtij shikimi meskin dhe idhnak të problemit. Nuk ka asnjë dyshim që zhvillimet e 10 viteve të fundit kanë përftuar një realitet politiko-diplomatik shumë të ndryshëm dhe më të favorshëm për Shqipërinë. Shteti dikur i vogël dhe i izoluar i Ballkanit, vendi që prodhonte vetëm lajme komike me absurdin e tij, aleati i Kinës, Vietnamit dhe Voltës së Sipërme, që ish lënë krejt në harresë, ndodhet sot në kushte të ndryshme. Shqipëria kufizohet në verilindje nga Kosova, një shtet i ri prej 2.4 milion banorësh, i njohur nga gjithë fuqitë e mëdha të globit. Një shtet kryesisht shqiptar, me të cilin ndan një gjuhë, një kulturë, një histori, një filozofi, të njëjtat ambicie zhvillimi dhe të njëjtin vizion gjeopolitik. Në veri ndodhet shteti i vogël i Malit të Zi, ku shqiptarët etnikë përbëjnë afro 10% të popullatës dhe në raportet delikate mes malazezëve dhe serbëve janë një grup thuajse vendimtar, gjë që u dëshmua edhe në referendumin për pavarësi më 2006. Në juglindje kufizohemi me Maqedoninë, 30% e popullatës të së cilës është shqiptare, ku ndikimi mediatik, kulturor, por edhe politik i Shqipërisë dhe Kosovës, është evident dhe dominues. Akoma më në veri ndodhet Serbia, zhvillimi dhe ecja përpara e së cilës varet shumë nga raportet me vendet e ish-Jugosllavisë, mes të cilave më dominuese mbeten Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, shtete ku shqiptarët kanë një rol kyç. Vetë Serbia ka një komunitet shqiptar që mund të jetë gjithnjë një problem për të po nuk aplikoi standarde dhe politika europiane zhvillimi. E ndodhur në këtë situatë, Shqipëria nuk mund të qëndrojë më si një vend pa rol dhe pa peshë; ajo nuk mund të jetë ende vendi më i vogël dhe varfanjak i Ballkanit, një vend që nuk zgjidh dot problemet e brendshme, por një vend që mund të eksportojë zgjidhje dhe garanci edhe në Ballkan. Ose së paku, një vend që ka mjaft në dorë në stabilitetin e zonës më të pastabilizuar të Europës në 20 vitet e fundit, ish-Jugosllavisë. Për hir të këtyre rrethanave, fati i keq e solli që integrimi i Shqipërisë të mos ndodhë me vendet e tjera ish komuniste të Europës Lindore, por me vendet e ish Jugosllavisë pas një konflikti të gjatë. Tani, Shqipëria duhet ta shfrytëzojë këtë rrethanë për të luajtur një rol të padiskutueshëm në këtë drejtim. E armatosur me filozofinë e një politike stabiliteti, ajo duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë e saj dhe të jetë aktive. Ajo duhet të ndërtojë pikat e saj të bashkëpunimit me Serbinë e Greqinë, për një arsye të thjeshtë: që e ardhmja europiane e të tri vendeve të jetë e menduar dhe e ndërtuar mirë. Jo mbi bazën e lypjes, por të imponimit. Fati i keq i Shqiptarëve, fakti që më shumë se gjysma e tyre mbetën jashtë kufijve të shtetit amë më 1912, mund të jetë një shans më shumë në momentin e integrimit të tyre në Europë. Ndaj ne nuk duhet të presim, por duhet të vihemi në rolin e liderit dhe diplomacia është ajo që duhet të jetë më aktivja. Ndaj, vizita e Metës në Preshevë, po aq sa një vizitë e vonuar një shekull, ishte edhe një derë e re e hapur e diplomacisë sonë, ajo e diplomacisë aktive…

KOMENTE