Prishtinë, 16 mars NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Estonisë. Në kryeqytetin Talin, kryeministrit Hashim Thaçi i është rezervuar pritje nga nivelet me të larta shtetërore të Republikës së Estonisë.
Nesër, kryeministri Thaçi do të fillojë agjendën e vizitës me takimin me homologun e tij, kryeministrin e Estonisë, Andrus Ansip, ndërsa do të pritet edhe nga Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves dhe nga kryetarja e Parlamentit, Ene Ergma.
Gjatë vizitës zyrtare në Estoni, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë një takim edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Odës Estoneze të Tregtisë dhe Industrisë, Siim Raie.
Kryeministrin Hashim Thaçi në vizitën e tij zyrtare në Republikën e Estonisë, e shoqërojnë ministrat Arsim Bajrami, Lutfi Zharku dhe Idriz Vehapi.
Vizita e kryeministrit Thaçi në Estoni është e ndërlidhur me thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve në fushën e Administratës Publike, të Tregtisë dhe Industrisë dhe të Buqësisë.
Me këtë rast, nga ministrat përkatës të Kosovës dhe Estonisë, do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi në këto fusha.
a.b/NOA