Tiranë, 16 mars, NOA/ Blerina Ahmetaj - Në pavionet e shërbimeve të qendrës më të madhe spitalore në vend, QSUT, nuk do të lejohen më vizitat e familjarëve në dhomat e pacientëve të shtruar.
Ndonëse disa herë janë përpiluar urdhra të ndryshëm për reduktimin e vizitave në spital, këtë herë drejtoria e QSUT është e vendosur të zbatojë me rigorozitet urdhrin e veçantë i cili ka hyrë që sot në fuqi.
Drejtori i Përgjithshëm i QSUT, Ilir Dashi, përmes udhëzimit dërguar shefave të shërbimeve, ka urdhëruar që orari i vizitave të familjarëve tek të afërmit e tyre të shtruar të jetë në orët e pasdites, nga ora 17-19 të mbrëmjes dhe ditën e diel një orar paradite nga ora 10 deri në orën 12 të mesditës.
"Me këtë urdhër parashikojmë të ndalojmë trafikun e madh të familjarëve të cilët shpesh herë zaptojnë pavijonet, dhomat e të sëmurëve", - argumentohet në urdhrin e Dashit.
Këta persona do të lejohen të futen tek i sëmuri me orare të përcaktuara, konkretisht çdo ditë nga ora 17.00 deri në 19.00 dhe ditën e diel me një orar paradite nga ora 10.00 deri në 12.00.
Do të jetë policia private, e cila nuk do të lejojë qarkullimin e vizitorëve jashtë këtyre orareve, ndërkohë që familjarët e kanë të afishuar Urdhrin në derën e çdo pavioni", - ka pohuar drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Sipas Dashit, kontrolli i zbatimit të urdhrit do të kryhet përmes policisë private e cila nuk do të lejojë qarkullimin e vizitorëve jashtë këtyre orareve.
Përjashtim nga urdhri do të ketë për leje hyrjet e firmosura nga drejtuesit e pavioneve dhe kryeinfermieri.
Sipas urdhrit të veçantë të QSUT, pajisja me leje-hyrje për qëndrimin jashtë orareve të vizitorëve vlen edhe për rastet kur familjarët lejohen të qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit, si përshembull prindërit e fëmijëve të shtruar, por jo më shumë se një familjar i autorizuar.
Një tjetër masë shumë e rëndësishme që ka ndërmarrë drejtoria e QSUT është moslejimi i kryerjes së vizitave dhe konsultave ambulatore në ambjentet spitalore me shtretër si nga shefat e shërbimeve, ashtu edhe nga personeli.
"Konsultat ambulatore do të kryhen vetëm në vendet dhe oraret e përcaktuara ashtu siç i parashikon Sistemi i Referimit", thuhet në urdhrin e lëshuar sot nga drejtori i QSUT, Ilir Dashi, dërguar gjithë shefave të pavioneve në QSUT.
b.a/NOA