English

USAID, filiza perimesh për të përmbyturit e Shkodrës

Shkodër, 16 Mars, NOA - USAID u dhuroi sot 50.000 filiza domatesh, specash dhe kastravecash 52 fermerëve të serave që humbën prodhimet e tyre gjatë përmbytjeve në veri të vendit gjatë fillimit të këtij viti.

Fermerët në fjalë, të cilët janë nga komunat Bushat, Guri i Zi, Ana e Malit dhe Bërdicë, u takuan me zv/ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Deborah Jones, e cila ndihmoi në shpërndarjen e filizave ndaj tyre.

"Duke u përpjekur ta transformojmë katastrofën në një mundësi për të përmirësuar jetesën e fermerëve në Shkodër, sot USAID po dhuron 50.000 filiza për t'ju ndihmuar jo vetëm në përmirësimin e jetesës tuaj, por për ta ndërtuar më mirë atë", tha Jones.

Qyteti i Shkodrës përjetoi përmbytje të mëdha këtë dimër për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe hapjes së portave të hidrocentralit të Fierzës dhe Vaut të Dejës. Përmbytjet mbuluan 10.300 hektarë tokë, ndërsa 4.000 familje u detyruan të largohen. Në ditët menjëherë pas përmbytjes, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dha 50.000 USD si ndihmë humanitare viktimave të përmbytjes.

Ndërsa nëpërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar, USAID shpërndau batanije, ushqime, pako sanitare dhe furnizime të tjera për ndihmë emergjence për 5000 banorë në Shkodër dhe për 5000 të tjerë në veri të Shqipërisë.

n.e/NOA

KOMENTE