Tiranë, 17 mars, NOA - Pas ndërtimit mes shumë debatesh dhe kundërshtish, Petrolifera ka shkelur rëndë ligjin duke cënuar edhe konkurrencën në treg. Kompania italiane "La petrolifera italo- rumena" është në prag të gjobitjes nga Autoriteti i Konkurrencës, në rast se brenda 5 ditëve ajo nuk do të lejojë ankorimin, shkarkimin dhe depozitimin e gazit të lëngshëm, nga çdo subjekt i licensuar.
Kjo kompani, në kundërshtim të ligjit ka bllokuar importuesit e gazit të kryejnë këto shërbime pranë portit të Vlorës, duke favorizuar vetëm një subjekt. Gjatë një konference për shtyp, kryetarja e këtij institucioni, Lindita Milo shprehet se: "Kompania ka detyrim që brenda 5 ditësh nga njoftimi i këtij vendimi të zhbllokojë situatën e krijuar, duke lejuar subjektet e interesuara të operojnë në këtë terminal".
Por kompania italiane e cila ka vendosur këtë monopol në tregun e karburanteve rrezikon gjobitjen, në rast se nuk e zbaton këtë vendim të autoritetit. Ndëshkimi parashikohet nga 2-10% të xhiros vjetore.
Tregu i shërbimit të ngarkim, shkarkimit dhe depozitimit të hidrokarbureve është i liberalizuar. Kjo veprimtari realizohet në dy porte, në Vlorë dhe Porto Romano në Durrës. Të dy këto veprimtari funksionojnë në bazë të marrëveshjeve të koncesionit. Por investimi i Petrolifera-s u përshi nga debate të forta si të banorëve të Vlorës edhe të eksperteve mjedisor, të cilët ishin kundër ndërtimit, pasi ai do të shkaktonte ndotje të bregdetit, nga shkarkimet e karburanteve.
Për këtë fakt u krijuar edhe Aleanca e Gjirit të Vlorës, një grupim qytetar ky i cili kërkoi edhe referendum për këtë investim, por kërkesa e tyre u hodh poshtë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
r.l/NOA