Shkup, 17 mars, NOA - Vizita e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Beograd i shërben fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kështu e ka vlerësuar kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, vizitën e kryediplomatit Meta në Serbi duke theksuar faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në Bashkimin Evropian duke lënë pas armiqësitë e vjetra.
"Mendoj që vizita e zotit Meta në Beograd është një kontribut i Shqipërisë në forcimin e raporteve me vendet e rajonit, të Ballkanit Perëndimor. Që synim i të gjithëve është që edhe ky rajon më në fund të marrë rrugën e integrimit të plotë si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Mendoj se me hasmëri shekullore nuk mund të arrihet as paqe, as siguri e s stabilitet", mësohet të jetë shprehur ai.
Ndërkaq, pas vizitës në Beograd, mësohet se shefi i diplomacisë shqiptare ka zhvilluar një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar rreth procesit të integrimit të vendeve të rajonit në NATO dhe BE.
"Ka qenë një takim miqësor, sigurisht që kemi biseduar për shumë çështje, kemi biseduar edhe për vizitën që ka realizuar Meta në Serbi, por edhe për një vizitë të mundshme të zotit Meta në Maqedoni. Gjithashtu dëgjova impresionimet e Metës për pritjen që i ka bërë komuniteti shqiptarë në Luginën e Preshevës", mësohet të jetë shprehur Ahmeti lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA