English

Dhimbja e kokës shërohet me çaj nenexhiku

Newcastle, 17 mars, NOA - Ndryshimet atmosferike në këtë periudhë të vitit, ndikojnë jo vetëm në humorin, por edhe në shëndetin tonë dhe, në veçanti, nga dhimbja e kokës. Simptomat e saj janë të njohura dhe shkaqet janë të ndryshme, pagjumësia, stresi, lodhja, dieta jo e duhur etj.

Duket se kundër dhimbjes së kokës shkencëtarët e kanë gjetur një zgjidhje: thjesht, një çaj me nenexhik. Lajmi bëhet i ditur nga një grup studiuesish në Universitetin e Newcastle, i kryesuar nga Gabriella Rocha. Fillimisht ata janë bazuar mbi një ilaç të lashtë popullor në Brazil. Në këtë vend, sidomos në fshatra të vogla, përdoren gjethet e nenexhikut brazilian (Hyptis crenata) për të kuruar dhimbjen e kokës dhe të barkut. Duke u bazuar në këto njohuri popullore studiuesit kanë zbuluar se kjo bimë mund të veprojë si indometacina, një ilaç me efekt të rëndësishëm analgjezik. Eksperimenti i kryer në minj dha rezultate të mira.

Çaji përgatitet thjesht: lihen gjethet e nenexhikut Hyptis crenata për rreth tridhjetë minuta, filtrohet dhe pihet si çaj i ftohtë. Gjithashtu sipas studiuesve mund të përdoren edhe karamelet mente të cilat me përbërësit e tyre analgjezik dhe antinevralgjik, janë po aq efektivë për të shmangur dhimbjen e bezdisur të kokës.

Por duke mos abuzuar me to, pasi përdorimi me tepri i nenexhikut mund të sjellë pagjumësi dhe irritim të mukozës së stomakut.

a.k/NOA

KOMENTE