Tiranë, 17 mars, NOA - Pas vizitës 2-ditore në Serbi, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të zhvillojë një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë datave 18-19 mars.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve NOA nga burimet zyrtare të dikasterit të Jashtëm, sipas të cilëve Meta pritet të mbajë në SHBA një fjalim në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Po kështu, shtohet se kryediplomati Meta do të zhvillojë edhe takime të ndryshme në Kongres, Senat dhe me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
Bëhet me dijeni se në qendër të kësaj vizite të Metës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jenë zhvillimet në rajonin tonë dhe angazhimet e Shqipërisë në këtë drejtim, si edhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të dy vendeve në të gjitha fushat.
Vetëm para pak ditësh, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u kthye nga një vizitë e suksesshme 2-ditore në Serbi, ku zhvilloi takime të rëndësishme me autoritetet e larta të këtij vendi, por edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës.
n.e/NOA