Tiranë, 17 mars, NOA - Të rinjtë e forumit "Rinia Aktive" zhvilluan sot aksionin e radhës në kuadër të fushatës "Stop & Drejtësi", përpara ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ndërmjet një foto galerie duke u bërë thirrje përfaqësuesve të saj, por edhe publikut të shohin punën e vërtetë të kryer prej saj.
Duke e titulluar këtë institucion si ministria e Papunësisë, e Çështjeve jo të Barabarta dhe Shanseve të Humbura, Rinia Aktive kërkoi drejtësi, duke ia theksuar ministrisë kërkesën për t'i thënë "Stop" papunësisë.
Kryetari i këtij organizmi, Dritan Broka, theksoi se ky është vetëm fillimi i kësaj fushate të gjatë, ku të rinjtë do kërkojnë të drejtat e tyre nëpërmjet mjeteve demokratike.
"Kur mijëra të rinj enden rrugëve duke lypur, duke shitur fara dhe paketa, duke qenë të pashpresë dhe të paorientuar ku mund të drejtohen, këto institucione realizojnë disa politika që ngelen në letër dhe na publikojnë shifra joreale", tha ai.
n.e/NOA