English

Rrugët e pasigurta shkaktojnë epidemi të heshtur

Praktikat e mira ndërkombëtare tregojnë se për të reduktuar ‘Vdekjen mbi rrota', vendet duhet të adoptojnë një qasje gjithëpërfshirëse të një ‘sistemi të sigurt' që duhet të zbatohet sistematikisht dhe vazhdimisht në një periudhë kohe 20 deri 30 vjeçare. Nuk është thjesht numri i viktimave njerëzore që duhet të shqetësojë politikëbërësit në Evropë dhe Azi Qendrore - kostot ekonomike janë gjithashtu të larta

Nga Philippe Le Houérou*

Një ‘epidemi e heshtur' e dhunshme, por shpesh e neglizhuar po prek vendet e ish Bashkimit Sovjetik, Ballkanit, Baltikut, Evropës Qendrore dhe Turqisë. Lëndimet dhe fatalitetet nga trafiku rrugor u ndodhin individëve, por impakti kolektiv mbi shoqërinë shpesh nuk shihet, nuk shprehet dhe neglizhohet. Megjithatë, në këto vende vdekjet nga trafiku rrugor arrijnë përmasa epidemie, veçanërisht në dhjetëveçarin e fundit dhe atje njerëzit kanë dy ose tre herë më shumë mundësi të vdesin nga plagosjet në trafikun rrugor se njerëzit në Evropën Perëndimore.

Plagosjet në trafikun rrugor renditen në 10 shkaqet kryesore të vdekjeve në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore, siç dokumentohet në një raport të fundit të Bankës Botërore "Përballja me ‘Vdekjen mbi Rrota': Bërja e Rrugëve të Sigurta në Evropë dhe Azi Qendrore". Pothuaj 80.000 njerëz vdiqën në vitin 2007 si rezultat i plagosjeve në trafikun rrugor; rreth dyfishi i numrit në Evropën Perëndimore. Vendet si Kazakistani, Rusia, Lituania dhe Ukraina kanë përqindje vdekshmërie rreth 20 në 100.000 njerëz, krahasuar me më pak se 5 në 100.000 njerëz në disa vende të Bashkimit Evropian. Nivele të larta (dy ose tre herë më të larta se në Evropën Perëndimore) vihen re dhe në Malin e Zi, Letoni, Gjeorgji, Bjelorusi, Sllovaki, Poloni, Armeni, Turqi dhe Bullgari. Për çdo vdekje shumë më shumë njerëz shtrohen në spital ose kanë lëndime që kërkojnë kujdes mjekësor (pothuajse 820.000 njerëz vetëm në vitin 2007).

Atëherë, çfarë mund të bëhet për të ndaluar këtë ‘epidemi të heshtur'?

Praktikat e mira ndërkombëtare tregojnë se për të reduktuar ‘Vdekjen mbi rrota', vendet duhet të adoptojnë një qasje gjithëpërfshirëse të një ‘sistemi të sigurt' që duhet të zbatohet sistematikisht dhe vazhdimisht në një periudhë kohe 20 deri 30 vjeçare. Nuk është thjesht numri i viktimave njerëzore që duhet të shqetësojë politikëbërësit në Evropë dhe Azi Qendrore - kostot ekonomike janë gjithashtu të larta.

Viktimat dhe paaftësitë e shkaktuara në rrugë minojnë zhvillimin e kapitalit njerëzor që është thelbësor për mirëqënien e qëndrueshme afatgjatë ekonomike dhe shoqërore. ‘Epidemia e heshtur' ka efekte veçanërisht negative mbi popullësinë e moshës 15-44 vjeç - të rinjtë dhe njerëzit në moshë pune, në lule të jetës së tyre. Plagosjet e trafikut rrugor tashmë janë shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit e rinj të moshës 5-29 vjeç dhe shkaku i tretë kryesor i vdekjes në rradhët e atyre të moshës 30-44 vjeç. Rreth 80 për qind e viktimave të vdekjeve të trafikut rrugor janë meshkuj. ‘Ngarja e hutuar' për shkak të përdorimit në rritje të telefonave celularë dhe mesazheve gjatë ngarjes së makinës, gjithnjë e më shumë, rezulton në përplasje të trafikut rrugor që ndikon në veçanti mbi shoferët e rinj.

Kostoja ekonomike e vdekjeve dhe plagosjeve në rrugë në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore është vlerësuar të tejkalojë 1,5 për qind të PBB-së në vit. Shpenzimet më të larta në vit janë në Rusi (34 miliard US$), Turqia (14 miliard US$), Polonia (10 miliard US$) dhe Ukraina (5 miliard US$).

Ndikimi i lëndimeve të trafikut rrugor në radhët e këmbësorëve është gjithashtu i rëndë meqenëse shumica e masave të sigurisë historikisht janë përqendruar në mbrojtjen e udhëtarëve të automjeteve në vend të këmbësorëve. Këmbësorët, fëmijë dhe të moshuar, janë më të prekshmit.

Në gjendjen e dobët të sigurisë së trafikut rrugor në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore kontribuojnë dhe sistemet e dobëta të menaxhimit të sigurisë rrugore, rrugët e përkeqësuara, rritja eksponenciale e numrit të automjeteve (zakonisht të përdorura) gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, sjellja e dobët e drejtuesve dhe mungesa e zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve të sigurisë rrugore. Konsumi i tepruar i alkoolit - sindroma e ‘ngarjes së dehur' - është gjithashtu një faktor i madh kontribuues.

Transporti rrugor është i rëndësishëm për zhvillimin meqenëse ai lehtëson lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, rrit mundësitë e punësimit dhe përmirëson aksesin në shërbimet themelore. Shumica e vendeve në rajon kanë investuar shumë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në përmirësimin e sistemit të tyre të transportit rrugor. Për fat të keq, epidemia e heshtur e ‘vdekjes mbi rrota' vazhdon të zvogëlojë përfitimet nga këto investime dhe duhen përpjekje të vendosura për ta përmirësuar këtë prirje.

Pra, çfarë është e nevojshme për t'i bërë rrugët më të sigurta?

Është themelor një nivel i lartë mbështetjeje politike dhe financim, si dhe një sistem i forcuar i menaxhimit të sigurisë rrugore, duke përfshirë koordinim të ngushtë të veprimeve nga një agjenci drejtuese, ministritë e ndryshme (transport, shëndetësi, polici), komunitetin e biznesit, dhe organizatat jo-qeveritare, në të cilat priret të shpërndahet përgjegjësia e sigurisë rrugore. Një fokus mbi rezultatet duhet të përqendrohet në aspektet e mëposhtme kryesore:

menaxhimin institucional i forcuar për sigurinë rrugore, duke përfshirë koordinimin, financim të qëndrueshëm, si dhe monitorim dhe vlerësim;

përmirësimin e infrastrukturës rrugore, nga planifikimi, projektimi, funksionimi deri në përdorim;

ligje, standarde dhe rregulla të forcuara të sigurisë rrugore, për hyrjen dhe daljen e automjeteve dhe përdoruesve të rrugës dhe zbatimin e tyre efektiv;

fushata të edukimit publik për të modifikuar sjelljet e rrezikshme;

shërbimet e mirëorganizuara të urgjencës mjekësore.

Fitore të shpejta janë zakonisht të mundshme nëpërmjet zbatimit të vendosur të masave të mira inxhinierike që përmirësojnë projektet e rrugëve dhe i bëjnë rrugët të sigurta, të tilla si kontroll më i mirë në kryqëzime, barrierat e përplasjes, tabelat, shenjat, kalimet për këmbësorë dhe mirëmbajtja e rrugëve, zbatimi i ligjeve dhe standardeve si ato që lidhen me përdorimin e rripit të sigurimit, ngarjen në gjendje të dehur, ngarje e shpërqëndruar dhe masa të mira të trajnimit të drejtuesve dhe të liçensimit të automjetit; dhe futja e teknologjive të reja të tilla si zbatimi i shpejtësisë së automatizuar. Forcimi i shërbimeve mjekësore pas përplasjeve, mund të ndihmojë në parandalimin e vdekjeve dhe seriozitetin e plagosjeve.

Shumë vende në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë ngritur tashmë strukturat dhe proceset për të arritur këto fitore të shpejta dhe për të filluar uljen e ‘vdekjes mbi rrota'. Shumica e tyre kanë një agjenci drejtuese për të bashkërenduar reagimin kombëtar, e financuar nga buxheti kombëtar dhe strategji kombëtare të sigurisë rrugore me objektiva të matshme, si dhe ligje dhe rregullore përkatëse. Masat për qetësimin e trafikut, të tilla si gungat e shpejtësisë, kanë reduktuar lëndimet e trafikut rrugor, veçanërisht lëndimet e këmbësorëve në disa vende, ndërsa në vendet e tjera testimet rastësore të frymës për zbulimin e ngarjes në gjendje të dehur dhe përdorimin i detyrueshëm i rripave kanë qenë masa efektive. Masa të tjera ligjore si pezullimi apo revokimi i lejeve të drejtimit të makinës po ndihmojnë në kontrollin e shpejtësisë. Qeveritë në rajon janë gjithashtu duke bërë një përpjekje të mëdha për të përmirësuar shërbimet e urgjencës mjekësore dhe rehabilitimit në korridoret kryesore rrugore në të gjithë vendin për të parandaluar vdekjet dhe paaftësinë e përhershme pas një aksidenti me makinë.

Megjithatë, pavarësisht nga përparimi i bërë gjatë viteve të fundit në disa vende, duke përfshirë vendet që tani janë pjesë e Bashkimit Evropian, rajoni i Evropës dhe Azisë Qendrore vazhdon të ketë një nga performancat më të këqija të sigurisë rrugore në botë. Banka Botërore, duke punuar në partneritet me agjenci të tjera të tilla si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sigurinë Rrugore Globale, si dhe bankat e tjera shumëpalëshe të zhvillimit është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike dhe financiare në mënyrë që të ndihmojë zbatimin e "Dekada e KB-së për Veprimin për Sigurinë Rrugore" e miratuar kohët e fundit. Koha për të vepruar është tani sepse mijëra jetë janë në rrezik.

(*) Autori është Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore

KOMENTE