Tiranë, 17 mars, NOA / Milena Selimi - Shkrimtari gjerman Ingo Schulze do të vizitojë Shqipërinë përgjatë datave 22-24 mars, me ftesë të shoqatës kulturore gjermano-shqiptare "Robert Schvartz".
Ingo Schulze është bërë mjaft i njohur në Gjermani qysh prej debutimit të tij "33 çaste lumturie" si prozator me një numër vëllimesh me tregime dhe romanesh si "Simple Stories", "Jetë të reja", "Celular" etj.
Ka marrë edhe disa çmime të rëndësishme, ndërsa në vitin 2007 edhe Çmimin e Panairit të Leipzigut për vëllimin "Handy".
Romani i tij më i fundit "Adami dhe Evelina" u botua vjet në shqip nga shtëpia botuese "K & B" në përkthimin e Ardian Klosit dhe u prezantua gjatë Tetorit Gjerman.
Ky libër përshkruan fatet e disa të rinjve gjermano-lindorë në verën dhe vjeshtën e vitit 1989, pak para rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë. Përveç ngjarjeve politike shkrimtari merret me temën e dashurisë e të mëkatit, duke hequr këtu paralele të holla me motivin biblik të Adamit dhe Evës.
Bëhet me dijeni se Ingo Schulze do të zhvillojë në Tiranë dy lexime publike dhe diskutime: Takimi i parë (shqip) me diskutim më 22 mars ora 19.00, ndërsa takimi i dytë (gjermanisht, me projeksion të teksteve shqip) më 23 mars ora 19.00, që të dyja, takime që do të zhvillohen në Teatrin e Metropolit.
Leximi i parë, me aktorë, do të jetë në shqip, i dyti në gjermanisht.
Ndërsa më 24 mars paradite shkrimtari do të takohet me kolegë të tij shqiptarë, me përkthyes dhe përfaqësues të mediave në sallën gjermane të leximit (Biblioteka e vjetër kombëtare).
n.e/NOA