Tiranë, 17 mars, NOA - Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, ka sqaruar sot publikun sesi luhatjet dhe kapërcimet e çmimeve të produkteve të naftës në tregjet ndërkombëtare janë përballuar në tregun e brendshëm në mënyrë graduale nga përdorimi i rezervave, sipas legjislacionit në fuqi.
"Përdorimi i rezervave nga kompanitë e tregtimit ka mbajtur për një periudhë të konsiderueshme çmime konstante në tregun e shitjes me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, duke mos reflektuar luhatjet e tregut ndërkombëtar të hidrokarbureve", thuhet në deklaratën e lëshuar nga ky organizëm.
Më tej, sqarohet sesi efektin e rritjes së çmimit të hidrokarbureve e ka dhënë në fakt përfundimi i përdorimit të rezervave të tyre, duke lejuar që importet e muajit të fundit të ndikojnë për luhatjen e tij.
Por Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tregon edhe se "një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon ndjeshëm në luhatjen e çmimit të produkteve të naftës ka qenë edhe rritja e kursit të këmbimit USD/Lek".
"Kapërcim ka bërë edhe monedha europiane, Euro, që për periudhën respektive ka lëvizur nga 130 lekë në 139 lekë. Edhe pse produkti nuk kuotohet në euro në bursën ndërkombëtare, ky ndryshim i kursit të këmbimit të monedhës europiane me lekun shqiptar ka dhënë efektet e tij në rritjen e çmimit të karburanteve, duke qenë se rreth 10 % e të gjitha shpenzimeve të kompanive hidrokarbure kryhen në këtë monedhë", përfundon deklarata e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve.
Ajo i ka kërkuar shtetit që në kushtet e rritjes objektive dhe të pashmangshme të çmimeve, të rrisë nivelin e kontrollit dhe të mbikqyrjes në tregun e hidrokarbureve për të mos lejuar subjekte abuzive të këtij tregu të abuzojnë dukshëm kur ka rritje çmimesh në dëm të cilësisë së produkteve duke dëmtuar jo vetëm barazinë në treg, por sidomos konsumatorin shqiptar.
n.e/NOA