Stokholm, 17 mars, NOA - Suedia mbështet fuqimisht heqjen e vizave për shqiptarët me Bashkimin Evropian, si edhe anëtarësimin sa më të shpejtë me të drejta të plota në strukturat e tij.
Një fakt të tillë kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ia ka komunikuar vetë kryetari i parlamentit të Suedisë, Per Westerberg, gjatë një vizite të saj në vendin nordik.
"Ne vlerësojmë qeverisjen tuaj, rritjen ekonomike dhe shtetin ligjor prandaj dhe ju mbështesim në integrimin tuaj dhe shpresojmë që shumë shpejt të jeni anëtarë të BE-së. Ne ju urojmë sukses në negociatat e anëtarësimit dhe në reformat tuaja, të cilat janë të guximshme por të nevojshme për këtë anëtarësim. Ky i fundit është në të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës e të gjithëve ne", mësohet të jetë shprehur kryeparlamentari suedez.dërsa lidhur me zgjedhjet e fundit, Westerberg theksoi se Shqipëria realizoi zgjedhje shumë të mira, sikurse i vlerësuan edhe ndërkombëtarët.
"Kur njihen rezultatet, parlamenti fillon punën për të trajtuar çështjet e qytetarëve dhe nuk i takon parlamentit të trajtojë çështje që tashmë kanë marrë gjykimin nga drejtësia", tha ai për këtë fakt.
Bëhet me dijeni gjithashtu se në këtë takim dy-palësh u diskutua gjerësisht edhe për politikën reformatore të Shqipërisë, duke u fokusuar kryesisht në plotësimin e detyrimeve që Shqipëria ka përmbushur.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e vlerësoi këtë vizitë shumë pozitive dhe shprehu besimin dhe shpresën për mbështetjen e Suedisë si vend anëtar i rëndësishëm i BE në pritshmërinë e gjithë shqiptarëve për heqjen e vizave. n.e/NOA