English

Topi: Të riinstalohet dialogu politik

Berat, 17 mars, NOA - Nga qytetit i Beratit, ku ndodhet për një vizitë pune, Presidenti Bamir Topi ka bërë thirrje për dialog dhe gjetjen e konsensusit mes subjekteve kryesore politike në vend.

I pyetur nga gazetarët për zgjidhjen e krizës politike, kreu i shtetit ka përdorur shprehjen riinstalim të dialogut, duke nënkuptuar se qëndrimet e ditëve të fundit kanë bërë që palët të kthehen në pozicionet e mëparshme.

"E rëndësishme është që kemi një riinstalilm të dialogut politik, pavarësisht nga problematika. Unë mendoj që demokracia në Shqipëri i ka të gjitha shanset që të bëjë progres, pavarësisht se ndonjëherë gjërat duket sikur nuk kanë rrugëdalje", u shpreh Topi.

Kreu i shtetit ka bërë dhe një herë apel për realizimin e reformave të rëndësishme duke shtuar se vendi ka nevojë të ecë përpara.

"Gjithmonë politika ka mundësi që mbi bazën e dialogut, të një predispozicioni për të arritur një zgjidhje në funksion të Shqipërisë dhe mbarë shoqërisë, do të dijë të gjejë edhe rrugët e bashkëpunimit. Duket sikur janë retorika politike kur themi në funksion të reformave të rëndësishme, por është realisht kështu. Duhet që njerëzit të bashkëpunojnë, sepse vërtet na presin reforma të rëndësishme në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë me konseguencë rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian", u shpreh Topi.

Ai ka shtuar se përpjekja qendrore e politikës dhe e institucioneve të Shqipërisë, duhet të jetë konsolidimi i rrugës së nisur për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian

m.xh/NOA.

KOMENTE