English

A ka zgjidhje kriza politike në Shqipëri?

Analistët në Shqipëri nuk shohin asnjë mundësi për zgjidhje të krizës politike. Në komisionin e ligjeve, shumica parlamentare e ka cilësuar antikushtetutese kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Analistët thonë se ky mund të jetë epilogu edhe i seancës parlamentare të 18 marsit

Menada Zaimi

Analisti Blendi Fevziu thotë se seanca do të përcjellë tension dhe do të zgjasë në kohë, për shkak të numrit të madh të deputetëve diskutantë - të paktën 110 ligjvënës. "Unë nuk gjykoj që do të ketë ndonjë kompromis në situatën e pritshme. Kam parasysh që të dyja palët u qëndrojnë versioneve të tyre. Partia Demokratike ka insistuar dhe një herë, nuk cenon ose nuk prek asgjë brenda, si objekt i Komisionit hetimor, diçka që është gjykuar nga kolegji zgjedhor apo që ka një vendim gjykate që e mbron". "Ndërkohë që Partia Socialiste pretendon se vendimi i gjykatës nuk prek transparencën e zgjedhjeve. Sipas informacioneve që kam, do të ketë një situatë të tensionuar", thotë Fevziu. Edhe për analistin Andrea Stefani, kompromisi duket mision i pamundur. "Palët janë pozicionuar në pozicione joelastike. Secila palë që do të lëshonte, do të dilte e humbur. Kështu që në këtë pikëpamje, edhe ajo çka ndodhi në Komisionin parlamentar të ligjeve është një konfirmim i kësaj mplekseje që nuk ka zgjidhje. Unë nuk mendoj se seanca do të sjellë ndonjë gjë të re. Kriza mbetet ajo që është", vlerëson Stefani. Fevziu e Stefani thonë se në pikën ku ka mbërritur debati politik, zgjidhje nuk mund të ofrojnë madje edhe ndërkombëtarët. "Unë mendoj që ndërkombëtarët, presidenti dhe të gjitha institucionet tjera janë konsumuar në zgjidhjen e këtij debati. E vetmja mundësi është një marrëveshje midis palëve ose tërheqja e njërës palë", thotë Fevziu. Stefani thotë se zgjidhje do të ishin zgjedhjet e parakohshme. Ky opsion mbështetet edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mungesë të mosaprovimit nga mazhoranca të kushtit për hapje të kutive të votimit. "Ndërkombëtarët ndoshta mund të vijnë edhe disa herë këtu. Çështja është që nuk mund të pranojë pushteti hapjen e kutive, për shkak të manipulimeve të shumta që janë bërë. Dhe, nga ana tjetër, opozita nuk mund të pranojë moshapjen e kutive, duke ditur se e ka kapur pushtetin për brirësh në një pikë shumë të rëndësishme". "Prandaj, mendoj këtu që e mira e publikut dhe e dy palëve për të mos zgjatur një agoni dhe një qeverisje në një këmbë, një qeverisje të njëanshme, që nuk ka asnjë vlerë për demokracinë dhe për vendin, ku nuk realizohen dot as reformat e nevojshme, do të jenë zgjedhjet e parakohshme dhe në fund të fundit kjo nuk është asnjë gjë e tmerrshme për demokracinë", thotë Stefani. Por, Fevziu thotë se provokimi i zgjedhjeve të parakohshme tingëllon i pamundur, nisur edhe nga garancitë kushtetuese që ka çdo mazhorancë qeverisëse pas ndryshimeve më të fundit të bëra ligjit themelor. "Që nga viti 1991, çdo opozitë që mbaj në mend në Shqipëri, në mos muajin e parë, vitin e parë kërkon zgjedhje të parakohshme. Ka një procedurë se si janë zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme nuk shkaktohen me deklarata, shkaktohen me humbjen e numrit të nevojshëm që njëra palë, pra mazhoranca, ka në Parlament". "Kjo gjë nuk duket e kërcënueshme dhe aq më tepër me ndryshimet kushtetuese që zoti Berisha dhe Rama kanë bërë, të rrëzosh një kryeministër është thuajse e pamundur. Gjykimi im do të ishte një kompromis që do të synonte transparencën në zgjedhjet e ardhshme, pra të reflektonte të gjitha vërejtjet e bëra nga OSBE-ODIHR-i, si dhe vërejtjet e palëve për të ndërtuar një bazë ligjor më solide për zgjedhjet e ardhshme", thotë Fevziu. Me gjithë skepticizmin racional të analistëve për mungesën e një kompromisi, qëndron gjithnjë seanca parlamentare e pasdites së 18 marsit, që nisur edhe nga deklarimet e ndërkombëtarëve, tingëllon si afati i fundit për zgjidhje të ngërçit politik. /rfe/

KOMENTE