English

Abuzimi me faktet

Shpesh në debate, mazhoranca abuzon me faktet që janë konstatuar dhe që citohet në raportin e OSBE/ODIHR-it. Madje shkon edhe më tej, duke thënë se tashmë problemet dihen, hajde të ulemi dhe të bëjmë ndryshimet në Kodin zgjedhor, nuk ka prova për manipulime dhe nuk mund të bëhen hetime

Nga Vasilika Hysi

Sot është dita e parë për mua që marr fjalën në këtë foltore të nderuar. Erdhëm këtu, falë vullnetit të atyre që na votuan për t'i përfaqësuar, për të qenë modeli i një politike të re dhe për të dhënë zgjidhje të reja për problemet e tyre të vjetra.

Por ndihem keq, pas 20 vjetësh liri për të ndërtuar demokracinë, diskutimin tim të parë në parlament po e bëj për një çështje që është themeli i demokracisë. Është çka fëmija në klasën e parë fillore e mëson në lëndën "Njohuri për shoqërinë" lidhur pikërisht për transparencën e votës, për të drejtën që ka gjithkush prej nesh që të vendosë për ata që do të na qeverisin dhe për votën e secilit që do të lexohet ashtu si hidhet në kutinë e votimit.

Për më shumë se 8 muaj opozita e bashkuar, e majtë dhe e djathtë, ka kërkuar transparencë të plotë e të pakushtëzuar para publikut të çdo gjëje që lidhet me zgjedhjet e 28 qershorit. Jo për të ndryshuar rezultatin, po për të ndryshuar rrjedhën e një historie 20 vjeçare zgjedhjesh të deformuara e të kontestuara. Jo për të marrë pushtetin përmes hetimit parlamentar, po për të mos lejuar më kurrë që pushteti të merret përmes korrupsionit elektoral.

Kushtëzuam marrëdhënien tonë me parlamentin sepse menduam dhe mendojmë që pa hetuar zgjedhjet nga ka dalë, ky parlament nuk ka legjitimitet për të nxjerrë ligje për qytetarët e grabitur në të drejtën themelore për të vendosur për parlamentin e tyre. Pasi çështja jonë parimore u ndërkombëtarizua dhe pasi prova e rëndë e Ruzhdies doli në dritë duke tronditur të madhe e të vogël, erdhëm t'i japim këtij parlamenti një shans për të fituar moralin e humbur në zgjedhjet e shkuara.

Si qytetare, po edhe pedagoge e të drejtës prej shumë vitesh, u ndjeva keq në debatet e komisionit të ligjeve, ku nisma e PS dhe argumentet tona tërësisht juridike e profesionale, jo vetëm që ranë në vesh të shurdhër, por u komentuan nga koleget tanë të palës tjetër jo juridikisht, jo profesionalisht, madje as jo shqip. Aty dëgjuam nga juristë se kjo nisëm paska të bëjë me probleme të brendshme politike të opozitës, me prirjen e saj që të mos respektojë Kushtetutën, pavarësinë e gjykatave dhe, akoma me keq, me qëllimin që paskemi në kundër integrimit te Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për hir të vërtetës është e kundërta, krejt e kundërta. Ne e duam këtë transparencë, pikërisht sepse respektojmë Kushtetutën, ligjet e vendit, liritë e të drejtat e qytetareve dhe mishërojmë si individë e si forcë politike aspiratën e integrimit të familjes shqiptare në Bashkimin Europian.

Ndërkohë natyrshëm lind pyetja: Në cilën periudhë postkomuniste, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar brenda një harku kohor 4 vjeçar, plot 20 nisma ligjore si antikushtetuese? Në cilën periudhë, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar në katër raste, objektin e komisionit hetimor parlamentar si antikushtetues? Kush është forca që ka ngritur komisione hetimi, objekti i të cilave është deklaruar antikushtetues?

Pikërisht në katërvjeçarin e kësaj maxhorance që edhe sot vazhdon të shkelë Kushtetutën duke penguar transparencën e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të krimit elektoral të 28 qershorit.

Në diskutimin për hetimin e zgjedhjeve në komision, po edhe këtu në sallë, vazhdoj të ndihem keq duke dëgjuar se për hir të faktit që deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë gjatë punës së tij dhe në lidhje me detyrën, përfaqësuesit e maxhorancës vazhdojnë të thonë gjëra pa asnjë sens juridik e profesional në raport me ligjin, për të cilat në çdo shkollë sado modeste të së drejtës do të mbeteshin në klasë. Këtë qëndrim nuk mund ta motivojë ndërgjegjja profesionale, po vetëm frika. Frika nga e vërteta e atyre kutive ku janë rrënjët e degradimit të paparë të qeverisjes në gjithë këta muaj.

E vetëdijshme për atë që fshihet në kutitë e Ruzhdieve të 28 qershorit, maxhoranca mohon forcërisht të drejtën kushtetuese të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga organet e pushtetit publik; Kuvendit i hiqet mundësia të evidentojë shkaqet e shkeljes se ligjeve dhe i mohohet e drejta që të marrë masa për parandalimin e fenomeneve që kanë ekzistuar këto 20 vitet e fundit lidhur me zgjedhjet duke mos lejuar që hetimi parlamentar të bëjë transparencë të plotë e të pakushtëzuar.

Duke injoruar rolin real të Komisionit hetimor parlamentar në hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe çdo zgjedhjeje të mëpasshme, mohohet e drejta e kontrollit parlamentar të përfaqësuesve të popullit për mënyrën sesi zbatohen ligjet e votuara në këtë sallë, që është përmbushje e detyrimit themelor demokratik të transparencës me publikun. Por pa këtë kontroll, pushteti ekzekutiv shkon drejt absolutizimit dhe arbitraritetit që shkatërron të gjithë ekuilibrat kushtetues të vendit. Një pushtet i tillë është kosto e rritur për qytetarët në çdo hap, në çdo faturë, në çdo shërbim.

Shpesh në debate, mazhoranca abuzon me faktet që janë konstatuar dhe që citohet në raportin e OSBE/ODIHR-it. Madje shkon edhe më tej, duke thënë se tashmë problemet dihen, hajde të ulemi dhe të bëjmë ndryshimet në Kodin zgjedhor, nuk ka prova për manipulime dhe nuk mund të bëhen hetime.

Në fakt, me qëllim ngatërrohet roli i OSBE/ODIHR-it dhe komisionit hetimor parlamentar. OSBE/ODIHR është vëzhgues e fotografues i asaj që ka parë dhe bën rekomandime; ndërsa komisioni hetimor parlamentar ka funksione kontrolluese të zbatimit të ligjit dhe rekomandon për zgjidhjen e problemeve; nëse dalin prova që përmbajnë elementë të veprës penale ato referohen në prokurori.

Shumë fakte që përmenden në raportin e OSBE/ODIHR tregojnë "dyshime të arsyeshme" për manipulime të shumta. Sigurisht provat e manipulimit të tipit Ruzhdie as mund t'i kapte as nuk mund t'i hetonte OSBE/ODIHR. Ato janë në kutitë e votimit dhe janë pjesë e objektit të hetimit parlamentar.

Kolegët e palës tjetër nuk iu përgjigjen dot pyetjes sesi mund të bëhet verifikimi i vërejtjeve të cituara në raportin e OSBE/ODIHR apo i të dhënave dhe dyshimeve të arsyeshme që disponon PS-ja pa këqyrur dokumentet zgjedhore dhe fletët e votimit.

Si mundet për shembull që në disa qindra qendra votimi, që në mënyrë të paligjshme janë caktuar në shtëpi private të militanteve të pushtetit nga ana e KQZ-së, mund të verifikohet tjetër përveçse përmes shqyrtimit të dokumenteve zgjedhore që janë në kuti, të verifikohet shkalla e zbatimit ose moszbatimit të ligjit?

Të hetosh nuk do të thotë vetëm të marrësh në pyetje persona por edhe, madje sidomos, të këqyrësh dokumente. Dokumentet themelore për hetimin dhe transparencën e 28 qershorit janë të kyçura në kutitë e materialeve zgjedhore dhe ato të fletëve të votimit. Ndonëse, në mënyrë të përsëritur kërkohet të dihet se cili nen i Kushtetutës ose ligjit cenohet, kur kërkohet këqyrja e dokumenteve zgjedhore, pala që pengon hetimin nuk citon asnjë nen konkret, por përsërit si një shirit i vënë në lëvizje mekanikisht se kjo kërkesë bie ndesh me Kushtetutën.

Meqenëse nuk citoni ndonjë nen që ndalon këqyrjen e dokumenteve zgjedhore, pasi në të vërtetë ai nuk ekziston, unë po ju sjell në vëmendjen tuaj nenin që lejon dhe detyron institucionet që të jenë transparentë. Informimi është e drejtë e njohur nga neni 23 i kushtetutës dhe ligji për të drejtën e informimit. Kutitë me materialet zgjedhore dhe fletët e votimit janë në administrim të KQZ-së. Çdo shtetas ka të drejtë të informohet për to si dokumente zyrtarë. Dokumentet zgjedhorë nuk janë monopol i asnjë individi ose institucioni, me përjashtim kur ato përbëjnë sekret shtetëror.

Ju lutem më thoni a përbëjnë listat e votuesve dhe fletët e votimit sekret shtetëror që duhet t'i fshihen publikut? Pse votuesit shqiptar i mohohet e drejta për të parë sesi vota e tij është administruar? Pyetje të tilla deri më sot nuk kanë marrë përgjigje dhe mesa duket nuk do te marrin dot përgjigje të arsyeshme, juridikisht të vlefshme. Sepse marrja peng e kutive nuk bëhet nga respekti për ligjin, por nga frika prej së vërtetës. Frika e pushtetit dhe jo ligjet e shtetit e pengojnë këtë hetim. Frika e atij që ka vjedhur dhe jo ndonjë ligj i votuar në këtë sallë e mban peng edhe këtë parlament bashkë me kutitë.

Shpesh në debatet publike kemi dëgjuar se këqyrja e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit ndalohet nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në fakt është e kundërta. Gjykata Kushtetuese thekson se "kontrolli parlamentar ushtrohet edhe në kontekstin e së drejtës kushtetuese të çdo shtetasi për të marrë informacion të nevojshëm në lidhje me një çështje me interes publik"dhe se ky kontrolli është edhe një detyrim kushtetues për të bërë transparencën ndaj publikut.

Po ashtu askush deri më sot nuk ka nxjerrë numrin e nenit të Kushtetutës, paragrafin e vendimit të GJK ku thuhet se KQZ-ja, nuk mund t'i nënshtrohet mbikëqyrjes nga Komisioni hetimor Parlamentar dhe transparencës së publikut. Arsyeja është shumë e thjeshtë: nuk ka asnjë ndalesë të tillë.

KQZ është institucion administrativ, i emëruar nga Kuvendi dhe që kontrollohet prej tij. Komisionet zgjedhore dhe grupet e numërimit, ndonëse veprojnë në mënyrë të përkohshme, drejtohen dhe kontrollohen nga ana e KQZ-së. Prandaj e gjithë veprimtaria administrative dhe rezultatet e punës së tyre janë tërësisht të kontrollueshme nga Kuvendi, në kuadër të së drejtës dhe detyrimit të Kuvendit për të realizuar mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.

Asnjë organ nuk mund të jetë hermetik ndaj publikut, kur një gjë e tillë është në interes të publikut dhe nuk cenon sekretet shtetërore, ndonëse këto të fundit, jo në pak raste kanë dalë edhe në ankand.

Aq më pak mund të pengohet e drejta për informim me argumentet se procesverbalet janë firmosur nga të gjithë komisionerët, përfshirë edhe ata socialistë. Ç'është ky diversion i ulet? Ne nuk po kërkojmë hetim për gjueti shtrigash ndaj komisionerëve demokratë, po për nxjerrjen e përgjegjësive ligjore të cilitdo që ka shkelur ligjin e kryer krim si në Ruzhdie, pavarësisht kujt partie i përket. Mekanizmin e korrupsionit elektoral që ne duam të çmontojmë e kanë vënë në lëvizje pikërisht ata që janë korruptuar nga paraja e pushtetit për të përmbysur rezultatin dhe nuk kam takuar një komisioner socialist të zonës sime që të mos ma ketë kërkuar çuarjen para ligjit të çdo komisioneri që ka shitur firmën duke cenuar dinjitetin e mijëra grave e burrave që në komisione kanë bërë detyrën ligjore me dinjitet qytetar.

Me gjithë pyetjen e përsëritur, ata që pengojnë hetimin nuk thonë dot se cili nen i Kodit zgjedhor ndalon KQZ-së dhe Kolegjin Zgjedhor të gjykojë rastet kur procesverbalet janë firmosur nga komisionerët dhe nuk ka kontestime prej tyre, dhe se cili nen i ligjit për komisionit hetimore parlamentare ndalon këqyrjen e dokumenteve kur ato janë të firmosura nga të gjithë komisionerët.

Shpesh thuhet se kutitë nuk mund të hapen, sepse vendimet e formës së prerë të gjykatës nuk mund të prishen. Komisioni hetimor parlamentar nuk ka për qëllim që të ndryshojë vendimet e gjykatave dhe hetimi ynë s'ka asnjë lidhje me to. Nga ana tjetër, askush nuk ka pengesë ligjore që të kërkojë në gjykatë të njihet ose të marrë kopje të gjithë materialeve që mund të përmbajë një dosje penale ose civile edhe pa qenë palë në atë proces. Edhe në rastin e një vendimi gjykate, marrja e këtij informacioni nuk përbën pengesë. Të gjitha provat që merren në rastin e një vendimi gjyqësor, qoftë edhe i formës se prerë, gjykatat kanë detyrë t'i vënë në dispozicion të palëve të interesuara, ose të avokatëve. Pra, veprimtaria e gjykatave është e hapur e transparente dhe aspak e mbyllur e hermetike.

Në fund dua ta mbyll aty ku e nisa: Ndjehem keq si çdo shqiptar që pas njëzet vjetësh në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme si në Europë, por ndjehem edhe më keq si deputete që ky parlament po pengon me forcë europianizimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Duke i detyruar shqiptaret të ringrihen për lirinë e votës dhe të drejtën që të qeverisen nga ata që zgjedhin me votë, jo nga ata që bëhen zgjedhë në kurrizin e tyre duke mos i lejuar të votojnë lirisht.

(*) Fjala e mbajtur në Kuvend

KOMENTE