Tiranë, 18 mars, NOA/ Blerina Ahmetaj - Ka degjeneruar me debate të ashpra mes krerëve të sindikatave dhe përfaqësuesve të qeverisë e punëdhënësve, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Punës.
Kreu i konfederatës së Sindikatave të Pavarura, Kolë Nikolli ka replikuar me ministrin e Punës dhe atë të Arsimit, ndaj të cilëve ka lëshuar akuza.
Nikolli ka deklaruar se do të vazhdojë të mbrojë arsimtarët e larguar nga puna pavarësisht se janë ose jo anëtarë të sindikatës.
Por ministri i Arsimit ka reaguar menjëherë duke i cilësuar akuzat si spekulime nga ana e sindikatës.
"Hiqni dorë nga spekulimet në media pasi ju nuk keni asnjë argument të vërtetoni se politikat tona s'janë të duhurat. Unë ju garantoj ju dhe ju këshilloj të kujtoni premtimet tona që dhamë në mandatin e parë. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në rajon që për arsimtarët ka zbatuar dy vendime për rritje pagash brenda katër viteve. Ne do të mbajmë premtimet tona dhe ju them se nuk do të ketë asnjë fshat të Shqipërisë pa kopshte, asnjë zonë të thellë malore pa mësues, asnjë komunë pa shkollë të re", tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.
Por nuk ka munguar përgjigja e replikës nga ana e kreut të Konfederatës së Sindikatave të Pavarura.
Ai ka kërkuar të dëgjohet dhe të sjellë argumenta me shkrim, madje dhe të përballet me institucionet e drejtësisë për të vërtetuar akuzat që sipas tij janë të drejta e reale.
Nikolli ka akuzuar Këshillin Kombëtar të Punës se po mban pranë saj sindikata fantazma dhe pa lidhje me punëmarrësit, për arsye të shuarjes së debateve mes palëve gjatë diskutimeve.
Konfederata e Sindikatave të Pavarura akuzoi një muaj më parë se ministria e Arsimit se ka shkurtuar shumë vende pune, ndërkohë që ka rritur ngarkesën mësimore për arsimin parauniversitar.
Por ministri Tafaj i ka cilësuar këto deklarata të dhëna me një frymë ideologjike të caktuar.
b.a/n.e/NOA