English

Ardian Paci në Bienalen "Artes Mundi"

Tiranë, 18 mars, NOA - Ka mbaruar faza e selektimit të pjesëmarrësve në Bienalen "Artes Mundi", që do të zhvillohet në qytetin e Cardifit. Mes tetë artistëve të artit pamor bëhet me dije edhe emri i të mirënjohurit, Ardian Paci. Të nominuarit janë përzgjedhur pas një selektimi të rreth 500 aplikantëve dhe fituesi do të marrë çmimin prej 40.000 stërlinash, i quajtur si një nga çmimet më prestigjioze në Angli për artin pamor.

Fituesi do të shpallet më datën 19 maj 2010. Organizatorët e Bienales "Artes Mundi" pranojnë se sivjet politika luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e artistit-fitues, ç'ka nënkupton se finalistët janë përzgjedhur në bazë të rolit që politika e vendeve të tyre ka ndikuar në reflektimet artistike.

Kush jemi ne? Në çfarë shoqërie jetojmë?- janë dy nga bazat kryesore që kuratorët e kësaj bienaleje kanë menduar të ngrenë për vitin 2010.

Ardian Paci, artisti i njohur shqiptar, i lindur në Shkodër, i cili jeton në Milano prej shumë vjetësh, vjen pas një numri të madh ekspozitash personale dhe kolektive rreth e përqark botës. Piktori ka qenë pjesëmarrës edhe në "Brussels Art Biennial 2007", pastaj në "Moderna Museet" në vitin 2005 apo edhe i Bienales se Venedikut në të njëjtin vit. Ardian Paci është fitues i çmimit kombëtar italian "Pino Pascali".

Artisti prezantohet në Bienalen "Artes Mundi" në gjininë e fotografisë.

m.s/NOA

KOMENTE