English

Berisha: PS, gjyq komisionerëve të saj

Tiranë, 18 mars, NOA Update - "Nuk ka gjë më të rëndë se sa ta shndërroni këtë seancë plenare në një gjyq publik për ata 20 mijë komisionerë socialistë, të cilët përmbushën ditën e zgjedhjeve me përgjegjësi të lartë ligjore, detyrën e tyre bazuar te Kushtetuta dhe ligjet e vendit".

Me këto fjalë iu është drejtuar kryetari i mazhorancës, Sali Berisha, deputetëve socialistë, ndërsa këta të fundit në fjalimet e tyre të para gjatë seancës së sotme plenare kanë ngritur akuza për "krim elektoral".

"I bëj thirrje opozitës të lërë retorikën e akuzave monstruoze ndaj komisionerëve të saj. Nëse ju do ka ktheni këtë seancë në gjyq, neve do na keni avoketër të tyre, se po shkelet neni 7 i Kushtetutës", u bëri thirrje Berisha deputetëve të PS-së.

Sipas tij, zgjedhjet e 28 qershorit kanë patur gardianë të ligjit, përfaqësuesit socialistë në komisionet zgjedhore, por edhe ata të mbarë forcave politike që morën pjesë në to, prandaj akuzat për manipulime dhe krim elektoral, nuk ekzistojnë.

"Kjo nuk është e drejtë, vetëm e vetëm se ai që ju udhëhoqi i humbi zgjedhjet. Ne kemi ardhur këtu të negociojmë me ju, por nëse ju i quani komisionerët kriminelë zgjedhorë, bëni një gabim të rëndë se faktet janë të regjistruara", tha kreu i qeverisë, duke u bërë thirrje socialistëve ta pastrojnë fjalorin e diskutimeve të tyre nga fjala "krimi elektoral".

n.e/NOA

KOMENTE