English

E vërteta e kyçur në kuti

"Fakti që kemi pranuar si përfundimtar dhe të pakthyeshëm vendimin e organeve shtetërore të ngarkuara me administrimin e zgjedhjeve nuk do të thotë në asnjë mënyrë që nuk kemi të drejtë të kërkojmë transparencë, të kërkojmë të mësojmë se cila është e vërteta e rezultatit që qëndron i kyçur në kutitë e zgjedhjeve, se cili ishte vullneti real i shqiptarëve"

Nga Fatmir Xhafaj*

Deputet i PS

Në respekt të shtetit të së drejtës, të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të rregullave të lojës dhe për hir të interesave afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit. Partia Socialiste ka njohur vendimet ligjore që kanë prodhuar rezultatin legal të zgjedhjeve të 28 qershorit. Me një dyshim të fortë dhe të bazuar në fakte se kjo nuk është e vërteta, ajo e vetmja dhe e pakundërshtueshmja, ne e pranuam vendimin e dhënë. E kemi bërë një gjë të tillë pavarësisht kontestimeve që kemi bërë ndaj tyre në procesin e ankimimit legal dhe rezervave që kemi shprehur politikisht dhe juridikisht.

Por fakti që kemi pranuar si përfundimtar dhe të pakthyeshëm vendimin e organeve shtetërore të ngarkuara me administrimin e zgjedhjeve nuk do të thotë në asnjë mënyrë që nuk kemi të drejtë të kërkojmë transparencë, të kërkojmë të mësojmë se cila është e vërteta e rezultatit që qëndron i kyçur në kutitë e zgjedhjeve, se cili ishte vullneti real i shqiptarëve.

Kontestimet tona për administrimin e procesit dhe nxjerrjen e rezultatit zgjedhor janë bërë publike. Kontestime shumë konkrete janë bërë gjithashtu edhe në raportin e arbitrit - monitorues e vlerësues të zgjedhjeve - ODIHR/OSBE-së. Sot, edhe tetë muaj mbas ditës së zgjedhjeve, provat dhe faktet e reja që po dalin në dritë, nuk afrojnë gjë tjetër, veçse dhe më shumë bindje për cilindo, se qeverisja e djeshme, siguroi qeverisjen e sotme jo mbi vullnetin e shprehur dhe të lexuar qartë të qytetarit shqiptar, por mbi deformimin dramatik të vullnetit të zgjedhësve dhe të vet ligjit të miratuar konsensualisht.

Ka një pikë ku ne konvergojmë me kryeministrin e sotëm. Ai ankohet për humbje të mandateve për partinë e tij, çka në thelb, presupozon në mënyrë identike të njëjtin shqetësim që kemi ngritur dhe ne prej kohësh. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë, të hetojmë dhe t´i japim të drejtë pretendimeve të kryeministrit, nesë kjo e drejtë ekziston. Madje edhe të kërkojmë ndjesë dhe të heqim dorë nga mandate. Për ne e vërteta e asaj që ka ndodhur dje, është më e rëndësishme nga çdo mandat. Do të mjaftonte qoftë dhe ky detaj për të mos diskutuar më gjatë për nevojën e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar dhe domosdoshmërinë e hetimit pa kushte e transparent të asaj çfarë ka ndodhur në të shkuarën, për të mos u përsëritur në të ardhmen.

Ajo që ne kërkojmë është thjesht e vetëm të verifikohet si është zbatuar ligji i miratuar nga Kuvendi prej disa organeve administrative, të prodhuara gjithashtu nga vendimmarrja e këtij Kuvendi dhe për të cilën ai ka detyrimin kushtetues e ligjor të kontrollit dhe veprimit si dhe të analizojë ecurinë e një procesi si kusht për të nxjerrë problematikat e nevojat për përmirësimin e ligjit ekzistues. Më qartë se kaq nuk mund të thuhet dhe nuk mund të bëhet. Kjo veprimtari është në konformitet me Kushtetutën dhe me të gjithë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendime të cilat deri dje keni qenë po ju që i keni përgojuar dhe sulmuar.

Projektligji që ne kemi paraqitur në vlerësim të asaj që ka ndodhur me interpretimin e gabuar të ligjit zgjedhor dhe të eksperiencave jo efetive të komisioneve të mëparshme hetimore, synon të detajoj ligjin ekzistues për të shmangur çdo paqartësi në zbatimin e tij përsa i përket mjeteve dhe provave të hetimit.

Në vlerësimin tonë nuk mund të ketë hetim parlamentar për zgjedhjet pa këqyrur dhe vlerësuar atë çfarë përbën thelbin e vet procesit zgjedhor - kutitë zgjedhore. Gjithçka tjetër do të ishte një akt formal, një ngjarje e paralajmëruar - hetimi i dështuar i radhës.

Pretendimi për mos hapjen nga Komisioni Parlamentar Hetimor të kutive zgjedhore, do të qëndronte vetëm nëse këtë ndalim do ta urdhëronte një normë juridike (Kushtetuta, ligj, etj), ose një vendim gjyqësor i formës së prerë. Për rastin në fjalë mungon si njëra ashtu edhe e tjetra!

Nuk ka asnjë normë juridike që të ketë në përmbajtjen e vetë një urdhërim të tillë! Nuk ka asnjë normë të tillë që të ndalojë KH të Kuvendit të këqyrë materialin zgjedhor që gjendet në kutitë e votimit. Përkundrazi.

Nuk ka asnjë vendim gjyqësor që në përmbajtjen urdhëruese (apo në përmbajtjen në tërësi të tij) të urdhërojë një ndalim të tillë! Përkundrazi.

Për më shumë, ky komision hetimor parlamentar:

· nuk parasheh dhe nuk synon të marr të pandehur askënd;

· nuk parasheh dhe nuk synon të ngrejë akuza penale ndaj ndokujt;

· nuk parasheh dhe as nuk synon të kontrolloj apo/edhe të vlerësoj bazueshmërinë në ligj dhe rregullsinë e vendimeve gjyqësore apo të prokurorit;

· nuk synon dhe nuk ka të drejtë të rishikojë vendimet që ka marrë Kolegji Zgjedhor;

Komisioni hetimor parlamentar gjithashtu:

· nuk merr dhe as nuk ushtron asnjë prej kompetencave të mësipërme,

· nuk bën atë që për të cilën janë ngarkuar gjykatat- pra administrimin e drejtësisë,

KHP synon të kryejë të gjitha veprimet procedurale që janë të domosdoshme për t´u informuar për mënyrën e zbatimit të ligjeve gjatë procesit zgjedhor, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, parandalimin e fenomeneve negative për të ardhmen si dhe amendimin e ligjeve përkatëse;

Veç mungesës së argumentit të vërtet ligjor, refuzimit tuaj për hapjen e kutive zgjedhore, sa kohë që pranoni që objekt i hetimit parlamentar mundet te jete edhe aspekti administrativ i nxjerrjes se rezultatit, i mungon edhe shkaku logjik për refuzim: Si mundet të hetohet nga komisioni përkatës parlamentar edhe aspekti zgjedhor qe ka te beje me nxjerrjen e rezultatit te zgjedhjeve, nëse nuk behet, krahas këqyrjes se tabelave te rezultateve edhe këqyrja e fletëve te votimit qe janë ne kutitë e votimit?!!!!

Absurdi i arsyetimit shkon deri tek moskëqyrja e atyre fletëve të votimit apo materialeve zgjedhore që nuk janë bërë objekt i shqyrtimit gjyqësor!!!. Pretendimi i kolegëve të mi të maxhoranës për mos hapjen e kutive për shkak të një vendimi gjyqësor, do të mund te konstatohej si lehtësisht i pabazuar edhe në rast se do të arsyetonim brenda logjikës së përdorur prej tyre.

Zoti Kryeministër, në mënyrë të sinqertë po ju jap publikisht një zgjidhje, brenda pretendimeve tuaja për dalje nga kjo situatë, natyrisht nëse keni realisht vullnet për ta bërë një gjë të tillë.

Së pari. Duke iu referuar saktësisht dispozitave të Kodit Zgjedhor rezulton se ka dy lloje kutish- Kutia e votimit me fletët e votimit dhe kutia me materialet e votimit. Edhe nëse arsyetohet sipas pretendimit tuaj se "hapjen e kutive nuk e lejojnë vendimet gjyqësore", një gjë e tillë do të rezultonte tërësisht e pasaktë, për shkak se mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën proceduriale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit dhe jo me kutit e materialeve të votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi, atëherë edhe sipas kësaj logjike, nuk do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën, për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate, që të jetë shprehur për këto kuti.

Së dyti. Marrim të mirëqenë logjikën e përdorur (sipas nesh të gabuar) se vendimi i Kolegjit eventualisht interpretohet si shkak ndalues per hapjen e kutive në njësitë zgjedhore objekt shqyrtimi. Pyetja shtrohet cili vendim gjyqesor edhe sipas këtij arsyetimi ndalon hapjen e kutive, që u përkasin njësive të tjera zgjedhore që nuk kanë qënë objekt i shqyrtimit gjyqsor ?!Vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë për 3 zona të caktuara dhe ato kane fuqi të lidhur me mosmarrëveshjen për objektin e caktuar të gjykuar nga Kolegji. Asnjë vendim gjyqësor në RSH - përvec vendimeve të GJK kur gjykon mbi kushtetutshmërinë e akteve normative - nuk ka fuqi me efekt të përgjithshëm. Përderisa, në gjykimin e zakonshëm, vendimet gjyqësore nuk kanë efekte erga omnes (efekt të përgjithshëm, për të gjithë), por vetëm efekte inter partes (efekt vetëm midis palëve, për palët), ato nuk e shtrijnë efektin e tyre në zonat zgjedhore, që nuk i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Edhe nga kjo pikëpamje, (duke arsyetuar gjithmonë brenda logjikës së argumentit tuaj) rrëzohet pseudoargumenti i paraqitur për të kufizuar mjetet e hetimit për shkak të vendimeve të gjyqësorit, sidomos në zonat e tjera që nuk i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor !!.

Debati i zhvilluar gjerësisht në komisionin e ligjeve kishte një vlerë të rëndësishme sepse qartësoj shumë gjëra, një pjesë edhe të panjohura, për opinionin publik. Kolegët e mi socialistë prezantuan në komision edhe dy opinione ligjore shumë të cmuara të Komisionit të Venecias që argumentojnë qartazi se objekti dhe mjetet e provat hetimit të kërkuar nga minoranca nuk mund të kufizohen. Ky ishte gjithashtu një tjetër argument në favor të faktit se përpjekjet politike për ta futur këtë proces në rrugë pa krye duke kërkuar komente mbi komentet dhe interpretime mbi interpretimet do të ishin padyshim marrëzia politike e radhës.

Prezantuam gjithashtu një precedent të qartë të hapjes së kutive zgjedhore pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe daljes së rezultatit përfundimtar nga ana e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor. Precedenti është i vitit 2005 kur KQZ e asaj periudhe vendosi dhe organizoj hapjen e kutive zgjedhore me kërkesë të komisionit hetimor parlamentar të asaj kohe. Natyrisht ka një ndryshim. Në vitin 2005 kutitë u hapën se kontrolloheshin zgjedhjet parlamentare në të cilat përgjegjëse ishte qeveria socialiste, ndërsa në 2009 kutitë nuk mund të hapen se kontrollohen zgjedhjet tuaja!!.

Prezantuam gjithashtu precedente të ngjashëm për hapjen e kutive zgjedhore (pas shpalljes se rezultatit perfundimtar) nga parlamente dhe organizata të vendeve të tjera demokratike si rasti i SHBA, Irlandës etj. Argumentuam me shembuj konkretë trajtime të ngjashme nga legjislacioni në disa vende demokratike të europiane, me përvojë shumë të konsoliduar në këtë fushaë si Britania, Gjermania, Italia etj të drejtën e opozitës për moskufizimin në objekt si dhe moskufizmin në mjetet dhe provat e marra nga komisioni hetimor etj.

Tashmë pas kësaj paraqitje gjithshka është e qartë. Në mbrojtje të insitiativës dhe kërkesës sonë është Kushtetuta, ligji dhe vendimet interpretuese të GJK. Janë komentet ligjore të Komisionit të Venecias. Këtë standart mbështesin precedentët shqiptar dhe ndërkombëtar për hapjen e kutive. Pra gjithshka e qartë si drita e diellit. Ska asnjë lloj kufizimi ligjor e procedurial, por vetëm një shkak dhe ai është politik. Mungesa e vullnetit politik për të bërë transparencën e zgjedhjeve të shkuara dhe kryesorja për ta garantuar ndershmërin e zgjedhjeve të nesërme. Kjo është edhe arësyeja pse ne kemi thënë dhe vazhdojmë të theksojmë se zgjidhja e krizës është politike dhe politika duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë duke i dhënë zgjidhje kësaj krize. Kjo është e vërteta e thjesht politikisht.

***

Për Partinë Socialiste të Shqipërisë, opozitën në tërësi, është e pa pranueshme që rezultati i zgjedhjeve të ardhshme të jetë produkt i sistemit të korrupsionit elektoral që ka minuar tradicionalisht standardet e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe që qëndron në themel të krizës politike në vend.

Ky proces hetimi parlamentar nuk është në asnjë mënyrë një betejë për marrjen e pushtetit në tavolinë, por është mundësia e vetme që tavolina e nesërme e pushtetit të mos jetë e helmuar nga dyshimi, nga vjedhja dhe deformimi i vullnetit të votuesit shqiptar.

Projekti ynë është një mundësi për zgjedhjen e krizës, një mundësi për bashkëpunimin e palëve. Projekti ynë është një propozim me hapësira konkrete për ta gjetur rrugën e bashkëpunimit, jo për ta mbyllur atë.

Qëndrimi ndaj iniciativës socialiste për hetimin e plotë, përfundimtar dhe pa kushte të zgjedhjeve të trukuara të 28 qershorit, është vija që ndan dy botë; të shkuarën tonë problematike me të nesërmen e garantuar.

Rrëzimi i këtij projekti do të ishte një hap mbrapa me pasoja. Nëse ju merrni këtë vendim çështja nuk shtrohet më se çfarë ndodhi me zgjedhjet e qershorit, por se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet e pritshme.

Pas kësaj do të duhet të themi me zë shumë më të lartë, do të reagojmë shumë më fuqimisht sepse zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik, liria e votës mbetet e dhunuar, demokracia mbetet seriozisht e kërcënuar.

(*)Fjala e mbajtur sonte në Kuvend

Më shumë mbi argumentin:

Ruçi Berishës: Këmbët në tokë, mendjen në kokë

Majko: Hetimi, që të mos abuzohet më

Kryeministri: Hetimi i zgjedhjeve, në prokurori

Berisha: PS, gjyq komisionerëve të saj

Dokle: Harta e krimit elektoral, e gjerë

Xhafaj: S'ka kufizim ligjor për të mos hapur kutitë

KOMENTE