Tiranë, 18 mars, NOA - Rreth 140 lekë do të jetë rritja e kompensimit të energjisë elektrike për familjet në nevojë, sipas vendimit të fundit që ka marrë ministria e Punës në bashkëpunim me ministritë e linjës, ajo Energjetike dhe e Financës.
Lajmi është dhënë sot për mediat nga ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili ka deklaruar se tashmë ka përfunduar vendimi për kompensimin e energjisë elektrike, pas rritjes që iu bë çmimit më 1 janar të vitit 2010.
"Këtë javë do e dorëzojmë vendimin në qeveri dhe kompensimi do të jetë 640 lekë për çdo familje, e cila është përfshirë në kategoritë e përcaktuara tashmë. Bëhet fjalë për familjet me të ardhura të pakta, pensionistët, invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar", u shpreh ministri Ksera.
Kompensimi i energjisë është pjesë e planit social të veprimit për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit për çështjet sociale në bazë të traktatit për komunitetin e energjisë ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Ky memorandum vjen pas unifikimit të çmimit të energjisë në tregun evropian.
"Ky treg na detyron që të unifikojmë çmimin e energjisë por nga ana tjetër me anë të memorandumit ne garantojmë mbrojtjen e kategorive në nevojë", tha Ksera.
Që nga 1 janari, qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë për konsumin e energjisë elektrike pasi çmimi i saj u rrit me 13 për qind, sipas vendimit të Entit Rregullator në dhjetor të vitit të shkuar.
Qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliard lekë për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike duke garantuar në këtë mënyrë kompensim 100% të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë.
b.a/NOA