English

G99: Raportet e të huajve, këmbana alarmi

Tiranë, 18 mars, NOA - Lëvizja G99, ka reaguar sot në lidhje me të dhënat që përmbaheshin për Shqipërinë në raportin vjetor të Britanisë së Madhe për të Drejtat e Njeriut.

Përfaqësuesit e saj, i kanë cilësuar vlerësimet që bëheshin për vendin tonë në radhët e këtij raporti si mjaft negative, duke përbërë kështu "kambana alarmi për qeverinë".

"Sipas raportit në fjalë, korrupsioni në Shqipëri është shpërndarë gjerësisht në të gjitha hallkat e shtetit dhe shoqërisë, dhe puna e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit është e mangët", citohet në qëndrimin publik të G99, lidhur me këtë raport.

Nsërsa shtohet se raporti gjithashtu thekson se gjatë vitit 2009 ka pasur shumë raste të sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe presione të ushtruara ndaj mediave të pavarura, sidomos në periudhën përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme".

Në fund, preket edhe çështja e zgjedhjeve të parlamentare të 28 qershorit, duke pohuar se "raporti thotë se ato nuk u përputhën me standartet më të larta demokratike".

"Edhe njëherë ndërkombëtarët po i tërheqin vërejtje shumicës qeverisëse, duke kërkuar transparencë të zgjedhjeve, si dhe konsensus në nivelin politik që do të mundësonte kryerjen e zgjedhjeve demokratike në vend", citohet në qëndrimin e Lëvizjes G99.

n.e/NOA

KOMENTE