Deklarimi i një të riu në realit show "Big Brother Albania" se ishte homoseksual dhe përkrahja ndaj tij por edhe kritikat e shumta kanë ndezuar luftën e opinioneve në vend. Në Lezhë, sikundër raportoi NOA, u zhvillua një protestë antigay kurse në Tiranë, shoqata në mbrpjtje të kësaj kategorie iu kundërvu duke kërkuar tolerancë. Sakaq në emisionin ku "u zbulua" Klodi, ambasadori amerikan Xhon Uidhers dhe ambasadori holandez që vjen nga vendi ku lejohen martesat gay, u shprehën pro homoseksualëve duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Më poshtë lexoni replikat mes dy opinionistëve mbi argumentin
Ku na çon kjo mushkë
Gjokë Vata*
Gazeta Korrieri në numrin e sajë të datës 15 Mars 2010 botoi shkrimin e Z Fatos Lubonja me titullin: "Unë jam homoseksual". Unë si qytetar i këtij vendi dëshiroj e besoj kam të drejtë me e ditë përse ky zotni e merr në mbrojtje atë homoseksualizmin që si pas së drejtës së mendimit të lirë dikush e quan "Prirje" e unë ves. Këtu unë nuk do të ndalem në mbrojtjen e përcaktimit tim a po të tjetrit, por mue e njerëzve të qëndrimit tim ndaj homoseksualizmit na intereson me ditë përse u dashka me u deklarue homoseksuali publikisht si të deklaronte nji heroizëm të tij, kur në fund të fundit po të mbetej nji çështje personale do të shmangej buja e ndikimi i sajë. Prandej lindë pyetja e çuditshme: cila ashtë ana pozitive e këtij deklarimi?! E nëse ashtë negative që nuk ka si meqenë ndryshe cilës dobi i shërben vetëshpallja publikisht:" Unë jam homoseksual?! Unë mendoj se një deklaratë të tillë nuk ka asnjë arsye me e ba asnji djalë: "Mue më pëlqejnë vajza e asnji vajzë mue me pëlqejnë djemtë. " E jo ma nji homoseksual preferencën e tij apo të sajë seksuale. Mbasi nji preferencë e tillë nuk i hynë punë askujtë veç atyne që e shprehin. Për ata që e njohin mirë formimin e qytetarisë së virtytëshme e kanë të qartë se nji deklarim i këtij dhoji i përhapë namë të keq deklaruesit e deklarueses, sepse edhe sikur të mos kishte asnji të keqe tjetër, kjo ashtë e keqja ma e madhe antifamilje. E këtë nuk ma merr mendja se mundet me dalë me e mohue asnji njeri. E qëllimi i këtij daklarimi ashtë me ndikue tek të tjerët ndjekjen e asajë rruge të pamoralshme. . Homoseksualizmi nuk ashtë nji meritë që të banë me rrahë gjoksin por diçka që mbartësi i njeriut i të së ashtuquetunës " Prirje", duhet ta mbajë vetëm e vetëm brenda kokës mbasi e drejta e nji ushtrimit të tillë nuk fitohet më vetshpallje as përpara nji rrethi sado të ngushtë e aq ma pak para ekraneve televizive. E janë shumë gabim ata qe mendojnë se sa ma i madh të jetë numri i hompseksualve shqiptar, aq ma parë e ma lehtë pranohemi në Europë. Jo zotni, Europa vërtetë e qytetnueme familjen e ka të shejtë e janë vetëm këto familje që meritojnë me u quejtë të qytetnuemet e europës e këte fakt e vërteton ma s'miri mosbamja e referendumeve që do të mundë të sanksiononte demokratikisht vendimin me ligj të mbrojtjes të homoseksualëve. Ligjet kundra cilit do diskriminim qoftë janë njerëzor, por të mos diskriminosh, nuk do të thotë të inkurajosh të pa dejën për inkurajim e cilido qoftë ky inkurajim i gabuem e mbase edhe i fajshëm Atyne do të duhej tu mjaftonte antidiskriminimi e jo ta shfrytëzojnë bamjen e këtij lëshimi në veprimtari propagandistike përkundrazi atyne do të duhej tu vijë keq për vehte që e shkojnë jetën dam pa familje si pjesa tjetër e shoqnisë njerëzore biles edhe do të duhej të banin përpjekje me hy në jetën e botës familjare Z. Lubonja e konsideron " Mbeturinë të komunizmit mos pranimin e legalizimit të homoseksualizmit. Jo Zotni, kjo nuk ashtë mbeturim e komunizmit i cili shtirej në mënyrë hipokrite si mbrojtës i ndonji ane morale përë hirë të përfitimit të kapitalit politik, por ashtë parimi i të gjitha besimeve fetare e ajka e thelbit të filozofisë ma të përparueme në mbrojtje të kultivimit e të zhvillimit të kulturës familjare që mundet me na prij drejtë progresit. Mbrojtja e së drejtës së propagandimit të homoseksualizmit, shklet të drejtën e atyne që propagandojnë formimin e nji familje sa ma të dlirtë. Kjo do të ishte njisoj si me botue shkrimet në mbrojtje të homoseksualizmit e me çensurue shkrimet që nuk janë pro homoseksualizmit E ajo që i jep të drejtë edhe së mirës edhe së keqes nuk ka si me u quejtë demokraci sepse ajo që nuk favorizon as të keqen, as të miren i jep mundësi së keqës me e mposhtë të mirën ngase po tu lashë rrugë të lirë të dyjave, e mira ecë, ndërsa e keqja vrapon. E përsa i përket atij turisti gjerman që e paska indinjue protesta nuk duhet të pretendojë me e ba qendrimin e tij të tonin. Ne jemi të asajë tolerance që na sugjeron arsyeja e njëjtë me arsyen e të gjithë njerëzve që e vlerësojnë moralin si i ka hije ketij virtyti. . Kur shpalljen e homoseksualizmit nuk e denoka demokracia, përse ta denojë protesten kundra tijë?! Në pasdrekën e datës 12 të këtij mueji, në emisionin " La vita in diretta" " jeta drejtë përë drejtë" që transmeton Rai Uno u debatue problemi i homoseksualizmit si njani nga problemet ma preokupuese të shoqnisë njerëzore e vetëm homoseksualët pjesmarrsa në atë debat u përpoqën me e mbrojtë preferencën e tyne. Mos vallë demokracia jonë ka arritë aty ku mundet me e justifikue ma lehtë mbrojtjen e homoseksualizmit?! Ne nuk duhet ta nxisim kurreshtjën e keqe që mundet me u ba shkak i keqformimit të rinisë tonë pa përvojë të mjaftueshme me ecë nëpër rrugën që i nevojitet. Jetës i nevojitet dlirsia familjare e falimjes i nevojitet jeta e dlirtë. Prandej le të punojmë për me ja arritë ketij qëllimi e jo për rrenimin e këtij synimi. . Përpjekja ma e dobishme ashtë ajo që ngulmon në asgjasimin e ndikimeve të këqija për ndryshe, " Ku na çon kjo mushkë"?!
(*)Autori ka shkruar me gjuhë dialektore
Lexoni si nisi replika:
Jam homoseksual
Duhet investim në shkollim e edukim, për t'i nxjerrë njerëzit nga injoranca dhe mjerimi shpirtëror dhe kulturor ku janë zhytur. Protestuesit në Lezhë, që kujtojnë se po mbrojnë nderin e qytetit e të Shqipërisë, duhet të ndërgjegjësohen se i kanë dhënë qytetit të tyre imazhin e një qyteti barbarësh e injorantësh, ku nesër e mbrapa do t'i zërë frika të shkelin edhe shqiptarët e qytetëruar e jo më evropianët
Nga Fatos Lubonja Është e dyta herë që në qytetin e Lezhës një grup jo i vogël personash, kryesisht të rinj, por jo vetëm - sipas disa mediave deri në 400 vetë - demonstrojnë kundër një personi të vetëm, Klodit, i cili në emisionin Big Brother të Top Channel, paska guxuar të deklarojë se është homoseksual. "Klodi ka njollosur qytetarinë lezhjane dhe kombin shqiptar", "Lezha nuk e meriton njollën e homoseksualitetit", "Klodi nuk është lezhjan", "Klodi nuk duhet të shkelë më në Lezhë dhe as në Shqipëri, por andej nga e ka marrë këtë eksperiencë, në Itali, sepse nuk duam që ky fenomen të ndikojë tek fëmijët tanë" - janë disa nga deklaratat që lëshojnë, si pa të keq, nëpër media. Kërkojnë, pra, që Klodi të zhduket jo vetëm nga skena e televizionit, por edhe nga qyteti i Lezhës dhe Shqipëria dhe s'do të rreshtin së protestuari derisa ta arrijnë këtë. Duken të sigurt, pa pikën e dyshimit se mund të jenë duke bërë ndonjë punë të keqe. Pamjet dhe fotot e tyre të kujtojnë ngazëllimin e fanatikëve në Mesjetë, që galdonin duke parë heretikët të digjeshin në turrën e druve. Mund t'i përfytyrosh me lehtësi se do të shkonin me krenari të shtonin ndonjë dorë lëndë që flaka të bëhej edhe më tmerronjëse nën këmbët e një homoseksuali të djegur nën turrën e druve. Në vështrimin e parë mund të të kapë inati dhe ndjenja e përçmimit ndaj tyre, duke parë se me çfarë paturpësie, arrogance dhe lehtësie nxitojnë t'ia bëjnë ferr jetën një njeriu që s'u ka bërë asgjë përveçse ka guxuar ta deklarojë prirjen e tij seksuale. Por, problemi nuk janë ata. Problemi është se këtyre të rinjve, dhe jo vetëm, as nuk u shkon ndërmend se janë pamja e mjerimit të shoqërisë shqiptare të shekullit XXI. Problemi i vërtetë është bash ky mjerim dhe pavetëdija për të. Ata njerëz, me reagimin e tyre tregojnë se sa e izoluar nga bota e qytetëruar ka mbetur Shqipëria, se çfarë niveli edukimi kanë të rinjtë tanë, e jo vetëm, por edhe se çfarë pune është bërë nga të rriturit për ta futur në shoqërinë tonë kulturën e respektimit të të drejtave të njeriut njëzet vjet pas daljes nga regjimi i dhunimit "par excellence" të këtyre të drejtave. Nuk e di nëse i ka instrumentalizuar kush këta protestues - jam i sigurt që dikush qëndron prapa tyre - por, ashtu siç e ka provuar tashmë historia e çdo diskriminimi, sjellja e tyre e dhunshme është gjithashtu shenjë se këta njerëz jetojnë në një shoqëri me frustracione të thella. Zgjedhja e një viktime për ta dhunuar kësisoj është shenjë e dhunës, brutalitetit dhe injorancës që ushtrohet mbi ta. Dikush ka ngritur me të drejtë pyetjen: pse këta bandillë nuk protestojnë për varfërinë që po i mbytë, pse nuk protestojnë për shkatërrimin ekologjik që po i bëhet rrethit të tyre e me radhë. Po pikërisht pse nuk protestojnë dot për këto, ngase nuk dinë dhe nuk mundin, protestojnë kundër homoseksualit Klodi. Shkaqet e kësaj homofobie janë deri diku të kuptueshme po të kemi parasysh se vijmë nga një regjim totalitar që i mbajti shqiptarët për gjysmë shekulli të izoluar nga çdo gjë që ishte e ndryshme nga modelet që predikonte ideologjia nacional-komuniste e Enver Hoxhës, madje që erdhi duke u barbarizuar nga dekada në dekadë. Të gjithë e kujtojmë se si na është kallur në ndërgjegje homofobia në atë kohë edhe nëpërmjet kulturës dhe vetë gjuhës, edhe nëpërmjet faktit se dënohej me burgim të rëndë. Dihet po ashtu se homofobia ka rrënjë edhe më të thella sesa komunizmi Por, jam i bindur se edhe para diktaturës, edhe në kohën e diktaturës, shqiptarët do të tregoheshin shumë më të kujdesshëm në manifestimin e ndjenjave të tilla kaq linçuese ndaj një homoseksuali. Kjo që pamë në Lezhë është diçka që flet për një barbarizim dhe analfabetizim dramatik të shoqërisë. Të duket sikur në Lezhë të mos ketë më shkolla e mësues, as shoqëri civile as kisha e xhamia e priftërinj e hoxhallarë, dhe as politikanë. Ose që këta janë në një nivel të mjeruar. Prandaj gjykoj se edhe nëse është e kuptueshme kjo sjellje, kur ke parasysh të kaluarën, ajo është skandaloze po të kesh parasysh se tash njëzet vjet aspirojmë të bëhemi pjesë e një bote ku sjellje të tilla ndaj një individi homoseksual as nuk imagjinohet se mund të kryhen edhe nga grupet më fashistoide. Gjykoj se sjellja e këtyre të rinjve, dhe parullat e tyre publike ndaj Klodit dhe familjes së tij, janë akte linçimi ndaj të cilave duhet të reagojë jo vetëm moralisht shoqëria, por edhe ligjërisht shteti i së drejtës. Ato janë shkelje e parimeve bazë kushtetues, të të drejtave të njeriut. Personalisht, nuk kam ndonjë ndjeshmëri ndaj atij që quhet "imazh" apo "përmirësim i imazhit të Shqipërisë", pasi jam kundër kulturës së aparencës që është aq e përhapur në shoqërinë tonë, ku njerëzit ndryshe shfaqen me të huajt e ndryshe me njëri tjetrin. Por, në këtë rast është mirë që elita shqiptare, ajo politike kryesisht, që flet aq shumë për hyrjen në Evropë, për rezultatet që ka arritur në procesin e integrimit, të reagojë ndaj demonstrimesh të tilla që e dëmtojnë imazhin e Shqipërinë ndoshta edhe më shumë sesa dhuna e konfliktualiteti politik, apo mungesa e drejtësisë. Ajo që po ndodh në Lezhë tregon se nuk mjafton të bësh një ligj për heqjen e dënimit të homoseksualitetit, apo që lejon martesat e homoseksualëve për t'u bërë pjesë e familjes evropiane të shekullit XXI. Për këtë duhet investim në shkollim e edukim, për t'i nxjerrë njerëzit nga injoranca dhe mjerimi shpirtëror dhe kulturor ku janë zhytur. Në këtë kontekst, organizatorët e protestave në Lezhë, që kujtojnë se po mbrojnë nderin e qytetit e të Shqipërisë, duhet të ndërgjegjësohen se i kanë dhënë qytetit të tyre imazhin e një qyteti barbarësh e injorantësh, ku nesër e mbrapa do t'i zërë frika të shkelin edhe shqiptarët e qytetëruar e jo më evropianët. "Lezhë, I will never visit again! A German tourist in Albania. Shame on you" (Lezhë, nuk do të të vizitoj kurrë më. Një turist gjerman në Shqipëri. Turp të keni!) Ky ishte një nga shënimet që gjeta në internet si koment të lajmit mbi protestat në Lezhë. Prandaj, gjykoj se gjithkujt që kërkon t'i mbrojë ato vlera të cilat na u dhunuan aq egërsisht në diktaturë, siç janë liria për të qenë vetja jonë, për të shprehur mendimin ndryshe, duhet t'i dalë në mbrojtje Klodit. Gjithkush duhet të thotë me zë të lartë - "Jam homoseksual", për t'i bërë ballë kësaj vale barbare sa nuk është vonë. Dhe, kush mendon se kjo barbari kërcënon vetëm homoseksualët, me të cilët ai s'ka të bëjë, gabohet shumë. Ajo është një kërcënim për lirinë e kujtdo.