Madrid, Spanjë, 18 Mars NOA - Ylli i Realit të Madridit Rikardo Kaka duket se nuk po shkëlqen më dhe kohët e arta të tij tek ekipi kuq e zi i Milanit duket se tashmë janë harruar.
Kaka ka folur në lidhje me këtë moment të vështirë që po kalon, duke hedhur fajin për këtë mbi dëmtimet e tij.
"Kur erdha nga Milani po vuaja një dëmtim dhe kjo gjë më ka kushtëzuar gjatë këtij sezoni pasi u kthye në diçka kronike dhe nuk më ka lejuar të ambientohem me skuadrën e Realit", - deklaroi Kaka.
Braziliani gjithashtu shtoi se ai në fillim e ka pasur disi të vështirë ambientimin në qytetin e Madridit dhe kjo është një arsye tjetër sipas tij për këtë rendiment jo të pëlqyeshëm nga të gjithë tifozët e këtij ekipi.
Me sa duket janë këto arsyet për të cilat Kaka tashmë po humbet besimin tek talenti i tij dhe këtë gjë e ka pranuar dhe vetë lojtari.
r.b/NOA