English

Klosi: Sot zgjidhja e krizës, ose fundi i qeverisë

Tiranë, 18 mars, NOA - "Zhvillimi i ngjarjeve politike pasditen e sotme do të shënojnë dhe fatin politik të kryeministrit Berisha". Ky është vlerësimi për situatën politike, pak orë para fillimit të seancës parlamentare, nga Partia Socialiste.

Në një deklaratë për shtyp, deputetit i PS-së, Blendi Klosi ka bërë apel, por edhe ka lëshuar ultimatume për zgjidhjen e situatës politike, duke deklaruar se seanca e sotme është afati i fundit për zgjidhje parlamentare të krizës politike. Klosi ka theksuar se nëse nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve, PS-ja dhe populli do të kërkojnë largimin e qeverisë.

"Sot kur na ndajnë veçse pak orë nga seanca plenare, kur na ndan veçse një ditë nga vizita e komisionerit për zgjerim të BE, teksa të gjithë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar presin që klasa politike shqiptare të tregojë pjekuri e përgjegjshmëri. Sot në ditën e fundit të të gjithë ultimatumeve euroatlantike për zgjidhjen e krizës i bëjmë dhe një herë thirrje Berishës dhe mazhorancës së tij që të reflektojnë e të mos bëhen pengesë për arritjen e një zgjidhjeje institucionale të krizës", u shpreh deputeti i PS-së, Blendi Klosi.

Ai u shpreh se në seancën e sotme kryeministri Berisha ka mundësinë t'i tregojë shqiptarëve e "nëse ky parlament do të damkoset përgjithnjë si parlamenti i Ruzhdies, apo si parlamenti që e ndau Shqipërinë njëherë e mirë nga praktikat zullumqare të vjedhjes së zgjedhjeve".

Klosi është shprehur se mazhoraca ka rastin të tregojë sesa seriozisht i ka deklaratat për integrimi e vendit.

"Dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke lejuar një hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, jo për efekt mandatesh, por për efekt të transparencës dhe parandalimit të zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen. Është kjo një përgjegjësi e madhe, që do të rëndojë shumë mbi Berishën në historinë e tij politike, prandaj në emër të Partisë Socialiste e ftojmë edhe njëherë që të bëjë zgjedhjen e duhur të lejojë ai dhe mazhoranca e tij hetimin e plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive", u shpreh Klosi.

Krahas apelit, nga selia rozë nuk kanë munguar dhe ultimatumet dhe kërcënimet për protesta. "Jepini fund kësaj krize zoti Berisha. Në të kundërt do të përballeni me përpjekjet e vendosura e të pandërprera të popullit opozitare që kërkon fundin e qeverisë tuaj", u shpreh Klosi.

m.xh/NOA

KOMENTE