Tiranë, 18 mars, NOA - Për Partinë Socialiste, deklarata e djeshme e kryeministrit, Sali Berisha për kontrollin e bizneseve është një tjetër sulm i qeverisë ndaj biznesit. Në një deklaratë për mediat, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli u shpreh se kjo deklaratë është jashtë normave të tregut të lirë dhe cenon klimën e biznesit në vend. Kodheli shtoi se kjo masë e qeverisë merret në mometet më të këqija të situatës ekonomike në vend.
"Dje Sali Berisha vendosi t'i hakërrehej edhe njëherë biznesit. Pikërisht në këtë moment, në kulmin e krizës politike dhe ekonomike që po kalon Shqipëria, Sali Berisha vendosi ta mbyllë edhe më shumë hapësirën për frymëmarrje të biznesit shqiptar", u shpreh Kodheli.
Ajo theksoi se projektligji i propozuar nga qeveria është refuzuar më parë nga komunitetit i biznesit në vend. Sipas, Kodhelit, me këtë vendim qeveria ka shkelur dhe e drejta e bizneseve për tu ankimuar në gjykatë.
"Edhe pse i refuzuar nga komuniteti i biznesit muaj më parë, Sali Berisha, me kokëfortësi, këmbënguli dje në vendimin për të vjelë gjobat edhe në ato raste kur gjobat apelohen në gjykatë. Pra, edhe kur gjykata ende nuk është shprehur nëse një gjobë është e ligjshme apo jo, e rregullt apo e gabuar, sërish qeveria e Sali Berishës kërkon të marrë paratë, pavarësisht vendimit të gjykatës", u shpreh ajo.
Në emër të PS-së, Kodheli ka shtuar se qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në botën e biznesit, duke qenë se situata ekonomike nuk është e favorshme për investimet.
"Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë së votave të vjedhura, të tregohet e kujdesshme me biznesin vendas dhe atë të huaj, sidomos në këtë moment kaq delikat që po kalon ekonomia shqiptare. Deklarata e djeshme e Kryeministrit të Ruzhdies, nuk mund të shihet ndryshe veçse si sulmi i radhës ndaj komunitetit të biznesit shqiptar", u shpreh Kodheli.
m.xh/NOA