English

Kryeministri: Hetimi i zgjedhjeve, në prokurori

Tiranë, 18 mars, NOA Update - Shteti ligjor i ka të gjitha instrumentat e duhura për të hetuar zgjedhjet, por Kuvendi nuk mund ta bëjë këtë dhe deputetët e tij nuk janë prokurorë, e një gjë të tillë e ka pohuar vetë Gjykata Kushtetuese.

Kështu e ka sqaruar kryeministri Sali Berisha pozitën e organit legjislativ në situatën kur i kërkohet me çdo kusht nga socialistët hetim mbi provat për të ashtuquajturin "krim elektoral" dhe hapje e kutive të votimit.

"Ne bëjmë një ligj ku t'i themi prokurorisë që të paguajë 100 prokurorë vetëm ta përshpejtojë procesin e hetimit të zgjedhjeve. Por ju duhet që t'i drejtoheni asaj nëse keni prova për manipulime dhe jo Kuvendit apo mazhorancës", iu tha Berisha deputetëve socialistë.

Duke shtuar më pas se opozita nuk e do një gjë të tillë në fakt, pasi nuk zotëron provat për atë që e quan "krim elektoral".

"Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se hetimin e zgjedhjeve nuk mund ta bëjë parlamenti. Drejtohuni në prokurori, ne nuk kemi frikë nga hetimi, se po të kishim nuk u jepnim shumicën në komisionin hetimor. Oferta jonë është shumë e ndershme dhe e sinqertë", theksoi ndër të tjera kreu i mazhorancës.

n.e/NOA

KOMENTE