English

Mbanin çifte pa leje, arrestohen

Korçë, 18 mars, NOA - Dy armë gjahu dhe dhjetëra fishekë u janë kapur dy personave që i përdornin ato pa leje, duke bërë që forcat e policisë të ndërmarrin një aksion për ndalimin e tyre në flagrancë.

Bëhet fjalë për Blerim Xhutin, 25-vjeç, banues në fshatin Zvezdë të Korçës dhe Arben Lilo, 23-vjeç, banues në fshatin Pojan të Korçës; që të dy të ndaluar për "Prodhim dhe mbajtje pa leje të municioneve luftarake".

Kontrolli ndaj tyre është ushtruar në hyrje të fshatit Bregas, në mjetin e tyre tip Nissan me targë NBH 3873, aty ku edhe u gjendën në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke prodhim rus dhe një armë gjahu shotgun, si edhe dhjetëra fishekë gjahu.

Nga ana e policisë u kryen veprimet e nevojshme proceduriale dhe materialet do t'i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE