English

Nga Ruzhida në Bathore

"Në Ruzhdie u bënë falsifikimet me regjistrat e votimit, që ndryshojnë nga regjistri civil dhe shpërndanë votuesit e një familjeje në dy dhe tre qendra votimi. Katër pjesëtarë të një familjeje në Bathore u degdisën në katër regjistra"

Nga Namik Dokle/ Foto: NOA/LSA

Deputet i PS

Jemi sot të gjithë përpara një sfide dhe një dileme. Kërkohet hapja e një porte europiane për lirinë e votës, si bazë e të gjitha lirive; për të drejtën e votës si çelësi i të gjitha të drejtave; për të vërtetën e votës, si armike e të gjitha gënjeshtrave dhe manipulimeve. Mund të mbajmë këtu fjalime kilometrike me citime politikanësh, apo ligjvënësish me paragrafe traktatesh, apo rezolutash.

Por njerëzit e thjeshtë, me ndjesi të qartë europiane, pa hyrë në labirintet apo grackat tona, bëjnë sintezën e gjithë asaj që ndodhi më 28 qershor 2009:

Kush të vjedh votën- të vjedh edhe lopën!

Kush të fsheh kutinë- të grabit e të djeg edhe shtëpinë.

Sot është dita të zgjedhim midis dritës europiane të transparencës dhe territ elektoral, sot është dita të zgjedhim midis demokracisë europiane dhe masakrës elektorale. Sot, sepse nesër do të jetë vonë!

Akoma dua të besoj në arsyen dhe dëshirën e mirë të të gjithëve për ta bërë Shqipërinë si Europën.

Por besimi i njerëzve tronditet nga ngjarje dhe reagime që nuk mbajnë aromë Europe, por erën e rëndë të mykut të shpellave! Në ditën që komisioni parlamentar i ligjeve filloi shqyrtimin e projekt ligjit të opozitës për transparencë të plotë dhe të pakufizuar të zgjedhjeve, në fshatin Ruzhdie të Fierit, përfaqësuesi zgjedhor i Partisë Demokratike përdori dhunën kundër përfaqësuesit zgjedhor të Partisë Socialiste.

Kjo ishte simbolika e masakrës elektorale të qeverisë, e dhunës dhe e krimit kundër votës së lirë që maxhoranca ka përdorur dhe vazhdon të përdorë sot e gjithë ditën; e presionit mediatik dhe presionit për bukën e fëmijëve ndaj opozitarëve, e veprimeve dhe mashtrimeve antikushtetuese dhe antidemokratike!

Rasti i Ruzhdies është vetëm një pjesë e vogël e krimit elektoral, tashmë të vërtetuar katërcipërisht, jo vetëm në atë qendër votimi. Të zhytur në terrin elektoral, kryeministri, qeveria dhe tellallët brenda e përreth saj nuk e pranojnë dritën e transparencës, nuk pranojnë hapjen e kutive, sepse e dinë mirë çfarë kanë ato.

Ai që akuzohet për vjedhje, kur është i ndershëm, tregon xhepat!

Kurse ne e kërkojmë transparencën dhe hapjen e kutive që masakra elektorale të mos përsëritet më! Një parlamentar europian e quajti të frikshme atë që ka ndodhur në Ruzhdie. Por harta e krimit elektoral është shumë më e gjerë, shumë më e tmerrshme.

- Në Ruzhdie 94 persona që kurrë nuk kanë patur pasaportë, figurojnë sikur kanë votuar me pasaportë. Po kështu kanë votuar edhe mijëra të tjerë në Kamëz, Shkodër, Kukës, Elbasan, Durrës etj.

- Në Ruzhdie 173 persona që nuk kanë aplikuar kurrë për kartë identiteti, rezultojnë sikur kanë votuar me kartë identiteti. Me mijëra të tillë rezultojnë në Bathore, Dibër, Mirditë, Kavajë, Malësi e Madhe, Devoll etj.

- Në Ruzhdie 80 hajdutë votash votuan në vend të emigrantëve që nuk kishin ardhur fare në Shqipëri. Kështu ndodhi edhe në Paskuqan, Lezhë, Laç, Shijak, Librazhd, Pogradec etj.

- Në Ruzhdie u bënë falsifikimet me regjistrat e votimit, që ndryshojnë nga regjistri civil dhe shpërndanë votuesit e një familjeje në dy dhe tre qendra votimi. Katër pjesëtarë të një familjeje në Bathore u degdisën në katër regjistra!

- Në Ruzhdie, komisionerët e PD- së dhe manipulatorë të tjerë të vullnetit të lirë të zgjedhësve, fallsifikuan 376 firma dhe mbushën kutitë me vota. Si guxuan, ku e morën kurajon?! Nuk do të guxonte kurrë kryetari i komisionit në Ruzhdie të fallsifikonte 32 herë firmat e zgjedhësve, po të mos kishte licensën e qeverisë! Nuk do të guxonin ta bënin këtë edhe qindra të tjerë në gjithë vendin, po të mos e dinin se kryetari i KQZ- së do të vinte në dyshim dhe do të hidhte në votim, atë që parlamenti e kishte votuar në Kodin Zgjedhor për hapjen e kutive, kur këtë e kërkojnë qoftë edhe dy komisionerë. Kështu ndodh, kur nuk i bindesh Kushtetutës, por e lexon atë në ish Kinemanë "17 Nëntori"! .

Shqiptarët e dinë shumë mirë tashmë se çfarë ndodhi më 28 qershor! Çdo ditë e më shumë po e kuptojnë edhe ndërkombëtarët që po bashkohen me kauzën tonë për transparencë.

Edhe më mirë e dinë ata që e menduan, projektuan dhe e zbatuan krimin elektoral, duke filluar me kryeminsitrin, ministrat, deputetët dhe duke përfunduar në gjithfarë vagabondësh elektoralë. Prandaj të gjithë në një korr, bërtasin dhe nuk pranojnë hapjen e kutive, shkelin vetë, apo edhe me thundrat e kalit, mbi të drejtën dhe lirinë e votës.

Dhe të gjithë kanë një sllogan: "Nuk na lejon Kushtetuta". Aspak e vërtetë! Objekti i hetimit parlamentar të kërkuar nga Partia Socialiste, është krejt i ndryshëm nga objekti i shqyrtimit gjyqësor të Kolegjit Zgjedhor. Ky objekt ka të bëjë me transparencën si element kyç i demokracisë dhe mbështet në përvojat demokratike në SHBA, Itali, Rumani, Kosovë etj.

E vërteta juaj nuk ka të bëjë me kushtetutën. Terri elektoral që përpiqeni të impononi, është pjesë e përdorimit okult të gjithë pushtetit.

Ju e përdorni pushtetin mbi shtetin, dhe shkelni në kompetenca të drejtësisë, prokurorisë, madje edhe të vetë Presidentit që keni zgjedhur.

Ju përdorni pushtetin për të grabitur pronat e shqiptarëve që nga Gjiri i Lalzit, apo Lalës e deri në brigjet e Orikumit e të Jalës.

Ju e përdorni pushtetin për të fshehur të vërtetat tragjike të shpërthimit në Gërdec dhe të shembjes së tunelit në Kalimash.

Ju e përdorni pushtetin për të varfëruar Shqiptarët me fatura të frikshme për ushqime, drita, karburant, shëndet e arsim.

Ju e përdorni pushtetin për tu vënë lakun biznesmenëve, punën e nderuar të të cilëve, për ndërtimin e Shqipërisë, e keni kthyer në punë skllavëruese, të papaguar për miliona e miliona euro.

Ju e përdorni pushtetin për të komanduar mediat, për tu bërë fresk juve dhe për t'u servirur shqiptarëve broçkulla pa llogari, derisa një ditë arriti TVSH-ja të na thotë se janë zhdukur gjurmët e shpërthimit në Gërdec! O tempora, o mores!

Janë zhdukur gjurmët e 26 vrarëve?! Janë zhdukur plagët e pleqve e të nuseve të djegura?! Është zhdukur tmerri i fëmijëve që ende ngrihen në mesnatë të frikësuar?!

Atë tmerr që edhe dielli ndaloi për ta parë, nuk e shikon televizori që paguhet nga varfëria e shqiptarëve, televizioni që nuk do të trazojë pasuritë dhe zullumet e qeveritarëve.

Dhe zullumet në përdorimin e pushtetit janë bërë aq të mëdha, aq të paskrupullta, sa ju duket se do të qëndroni përgjithnjë hipur mbi kalë.

Por ka një rregull demokracia: ata që mendojnë se ia kanë hipur përjetësisht kalit, shumë shpejt populli i dërgon të mbajnë bishtin e gomarit!

(*)Fjala e mbajtur sonte në Kuvend

Më shumë mbi argumentin:

Ruçi Berishës: Këmbët në tokë, mendjen në kokë

Majko: Hetimi, që të mos abuzohet më

Kryeministri: Hetimi i zgjedhjeve, në prokurori

Berisha: PS, gjyq komisionerëve të saj

Dokle: Harta e krimit elektoral, e gjerë

Xhafaj: S'ka kufizim ligjor për të mos hapur kutitë

KOMENTE