English

Një masterplan për Tiranën

"Ky Masterplan dhe projektet kryesore të përfshira në të posaçërisht për vitin 2010 dhe 2011, do të ekspozohen në pavijonin transparent që ne e kemi ndërtuar si një strukturë të përkohshme në sheshin "Skënderbej " në prill të këtij viti"

Nga Edi Rama

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

Tirana e transformuar është një qytet, si çdo qytet që jeton përditë me shtysën e brendshme për zhvillim dhe që zhvillohet përditë sajë ambicies dhe energjisë të qytetarëve të vet, është sot përball sfidës së zgjidhjeve për atë që përbën një prej elementëve më të rëndësishëm të jetës së vet të përgjithshme, transportin.

Transporti, si një element i cili duhet të jetë pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm të kryeqytetit, si një element i cili është bërë natyrshëm pjesë e përgjegjshmërisë sonë me të gjitha problemet e veta, që kërkojnë zgjidhje të cilat ky Masterplan zhvillimi për transportin e qëndrueshëm në qytetit e Tiranës i jep sajë kompetencës të gjithë ekspertëve të huaj dhe vendas të përfshirë në këtë punë voluminoze për të përballuar këtë sfidë së bashku.

Dëshiroj ta ritheksoj se diçka që është e njohur së fundmi për opinionin publik se në prioritetet e vendosura nga qytetarët e Tiranës falë pyetësorit të bërë prej nesh si çdo vit për vitin 2009, transporti hynte si një ndër tre prioritetet kryesorë, krahas infrastrukturës dhe nevojës për rritje të mëtejshme të përmasës së gjelbër të kryeqytetit.

Në këtë kontekst unë besoj se gjithë puna e kryer gjatë vitit 2009 me mbështetjen e çmuar të BERZH dhe me asistencën e huaj teknike të mundësuar prej kësaj Banke është sot në një moment ku mund të themi se vërtet i kemi te gjitha arsyet për ta parë të ardhmen të sigurt, se kemi në dorë zgjidhjen, kemi në dorë zgjidhjet në lidhje me lëvizjet, trafikun, kemi në dorë zgjidhjet në lidhje me transportin publik, kemi në dorë zgjidhjet me të gjithë infrastukturën e lëvizjes dhe transportit dhe kemi në dorë zgjidhjet lidhur me nevojën për një inovacion dhe për teknologji të reja të transportit drejt këtij zhvillimi të qëndrueshëm të tij, që sot është një domosdoshmëri.

Masat e hartuara në këtë Masterplan janë komplekse, janë të integruara janë efikase për të gjetur zgjidhje për probleme që janë pjesë e një përpjekje afatgjatë.

Dua të vë theksin tek fakti se ky Masterplan dhe projektet kryesore të përfshira në të posaçërisht për vitin 2010 dhe 2011, do të ekspozohen në pavijonin transparent që ne e kemi ndërtuar si një strukturë të përkohshme në sheshin "Skënderbej " në prill të këtij viti.

Dua të siguroj edhe njëherë të gjithë qytetarët e Tiranës se duke pasur në dorë këtë Masterplan dhe duke pasur në dispozicion të gjithë hartën e projekteve që duhet të nisim të realizojmë për të filluar zbatimin e këtij Masterplani, kemi në dorë instrumentin që na duhet për të për të përballuar sfidën e rritjes eksponenciale të lëvizjes dhe transportit në kryeqytet.

Kemi në dorë instrumentin që na duhet për të bërë të mundur që cilësia e transportit publik të rritet, për të bërë të mundur që cilësia e lëvizjes të rritet, për të bërë të mundur gjithashtu që cilësia e jetës të rritet, sepse janë të gjitha të lidhura bashkë dhe është një gjë e thjeshtë e ditur nga të gjithë, se sa më shumë ne të arrijmë ta kthejmë transportin, lëvizjen, trafikun në kryeqytet në një pjesë të normalitetit të bashkëjetesës sonë në këtë hapësirë, aq më shumë rritet cilësia e jetës sonë të përditshme jashtë shtëpisë.

Në këtë aspekt unë dua t'i falënderoj hartuesit e Masterplanit për prirjen e fortë që kanë pasur që ti japin një fokus të veçantë transportit publik, qe ti japin një fokus të veçantë korsive preferenciale për transportin publik, që ti japin një fokus të veçantë të gjithë zhvillimit të transportit duke pasur parasysh ne vijimësi qytetarin këmbësor dhe pikërisht kjo i jep qëndrueshmëri këtij plani si koncept dhe kjo do ti japi qëndrueshmëri këtij plani si realitet.

Transporti në përgjithësi dhe transporti publik në mënyrë të veçantë është një nga tre prioritet më kryesore të punës dhe investimeve të Bashkisë së Tiranës.

Sigurisht, këtë fakt e kanë përcaktuar vetë qytetarët e Tiranës, mendimi i të cilëve influencon drejtpërdrejt politikat e investimeve, kur në Sondazhin e përvitshëm publik "Transparenca për Bashkinë e Tiranës" (2009), "votuan" transportin publik si prioritetin kryesor të tyre, krahas infrastrukturës dhe gjelbërimit.

Në këtë kontekst, përgjatë të gjithë vitit 2009, më mbështetjen e rëndësishme të Bankës Europiane për Rindërtimin dhe Zhvillim (BERZH) e cila mundësoi asistencën teknike të huaj, Bashkia e Tiranës, analizoi situatën dhe problemet kryesore për zgjidhje në lidhje me:

-lëvizjen/trafikun,

-transportin publik,

-infrastrukturën e lëvizjes dhe të transportit,

-nevojën për inovacion dhe teknologji të reja të transportit drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të tij;

Për këtë u hartuan një kuadër masash që janë komplekse, të integruara, efikase për të dhënë zgjidhje të problemeve dhe afatgjata.

Masterplani dhe projektet kryesore 2010-2011 do të jenë të hapura për publikun duke filluar nga muaji Prill, 2010 në Pavionin e Qelqit, pranë Sheshit Skënderbej, për mendime dhe komente.

(*) Fjala e mbajtur në prezantimin e masterplanit

KOMENTE