Tiranë, 18 mars, NOA - Pas shumë vitesh, ora e Kullës së Sahatit në qendër të kryeqytetit të vendit do të tregojë orën e saktë, ndërsa këmbana e saj do të bjerë sipas programit që ka pasur.
Një fakt të tillë, kryebashkiaku Edi Rama e ka theksuar gjatë ceremonisë për prezantimin e restaurimit të këtij monumenti në qendër të Tiranës, i cili është bërë në bashkëpunim mes ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministrisë së Kulturës dhe bashkisë së kryeqytetit, me një fond prej 30 mijë dollarësh.
Në fjalën e tij, i pranishëm gjatë ceremonisë në fjalë, ambasadori amerikan, John Uithers duke i bërë një përmbledhje historisë së kësaj kulle, theksoi se shpreson që të ketë sa më shumë projekte të tilla që i shërbejnë kulturës shqiptare.
Ndërsa kryebashkiaku Edi Rama shtoi ndër të tjera në fjalën e tij se "restaurimi i Kullës së Sahatit në qendër të kryeqytetit, do t'i sjellë shkëlqim Tiranës dhe përbën një moment sa simbolik, aq edhe të këndshëm për të".
n.e/NOA