Tiranë, 18 mars, NOA - Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit, e cila verifikon sasinë e produkteve që i shiten konsumatorit, u përpoq t'i servirte medias një kontroll të befasishëm, lidhur me shitjen me pakicë të karburanteve, por nga ky kontroll rezultoi se subjekti "Kastrati" nuk abuzon me sasinë e karburantit.
Por ajo që nuk u deklarua ishte fakti që pika e cila po kontrollohej, ishte e njoftuar paraprakisht.
Angjelina Kola, drejtore e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit, thotë se vetëm 4-5 % e tregut ka probleme me vjedhjen në peshë të konsumatorit.
Sipas saj, ligji i jep të drejtën e kontrollit të befasishëm subjekteve për të verifikuar sasinë e lëndës që shitet.
Por në fakt aksionet që bëhen në prani të medias, janë të njoftuara.
Por ky ishte vetëm një kontroll i dekonspiruar, pasi kontrolli i vërtet i befasishëm, kësaj radhe i kërkuar nga vetë media nuk arriti të zhvillohej.
Gazetarët kërkuan që të kontrollohej pika më e afërt e karburantit, e cila ishte pronë e biznesmenit të naftës Rezart Taçi.
Por rezultati ishte zhgënjyes.
Përfaqësuesit e drejtorisë së Metrologjisë nuk mundën të kontrollojnë pikën, pasi punonjësit nuk morën urdhër nga pronari i tyre dhe ky fakt pengoi zyrtarët e shtetit të ushtrojnë kontrollin.
Ndërkaq, konsumatori shqiptar nuk është i cënuar vetëm nga vjedhja e sasisë së karburantit, por edhe nga cilësia e tij.
Task Forca e tatimeve ka ndaluar mbrëmjen e së mërkurës një bot me 22 mijë litra verxhina, lëndë djegëse e cila përzihet me naftën dhe i shitet konsumatorit shqiptar. Drejtues të Tatimeve pohojnë se ndalimi i këtij boti erdhi për mungesë dokumentacioni, por edhe për shkak të dyshimeve të lëndës që do të tregëtohej.
r.l/NOA