Tiranë, 18 mars, NOA / Blerina Ahmetaj - Bashkia e Tiranës ka prezantuar masterplanin e transportit kryeqytetas, zbatimi i të cilit pritet të përmirësojë dukshëm lëvizjen e qytetarëve në Tiranë.
I pranishëm në prezantimin e fazës së parë të këtij masterplani, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama tha se përmes tij synohet rritja e cilësisë së jetesës për qytetarët.
"Duke patur në dispozicion të gjithë hartën e projekteve që duhet të nisim dhe realizojmë zbatimin e këtij masterplani, ne kemi në dorë instrumentin që na duhet për të përballuar sfidën e rritjes së lëvizjeve në qytet. Do të rrisim cilësinë e transportit publik, cilësinë e lëvizjes dhe cilësinë e jetës", u shpreh Rama.
Korsitë e rezervuara për transportin publik do të ndikojnë në reduktimin e trafikut me mjete private, më shumë siguri, ulje e kostos së shërbimit, respektim i orareve të shërbimit dhe të frekuencës kohore.
Gjithashtu do të shtohen gjashtë linja duke shtuar dhe zgjatur linjat e Unazës, ndërsa do të eliminohet edhe trafiku tranzit në qendër.
Sistemi parashikon që përtej vitit 2020 të mendohet për ndërtimin e rrjetit urban hekurudhor ku përfshihen 20 km binarë në zonë urbane.
Por masterplani parashikon më shumë se 100 km korsi të rezervuara për transportin publik dhe 88 km korsi për autobusë.
Korsitë e rezervuara pritet të kenë impakt të rëndësishëm në rritjen e shpejtësisë mesatare të lëvizjes të mjeteve të shërbimit të transportit publik.
Masterplani dhe projektet kryesore për vitin 2010-2011 do të ekspozohen për publikun në pavionin e qelqtë në sheshin "Skënderbej" duke filluar nga muaji prill.
n.e/NOA