Vlorë, 18 mars, NOA - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i ministrisë së Brendshme ka realizuar sot arrestimin e tre punonjësve të policisë të komisariatit në qytetin e Vlorës.
Lajmi konfirmohet zyrtarisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime të ministrisë së Brendshme, sipas të cilave, tre të arrestuarit janë respektivisht inspektor Musa Nushi, 59-vjeç; inspektor Çobo Sakaj, 45-vjeç dhe inspektor Muhamet Sulejmani, 43-vjeç.
Bëhet me dijeni ndër të tjera se të tre inspektorët e arrestuar të policisë kryenin funksionin e trupës së shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve dhe se arrestimi i tyre u krye pasi gjykata e Vlorës ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë "arrest në burg pa afat".
Kjo pasi, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe prokuroria e Vlorës kishte zhvilluar ndaj tyre hetime për veprën penale të "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal.
Konkretisht, këta punonjës të policisë duke qenë me shërbim, në kohë të ndryshme dhe më shumë se një herë, kanë vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve të bllokuara nga policia, duke ua shitur ato personave të tretë.
Ndërkaq, SHKB dhe prokuroria e Vlorës vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes.
n.e/NOA