English

Urosh Mahkovec: Ende jo konsensus për takimin e Bërdos

Bërdo, 18 mars, NOA - Sllovenia duket se po bën ende përpjekje për të ulur për herë të parë në një tryezë të përbashkët udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë gjatë një takimi rajonal në fundjavë, në qytetin slloven të Bërdos.

Drejtori për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Jashtme të Sllovenisë, Urosh Mahkovec, i tha BBC-së se po vazhdojnë përpjekjet për të siguruar pjesëmarrjen e Serbisë në konferencën e udhëheqësve të Ballkanit.

Por ai tha se pavarësisht nga vendimi i Serbisë, takimi në Slloveni do të mbahet dhe organizatorët thonë se shumica e të ftuarve tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Autoritetet serbe e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me kërkesën që Kosova të paraqitet në konferencë vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe jo si një vend i pavarur.

Ndërsa udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se do të marrin pjesë në konferencë vetëm në cilësi të barabartë me të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Z. Mahkovec, deri ku kanë arritur përpjekjet për organizimin e konferencës?

- Ne ende po përpiqemi që t'i kemi të gjithë. Deri sot shumica nga pjesëmarrësit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por një zgjidhje përfundimtare shpresojmë të gjendet deri nga fundi i kësaj jave.

Ju thoni zgjidhja përfundimtare, çfarë nënkupton ajo?

- Qëllimi ynë është që të mbledhim të gjithë pjesëmarrësit e ftuar, përfshirë këtu edhe Serbinë.

Pra, ende keni problem që të keni Serbinë në bord?

- Puna rreth kësaj çështje ende po vazhdon.

Cili është skenari, a do të paraqiten këta pjesëmarrës në bazë të shteteve apo në bazë të emrave të tyre personalë?

- Kjo gjithashtu është duke u harmonizuar dhe në këtë fazë është ende e vështirë të thuhet. Por qëllimi i konferencës është që të mblidhen të gjithë udhëheqësit e rajonit dhe kjo do të shënonte herën e parë në këto 18 apo 20 vitet e fundit që ata të ulen së bashku.

Pra, ju jeni shumë optimist se do të arrini t'i keni edhe pjesëmarrësit nga Kosova dhe Serbia në konferencë?

- Duhet të jeni optimist nëse doni që të keni një takim të tillë.

Por cili është qëllimi kryesor që të organizoni një konferencë të tillë?

- Qëllimi kryesor është që të ulim së bashku në një konferencë të gjithë udhëheqësit e rajonit, posaçërisht në raport me BE-në. Dhe mendoj se kjo është një porosi shumë e qartë nga pikëpamja evropiane. Gjithashtu ky samit është punuar në një bashkëpunim të ngushtë me presidencën spanjolle, e cila parasheh që në qershor të këtij viti të organizojë një takim të ngjashëm të udhëheqësve të rajonit.

Si një prej organizatorëve kryesorë të kësaj konference, Sllovenia…

- Kjo konferencë është një ngjarje e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë, e dy kryeministrave të të dyja vendeve.

Por çfarë mund të bëjë Sllovenia në lehtësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit, marrë parasysh të kaluarën?

- Sllovenia është i vetmi anëtar i plotë i BE-së nga rajoni dhe ajo mund të ndajë përvojën e saj me të gjitha vendet e tjera të rajonit që edhe ato t'i bashkohen BE-së.

A është kjo konferencë një lloj rasti i mirë për t'u takuar për herë të parë udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë?

- Ne shpresojmë. Sinqerisht shpresojmë të jetë kështu.

Dhe ju jeni përfundimisht optimist që ta keni Serbinë në këtë konferencë?

- Po, kjo është e sigurt.

Por çka nëse Serbia nuk do të marrë pjesë në këtë konferencë?

- Takimi do të zhvillohet gjithsesi. Nuk do të ketë problem. Takimi është i sigurt dhe ajo do të mbahet. I takon Serbisë që të vendosë se në çfarë niveli dhe në ç'mënyrë do që të marrë pjesë.

BBC

KOMENTE