Tiranë, 19 mars, NOA - Analiza e tregut të punës dhe identifikimi i profesioneve me perspektivë janë në qendër të marrëveshjes së nënshkruar paraditen e së premtes mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Punës për formimin profesional në Shqipëri.
Kjo është faza e dytë e nënshkrimit të marrëveshjes pas asaj të firmosur nga punëdhënësit dhe sindikatat.
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj deklaroi se për rritjen e nivelit të formimit profesional në Shqipëri nevojitet një bashkëpunim i ngushtë me punëdhënësit.
"Kjo marrëveshje tre palëshe është shtysë e zhvillimit të suksesshëm për të rritur cilësinë e Arsimit Profesional në Shqipëri"- tha Tafaj.
Synimi i kësaj marrëveshjeje është që partnerët të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit që nxjerr njerëz me aftësi për të përballuar tregun e punës dhe për të luftuar papunësinë.
Në thelb të saj është plani fillestar nëpërmjet të cilit Qeveria shqiptare dhe Partnerët Socialë do të punojnë për të identifikuar mundësi dhe masa për t'u ndërmarrë në AFP, si p.sh.; identifikimi i profesioneve me perspektivë; shqyrtimi i marrëveshjeve ekzistuese për negociata kolektive mbi çështjet e punësimit; krijimi i një plan veprimi për trajnime dhe stazh pune duke përdorur sistemin e AFP; Sistemi i informacionit të tregut të punës; analizë e tregut të punës; Sistemi i standardeve profesionale, etj.
Të gjitha këto do të shërbejnë për të përmirësuar aftësitë e forcave të punës dhe uljen e papunësisë.
Me këtë partneritet, qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat do të punojnë bashkërisht për politika dhe sisteme në Arsimin dhe Formimin Profesional, e nxitur nga Korniza Shqiptare e Kualifikimeve, e cila, tashmë e miratuar në Kuvend.
Marrëveshja mbështetet nga projekti CARDS i Bashkimit Evropian për Arsimin profesional.
b.a/NOA