English

Fule: Kosova ka perspektivë evropiane

Prishtinë, 19 mars, NOA - Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, tha sot në Prishtinë se Kosova ka perspektivë të qartë evropiane. Ai kërkoi që qeveria e Kosovës të shpejtojë rrugën drejtë BE-së, duke zbatuar detyrimet e Raport-Progresit të Komisionit Evropian. Fule u kërkoi autoriteteve në Prishtinë që të garantojnë stabilitet politik, siguri për pakicat, sidomos komunitetin serb, dhe të nisin reformat e nevojshme, që do ta drejtonin vendin drejt Bashkimi Evropian.

Një çështje tjetër që është nënvizuar nga Fule është lufta kundër fenomeneve negative, si krimi i organizuar e korrupsioni, duke kërkuar që këtë vit, në Kosovë të ketë të paktën disa veprime konkrete në luftimin e tyre.

"Në disa fusha presim përparime, e sidomos në atë të sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, e po ashtu presim dhe një qeverisje të mirë", tha Fule, duke iu referuar detyrimeve që dalin për Kosovën nga Raport-Progresi i KE-së, i hartuar vitin e kaluar.

Zyrtari i Bashkimit Evropian sërish u premtoi kosovarëve se edhe ata një ditë do të përfshihen në procesin e liberalizimit të vizave.

Duke u ndërlidhur me konferencën rajonale në Bërdo, afër Kranjit, dhe problemet që po has organizatori për t'i mbledhur në një takim të gjithë liderët e Ballkanit, Fule tha se u përket pikërisht këtyre liderëve që të gjejnë zgjidhje. Ndërkaq, Brukseli, sipas tij, vazhdon ta shohë rajonin me perspektivë të qartë evropiane.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova nuk ka tjetër vizion përveç atij integrues në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

"Kosova ka vizionin që të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, anëtare e NATO-s, që të jetë në mundësi të barabarta të veprimit dhe shfrytëzimit edhe të benefiteve, por edhe ta bëjë punën që i takon në partneritet të përbashkët me BE-në dhe ajo ditë do të vijë.

Por, sa do të jetë e gjatë rruga dhe sa do të shkurtohet ajo, do të varet prej punës sonë, por edhe natyrisht prej mbështetjes që do ta kemi", tha Sejdiu.

Fule është duke u pritur në një takim edhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Ndërsa, pas Prishtinës, ai do të vizitojë Tiranën.

NOA/EL

KOMENTE