Shkodër, 19 mars, NOA - Bashkia e Shkodrës hapi sot zyrën e Informacionit Turistik, në vijim të përpjekjeve të saj të vazhdueshme për promovimin e turizmit, e cila do të ofrojë për turistët dhe vizitorët shërbime informacioni turistik profesional pa pagesë dhe të cilësisë së lartë.
Aktiviteti i sotëm u përshëndet nga kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka dhe përfaqësuesi i USAID, Stephen Herbaly, ndërsa të gjithë folësit theksuan rëndësinë e kësaj zyre për qytetin dhe bizneset e turizmit.
Programi i USAID për Qeverisjen Vendore (LGPA) dhe bashkia e Shkodrës punojnë së bashku për nxitjen e zhvillimit të turizmit, si gjenerues i punësimit dhe rritjes ekonomike në Shkodër.
Zyra e Informacionit Turistik, e cila është ndërtuar nga bashkia, do të vihet në funksionim nga Çelësi, ndërsa bashkia do të punojë me zyrën në fjalë për promovimin e bizneseve turistike vendore.
Zyra e Informacionit Turistik, do të jetë ndërkaq një shtysë për zhvillimin e një sektori të rëndësishëm për ekonominë e qytetit, si dhe krijimin e investimeve private e nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor.
Bashkitë partnere të LGPA janë Elbasani, Fieri, Fushë Kruja, Gramshi, Korça, Kukësi, Lezha, Librazhdi, Pogradeci dhe Shkodra.
n.e/NOA