English

Hesapet që bëjnë vetë mësuesit

Në vitin 2005 një mësues kishte një rrogë mesatarisht 23 mijë lekë në muaj. Nga kjo rrogë bruto zbriteshin kontributet e detyrueshme dhe tatimi mbi të ardhurat personale dhe paga neto ishte rreth 20 mijë lekë. Mësuesit merrnin edhe një pagë të 13-të. Kështu në vitin 2005 një mësues mori rreth 261 mijë lekë në vit

Nga Ledi Shamku*

Sikur argumentin në politikën shqiptare ta përcaktonte përpjekja për progres e jo lufta kundër regresit, argumenti im i sotëm natyrisht nuk do të ishin kutitë. Por kam zgjedhur të rreshtohem politikisht krah progresit. E meqë progresin sot e mbajnë peng kutitë e marra peng, nuk kam si të mos flas më së pari për kutitë.

A e dini ç'e lidh regresin me kutitë? Po jua përshkruaj me 2 fjali: Njëzet vjet me parë isha studente, dhe hyra me shokë në një greve urie për të fituar të drejtën e Lirisë. Tani, njëzet vjet më pas, më qëllon gati çdo muaj të shoh sërish studentë që dergjen përdhe, nëpër greva urie, e të luftoj tok me ta, për ata, për të fituar jo më Lirinë - por, mjerisht, të drejtën e një kartoni që, së paku formalisht të quhet diplomë. Qeverisje më të keqe se ajo e 2005-2009 nuk kish parë Shqipëria. Qeverisje që, pas njëzet vjetësh e detyron këtë popull që, në vlerë sakrifice, të barazojë Lirinë me Kartonin.

Dhe po e fyeni në inteligjencë gjithë këtë popull, zotërinj, duke ngulur këmbë me të madhe se më 28 qershor vullneti i lirë i shumicës së shqiptarëve paskësh zgjedhur Kartonin në vend të Lirisë. Duhen hapur kutitë, pra, për t'i çliruar shqiptarët nga kjo fyerje. E po ashtu edhe nga regresi. Ata po jua kërkojnë. Ne po ashtu, në emër të tyre.

Vijojmë më tej.

Sikur mbështetja e forcave politike në Shqipëri të buronte lirisht e natyrshëm përmes krahasimit të programeve qeverisëse dhe analizës së rezultateve, sërish po e them se nuk do të flisja për kutitë. Por, përpara se të mbusheshin kutitë, gjithkush, shqiptar e ndërkombëtar, u bë dëshmitar për mënyrën sesi i mbushët sheshet e mitingjeve, zotërinj. Kjo qe premiera e administrimit zgjedhor.

Mësues të marrë me pahir, të kërcënuar me papunësi, vënë në rresht, si kope, e të shoqëruar nëpër autobuzë transporti sjellë enkas prej jush, për ju, për mitingjet tuaja elektorale. E jo veç mësues, por mësues e nxënës, pa kursyer as të vegjlit e fillores, e pa vënë në hesap as ditët e tyre të pushimit. Nëse mitingu juaj qëllonte për të shtunë a të dielë, e shtuna dhe e diela shndërroheshin në ditë jave, kurse shkollat në kazerma grumbullimi. Jemi hasur bashkë në Lushnje e në Kavajë, në oborrin e shkollës ku nuk kish as nxënës e as mësues por vetëm 2 kamionë të Gardës që po mblidhnin e po ngarkonin karriget e Kuvendit, të këtij kuvendi, të cilat do t'iu duheshin në mitingun e radhës, në një tjetër shkollë.

E po ashtu ju z. Kryeministër duhet ta mbani mend atë të shtunë kur mësuesve dhe fëmijëve të Belshit ju "qëlloi" ditë shkolle, po mësim nuk bënë. I prisnin autobusët tuaj të rreshtuar jashtë, po jo për piknik z. Kryeministër. Atë ditë ju do të inauguronit një aksh fillim punimesh në filan rrugë, dhe ju nevojitej turma, me hir a me pahir. Për muaj me radhë administrata më e madhe shtetërore, ajo e arsimit - prej mëse 63 mijë vetësh (tok me atë të shëndetësisë), u përdorën me pahir për të mbushur sheshet e mitingjeve tuaja. Mësuesit dhe nxënësit! Ccdo raport ndërkombëtarësh jua numëron këtë pahir politik e shtetëror, këtë njësim të errët që i bëtë shtetit të Shqiptarëve me Pushtetin tuaj, që pushteti të mbetej me çdo kusht juaji.

Përmes këtij njësimi levantin, ju jo vetëm i detyruat të figuronin në sheshxhirimet tuaja elektorale, por i shtrënguat madje të duartrokisnisnin skenat me begati e dyfishim pagash të filmit tuaj parazgjedhor.

Ja cilat janë hesapet që bëjnë vetë mësuesit, z. Kryeministër:

Në vitin 2005 një mësues kishte një rrogë mesatarisht 23 mijë lekë në muaj. Nga kjo rrogë bruto zbriteshin kontributet e detyrueshme dhe tatimi mbi të ardhurat personale dhe paga neto ishte rreth 20 mijë lekë. Mësuesit merrnin edhe një pagë të 13-të. Kështu në vitin 2005 një mësues mori rreth 261 mijë lekë në vit.

Pas 4 vjetësh, qeveria pretendoi se ua ka dyfishuar pagën mujore. Në korrik 2009 një mësues mori mesatarisht rreth 42 mijë lekë në muaj. Por që prej shtatorit 2007 e njëjta qeveri zbaton taksën e sheshtë për mësuesit. Edhe pagën e 13-të e fshiu. Prandaj një mësues pagën neto mujore e ka 33 mijë lekë, ndërsa në vitin 2009 mori rreth 397 mijë lekë. Kjo është shifra zotërinj: 397 mijë përkundrejt 261 mijë. D.m.th vetëm 50%. Dyfishimi i pagave të arsimtarëve pra mbetet pjesë e filmit politik, jo e realitetit shqiptar, i cili njohu edhe një rritje troshitëse të çmimeve për periudhën 2005-2009.

E sikur të mos mjaftojë farsa, ajo u dashka edhe duartrokitur? Ato kuti të mbyllura mbajnë brenda edhe gjithë fyerjen dhe shpersonalizimin që i bëtë mësuesve, nxënësve e familjeve të tyre. Ata të parët kanë të drejtë të kërkojnë hapjen e kutive, që fyerja të mos gjenerojë tjetër fyerje, e dhuna tjetër dhunë. Për ata e bashkë me ata, duke zbardhur të djeshmen që të mos erret sërish e nesërmja, kërkojmë t'i çelet rruga hetimit të plotë të zgjedhjeve.

Ky vend nuk meriton që politika të degradojë në dhunë dhe pengmarrje, ndërsa qeverisja në një shartesë të shpërfilljes me paaftësinë, ndaj edhe sot, tani, kanë mbajtur frymën të gjithë shqiptarët, pavarësisht prirjeve politike. Ndoshta jam më e saktë po të them se ju nuk e meritoni këtë vend. Shqipëria është në krizë, e jo vetëm politike. Institucionet janë të ngrira, pasi nuk burojnë prej lirisë dhe meritokracisë. Kjo që maxhoranca po e trajton me qetësinë e një loje kungulleshkash, është në fakt jeta e krejt një kombi, e tashmja dhe e nesërmja e tij. Gjithkush e ka të qartë tashmë se çdo justifikim për të mos i hapur kutitë nuk ka të bëjë aspak me Ligjin, por me Antiligjin, përderisa e formulon prepotenca e pushtetit. Vetëm antiligji aplikon formulën tuaj: Rex facit legem, sipas rrugës despotike, dhe jo Lex facit regem, me rrugë konstitucionale. Edhe njëherë: Rex facit legem, sipas rrugës despotike. Ky shteg despotik ka vënë sot në rrezik krejt demokracinë në Shqipëri.

Zoti kryeministër,

për hir të çështjes kombëtare që tashmë është e gjitha në përgjegjësinë tuaj,

për hir të demokracisë, të cilën, ju kujtoj, shqiptarët nuk kanë ndërmend t'ia falin as partive tuaja e askujt,

në emër të lirisë e të progresit,

Ju bëj thirrje të ngriheni mbi veten dhe të lejoni hetimin e plotë e në transparencë të plotë.

Kam vënë re, zoti Kryeministër, se shpesh ju kandet të citoni figura historike, e madje edhe ta përqasni veten me to. Në vazhdë të kësaj pëlqese, po ju drejtohem edhe unë me fjalët e Lekës së Madh: "Për një prijës, është më e denjë të fitojë mbi veten, se mbi kundërshtarët".

Shqiptarët këtë presin, zoti Kryeministër, ngadhënjimin tuaj mbi veten. Deri më tash, gjatë gjithë karrierës suaj politike, nuk ja keni dalë. Ndoshta ja dilni kësaj here, po qe se kërkesën kombëtare e ndërkombëtare për hapjen e kutive arrini ta rrokni edhe si një shans të për dinjitet vetjak.

(*) Fjala e mbajtur sot në Kuvend e deputetes së PS

KOMENTE