Tiranë, 19 mars, NOA - Në kuadër të sezonit të eventeve "Italia dhe Shqipëria 2010 - dy Popuj, një Det, një Miqësi", promovuar nga ambasada italiane në Tiranë, pranë "Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës (TRADOC)" të Forcave të Armatosura Shqiptare në Tiranë, u zhvillua ceremonia e inaugurimit të "Auditoriumit" të ri realizuar nga Delegacioni Italian i Espertëve në Shqipëri, i cili mori emrin e gjen. major Enrico Tellini rënë në Shqipëri në vitin 1923.
Kjo vepër e rëndësishme, financuar tërësisht nga qeveria italiane, është realizuar në kuadër të mbështetjes dhe bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
"Auditoriumi Tellini", vlera e të cilit kap shifrën e 1 milion eurove, përbën pa asnjë dyshim një nga veprat më përparimtare përsa i përket teknologjisë ku mund të mirëpriten takime ndërkombëtare të nivelit të lartë, duke u përputhur me kërkesat në rritje të Shqipërisë si anëtare e NATO-s", - nënvizoi ambasadori D'Elia.
Ambasadori Italian tha më tej se realizimi i këtij auditoriumi përfaqëson një dëshmi të prekshme të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë dhe uroi që ky mjedis i ri të mund të ngjallë tek ata që e frekuentojnë njohjen e vlerave që janë në bazë të lidhjes së fortë ndërmjet popullit italian dhe atij shqiptar.
Ndërsa ministri Imami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit më tepër se dhjetëvjeçar në sektorin e mbrojtjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Në këtë fushë është përqendruar veprimi i Delegacionit Italian të Ekspertëve (DIE) i cili që prej vitit 1997 e deri më sot është materializuar në aktivitete që e tejkalojnë shifrën prej 100 milionë eurove në favor të Shqipërisë.
n.e/NOA