Pse Ardian Klosi nuk mund të përballet me Ismail Kadarenë?
Nga Enver Bytyçi
Lexoni si lindën replikat:
Përgjigje Ismail Kadaresë nga Ardian Klosi
E vërteta flet ndryshe nga Ismail Kadare
Më datën 8 mars gazetari gjerman, Michael Martens ka shkruar në gazetën prestigjioze "Frankfurter Allgemeine Zeitung" një artikull. Ky shkrim vjen në vijim të debateve që ka zgjuar në Shqipëri e në trevat mbarëshqiptare libri i studiuesit zviceran, Oliver Jens Schmitt, mbi Skënderbeun. Në atë artikull Martens ka atakuar dhe shkrimtarin e shquar Ismail Kadare. Shkrimtari i madh shqiptar i ka drejtuar më 13 mars një letër drejtorit të gazetës në fjalë, si reagim ndaj artikullit të Martens.
Gazetari gjerman pohon se "Botimi i librit shkaktoi një furi nacionaliste ku luajtën një rol të palavdishëm kryeministri Sali Berisha dhe shkrimtari Ismail Kadare". Ka mundësi që gazetari Martens të ketë përdorur emrin e kryeministrit të Shqipërisë dhe të shkrimtarit të madh shqiptar, thjesht për të tërhequr vëmendjen e lexuesve.
Pra që këta dy shqiptarë, të cilët kanë emër në Europë e në Gjermani, ta bëjnë gazetarin dhe artikullin e tij interesant. Kjo modë e të bërit gazetari nuk është tipar vetëm i shtypit shqiptar. Vetëm se në perendim kamuflimi është më perfid. Duket se kësaj kategorie i përket gjithashtu qëndrimi që kishte shfaqur në fund të shkurtit 2009 gazetari shqiptar Enver Robelli, i cili kishte botuar të njëjtën gjë në gazetën e Zyrihut, "Tages Anzeiger" me titull: "Historiani zviceran zgjon nervozizëm te shqiptarët". Eshtë e vërtetë se libri i Schmitt ka ngjallur diskutime në rrethet intelektuale në trevat shqiptare. Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe lideri i letrave shqipe, Kadare, janë prononcuar për atë libër dhe kanë reaguar, por jo me nervozizëm, siç përpiqet të thotë Klosi, Robelli dhe të tjerë publicistë me ndikim në median gjermanishtshkruese. Vetëm Rexhep Qosen nuk e kemi lexuar të prononcohet për të.
Manipulimi me të vërtetën
Libri, përveçse përmban historinë e heroit kombëtar të shqiptarëve, njëkohësisht e shtrembëron dhe keqinterpreton epokën e ndritshme të këtij heroi. Libri, në vend t'i analizojë në kompleksitetin e vet veprën e luftërat e Skënderbeut, niset nga një i ashtuquajtur dokument opinionist i kohës. Dhe këtë opinion të një bashkëkohësi, por jo edhe bashkëkombësi të Skënderbeut, përkthyesi i këtij libri e mbron si vlerë të së vërtetës. Eshtë njësoj sikur historia e sotme të shkruhej pas njëqind vjetësh sipas opinioneve të Ardian Klosit ose Mustafa Nanos apo Andrea Stefanit.
Në konceptin tim keqinterpretimi i historisë së shqiptarëve nuk përbën një hata, nuk është një risi dhe as një rast i vetëm, me të cilin përballen shqiptarët dhe historia jonë. Oliver Schmitt është i fundit në zingjirin e gjatë të sa e sa autorëve të huaj, të cilët e kanë shtrembëruar dhe vazhdojnë ta shtrembërojnë me shpifje e trillime historinë dhe të sotmen e shqiptarëve. Pikërisht ky është thelbi i debatit, i cili është zhvilluar dhe zhvillohet në këtë rast.
Ismail Kadare dhe intelektualët shqiptarë të fushave të ndryshme kanë ngritur shqetësimin se nuk duhet lejuar që për interesa të caktuara dikush ta njollosë historinë tonë. Më saktë: - Nuk duhet pranuar që lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut të interpretohet si luftë për gjakmarrje. As edhe që heroi kombëtar i shqiptarëve të emërtohet si serb, maqedon, grek apo malazez, ndërkohë që të gjitha dokumentet e asaj kohe e kanë evidentuar identitetin e tij si shqiptar. Shkrimtari i shquar shqiptar i përmbahet pikërisht kësaj të vërtete. Dhe nëse e vërteta interpretohet si dështim e jo si lavdi, ky është problem i Martens, Klosit apo Robellit. Nuk është problem i Kadaresë. Në letrën e tij për drejtorin e FAZ Ismail Kadare duket se ankohet për trillim e shpifje ndaj qëndrimit që ai ka mbajtur për librin e Schmitt. Duket se ai "ka frikë" e drojë se "mos akuzohet për nacionalist".
Kjo është çështje e shijeve të tij dhe nuk përbën thelbin e debatit që zhvillohet. Në fund të fundit Kadare ka dëshmuar jo vetëm si shkrimtar, por edhe si intelektual, akademik dhe njohës i shkëlqyer i historisë dhe realiteteve shqiptare e ballkanike se i përket avokaturës moderne të çështjes sonë kombëtare. Ismail Kadare e quan "trillim" dhe "kthim me kokë poshtë të së vërtetës" tezën e Oliver Schmitt, sipas së cilës "Aureolën e Skënderbeut dhe atë të Rilindjes Shqiptare e ngriti sidomos regjimi komunist". Ndërkaq entuziazmin dhe ngutin e Ardian Klosit për ta përkthyer librin në shqip duket qartë se e ka nxitur pikërisht lansimi i kësaj teze. Kurse ndaj letrës së Kadaresë përkthyesi Klosi nuk ka pritur as 24 orë. Eshtë përgjigjur menjëherë, duke hedhur baltë mbi mendimin filozofik të interpretimit të historisë shqiptare e ballkanike të shkrimtarit dhe akademikut të madh.
Ai ia quan me të madhe Kadaresë pse ky ka thënë që në trajtimin e Schmitt-it gjen një dozë racizmi antishqiptar. Në të vërtetë shtrembërimi i historisë, të asaj historie për të cilën janë shkruar mbi njëmijë libra e ku është pranuar si e vërtetë e pakontestueshme kontributi proeuropian i Skënderbeut, nuk të bën të përfitosh ndonjë përshtypje tjetër për librin e Oliver Schmitt. Dhe të pretendosh se në perendim nuk ka studiues e profesorë antishqiptarë e rracistë besoj se është gabim. Unë kam njohur profesorë dhe doktorë shkencash në Europë, të cilët e quanin p.sh librin e Aleksandër Leo Freundlich "Golgota shqiptare", si "Albanische Propaganda".
Kam njohur ndër ta që për shqiptarët flasin si për "ufot", që prodhojnë vetëm frikë dhe tmerr e kurrfarë vlere. Kam ndeshur në një farë keqdashje për Kadarenë, keqdashje e mospërfillje që e shfaqin pikërisht ata studiues e profesorë që kanë për idol të tyre Ivo Andriçin e preferuar të Ardian Klosit. Oliver Schmitt, duke e cilësuar luftën e shqiptarëve nën Skënderbeun si luftë gjakmarrëse, nuk bën tjetër, vetëm sa përsërit të njëjtat teza raciste.
Ardian Klosi - avokat i arkitekturës shpifëse, antishqiptare Mirëpo reagimi ndaj kësaj paraqitjeje nuk i ka pëlqyer përkthyesit të librit të tij, Ardian Klosi. Ai përpiqet të thotë në letrën-përgjigje ndaj Kadaresë se Schmitt "i është përmbajtur" dokumenteve arkivore të mesjetës në disa qendra kryesisht të brigjeve të Adriatikut. Reagimi i tij ka nuanca të pastra demagogjie, shkollë së të cilës i përket në trashëgimi.
Klosi vërtitet në reagimin ndaj Kadaresë që të mbërthehet te "e vërteta". Ndërkaq të vërtetën për historinë e shqiptarëve në mesjetë, përfshirë dhe epokën e Skënderbeut, e kanë ndriçuar shkenctarë të mirëfilltë të asaj Europe, së cilës i përket Schmitt. Një prej tyre, ndër më të shquarit e madje pikë referimi për gjeneratën e Schmitt-it është Prof. Dr. Peter Bartl i Universitetit "Ludëig Maksimilian" të Münschen-it. Bartl shkruan se "Luta 25 vjeçare e Skënderbeut kundër turqve e ka bërë popullin shqiptar plotësisht të njohur në Europë. Ai ishte një luftëtar kundër Turqisë, të cilit iu bë vend pas vdekjes në literaturën historike e letrare thuajse në të gjithë popujt e Europës".
Të njëjtën gjë thekson studiuesi dhe historian i shquar gjerman Michael Ë. Ëeithmann. Ai shkruan se Skënderbeu mbetet jo vetëm miti i kristianëve në Shqipëri, por edhe i myslimanëve.
Mund të përmend me dhjetra profesorë më të dëgjuar e më kompetentë sesa fantoma e Arian Klosit, Oliver Schmitt, të cilët Skënderbeun dhe epokën e tij e kanë vlerësuar si një epokë të ndritur për shqiptarët dhe Europën. Ndoshta do të duhet që Schmitt-in dhe nxënësin e shkollës së tij, Klosin, ta ballafaqoj konkretisht me idetë, tezat, faktet, argumentet dhe përfundimet në të cilat kanë arritur ekspertët e njëmendtë të botës europiane shkencore, të painfektuar nga propaganda sllavo-komuniste sa i përket rolit dhe misionit që patën shfaqur shqiptarët e kohës së heroit të tyre kombëtar. Që t'i them Klosit se nuk jam nga ata që shkoj pas idoleve, doja t'i përmend faktin se i përkas atyre kritikëve që luftërat e Skënderbeut i vlerësoj si luftëra me humbje të mëdha, madje shpesh herë të panevojshme për kombin tonë. Ato luftra, ndonëse të lavdishme, sidomos sa i përket mburojës që i bënë Europës së krishterë, në të vërtetë I sollën shumë fatkeqësi kombit shqiptar.
Por këto luftëra shërbyen njëkohësisht si mesazh për një ringjallje të re, pra kryen funksionin kompensues, duke sjellë në shekullin e 19-të rilindjen tonë kombëtare, duke e mëkuar atë me ushqimin më të domosdoshëm për bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Në bindjen time, Skënderbeu shërbeu për rilindësit si i vetmi element i pakontestueshëm për të vënë piketat e shtetformimit. Nëse kemi parasysh rrethanat e kohës, nëse mendojmë konfliktin fetar, krahinor e më gjerë midis shqiptarëve, atëherë do të duhet që t'i falemi figurës së Skënderbeut, e cila shërbeu si simbol dhe idol i mënjanimit të përçarjeve të mëdha midis shqiptarëve.
Bota ka mjaft shembuj të luftrave të egra e shfarosëse në emër të religjionit dhe dominimit krahinor. Skënderbeu dhe vepra e tij shërbyen si katalizator i mënjanimit të konflikteve të tilla. Në këtë aspekt ai mbeti "leva e Arkimedit" dhe u bë lokomotiva e frymëzimit dhe zhvillimit modern të Shqipërisë, madje edhe për krijimin e forcimin e shtetit shqiptar londinez në fillim, e të shtetit të ri të Kosovës në vijimësi.
Nëse dikush, si Schmitt ose Klosi, bien dakord midis tyre për ta çmontuar këtë "levë të Arkimedit shqiptar", aq më tepër me metodat e trillimit dhe etiketimit rracist, është i legjitimuar edhe reaksioni që vjen prej kësaj përpjekjeje.
Ismail Kadare ka reaguar atëherë dhe reagoi edhe në rastin e botimit të artikullit në FAZ, artikull, të cilin Klosi e pranon se e ka sponsorizuar ose së paku e ka rekomanduar.
Dështimi i klosianëve
Ardian Klosi në reagimin që bën ndaj letrës së Kadaresë ka pranuar shumë gjëra, të cilat nuk mund t'i kapë fantazia e kritikëve të tij. Ai ka pranuar se ka gisht në botimin e shkrimit në FAZ. Ka pranuar se ai e ka bërë këtë me motivin për të dëshmuar sesi qëndrimet nacionaliste të Berishës e të Kadaresë ishin "të palavdishme". Ai e kritikon kritikën ndaj të pavërtetave të Schmitt-it, si përpjekje e dështuar e nacionalistëve, duke pranuar se vetë ai nuk i përket lëvizjes moderne nacionale të shqiptarëve. Klosi triblon, duke u thirrur gjithashtu në historiografinë komuniste dhe bën thirrje për çmontimin e kulteve, idoleve, miteve historike.
Skënderbeu është personaliteti I parë, të cilin ai dhe miku i tij zviceran e kanë marrë në shenjë. Madje të dy janë të ngazëllyer që ta quajnë Skënderbeun "prodhim të propagandës komuniste 50 vjeçare".
Për këtë Klosi shkruan se "Çështja është që tek ne dalëngadalë ka filluar procesi i kthjellimit të historisë, i pastrimit të historiografisë shqiptare, e sidomos teksteve të shkollave, nga gjithë përrallat, legjendat e manipulimet që u lëshuan mbi të në më shumë se 100 vjet, e sidomos prej 1945-ës e këtej". Skënderbeun, figurën dhe veprën e tij e konsideron "përrallë, legjendë, manipulim", i lëshuar "në më shumë se 100 vjet, e sidomos prej 1945 e këtej", pra prej kur u vendos sistemi komunist e në periudhën postkomuniste. Të gjitha këto Ardian Klosi i shkruan me "kompetencë shkencore" pa përmendur asnjë fakt e të dhënë, ndërsa argumentet e kundërta i quan "tymnaja", që vijnë prej fantazisë gazetareske të disa kolegëve tanë. Në përgjigjen drejtuar Ismail Kadaresë, Ardian Klosi ka marrë hapur një pozicion mesianik dhe me prepotencë të pazakonshme është orvatur t'i imponohet shkrimtarit të shquar.
Të gjithë, sipas Klosit, të gjithë, përfshirë dhe Kadarenë e pakontestuar në botën dhe Europën e letrave, qenkan indiferentë, osë paskan xhelozi ndaj ndaj studimit të Schmittit, ose janë mosnjohës. Kjo është hamendja e tij. E ndërsa vetes ia jep të drejtën të hamendësojë e supozojë, të tjerët i merr në shenjë kur hamendësojnë e deduksojnë. Kështu bën me të gjithë ata që kanë kritikuar librin e autorit zviceran për Skënderbeun. Vetëm Klosi ka të drejtë ta vlerësojë "të vërtetën". Ky aspekt i sjelljes në marrëdhëniet shoqërore e ndërkomunitare është quajtur në studimet politico-psikologjike e filozofike si vetëmburrje deri në egoizëm. Pra deri në masoizëm. Ndërkaq, nëse ia përmbahemi këshillave të Klosit, atëherë do të vërejmë kontradiksionin e tij të spikatur në të gjitha skemat dhe skenat e diskutimeve për historinë. Ai shfaqet i "kënaqur" që në Shqipëri ka filluar "procesi i kthjellimit të historisë, i pastrimit të historiografisë shqiptare, e sidomos teksteve të shkollave, nga gjithë përrallat, legjendat e manipulimet", sidomos pas vitit 1945. Po cilat përralla, legjenda e manipulime ka parasysh Klosi?!
Kush i ka ndjekur diskutimet rreth tekstit të historisë për klasën e 12-të, shkruar nga historianët Beqir Meta dhe Muharrem Dezhgiu, ka vënë re se Ardian Klosi është shfaqur si gardian i mitit, legjendave, përrallave dhe manipulimeve historike të periudhës së komunizmit. Ndërkohë ai është shprehur me nota rracizmi brendashqiptar ndaj trajtesave historike që lartësojnë figurat nacionale të Shqipërisë. Sojin e Klosit e takoj fatkeqësisht gati çdo të shtunë në seminaret e leksionet për kualifikimin pasuniversitar drejtuar nga Qendra e Studmeve Albanologjike.
Prof.Dr. Ana Lalaj, tek shpjegonte të shtunën e kaluar zhvillimet e pas vitit 1945 i mëshonte tezës se "Enver Hoxha ishte nacionalist, por nacionalizmin e tij nuk e lejuar që ta ushtronte në praktikë", duke përmendur si pengesë Stalinin, Titon, Miladin Popoviçin, Mushan Dugoshën a dikë tjetër.
Një profesor tjetër i politizuar në stilin e Edi Ramës, shpjegonte një të shtunë tjetër kishat në Shqipëri dhe në çdo moment nuk harronte të thoshte se një kishë në Shkodër e kishte përmbytur uji dhe se shteti e kishte lënë në mëshirën e fatit. Të njëjtën ditë ai kritikonte faktin se "sot politikanët tanë janë të varur nga të huajt". Kjo është historia reale të cilën e predikojnë dhe përpiqen ta imponojnë miqtë dhe bashkëmendimtarët e Ardian Klosit në Shqipëri. Ndërkaq ai na servir slloganin e "pastrimit" nga manipulimet të kësaj historie. Se kush e manipulon historinë, ata që i janë përmbajtur klisheve të Perendimit për Skënderbeun, apo ata që i përmbahen klisheve staliniste për rolin e diktatorit shqiptar, kjo për mua është krejt e qartë. Por kthjelltësia që unë kam për këto koncepte vjen në kontrast me ato që predikon dhe përpiqet të imponojë i vetshpalluri historian, Ardian Klosi. Madje ai ka marrë guximin në letrën drejtuar Kadaresë, që reagimin e tij ta quajë pjesë të përpjekjeve të tij "të ndershme" dhe "të domozdoshme".
Në fakt ndershmëria dhe domozdoshmëria e tij shprehen në analizën selektive të historisë sonë kombëtare. Dhe duke iu përmbajtur nocionit të shpallur nga Klosi, atëherë dalim në përfundimin e pranuar tashmë se "ndershmëria dhe domosdoshmëria" e Klosit janë nocione krejt subjektive".
Subjekti me emrin Ardian Klosi e koncepton të ndershme të manipulojë me heroin kombëtar të shqiptarëve, sepse me këtë akt dëshiron të realizojë domozdoshmërinë, përsëri voluntariste të tij, për ta zëvendësuar atë me kultin e diktatorit Hoxha. Nuk ka dhe nuk mund të gjendet shpjegim tjetër, nëse i përmbahemi të gjithë së ashtuquajturës "krijimtari" politike, publicistike dhe "historike" të Ardian Klosit. "Historiani" anti-NATO
"Historiani" Klosi ankohet në atë letër se ai dhe tutori i tij, Schmitt, janë sulmuar padrejtësisht nga "nacionalistët e palavdishëm" shqiptarë. Dhe kjo ndodh, sepse "i lavdishmi" Ardian Klosi e mat lavdinë e tij me atë të të atit, Bilbil Klosi, e për rrjedhojë me "lavdinë" e diktatorit, ose së paku me "lavdinë" e njeriut të familjes së tij, Ramiz Alia. Të gjithë të tjerët jashtë këtij rrethi, përfshirë dhe Skënderbeun, janë objekt i verifikimit, demistizimit, e deri rrënimit të pashmangshëm e të domozdoshëm. Kritikat që i adresohen, thotë se "do t'i durojë" dhe zotohet se nuk do të heshtë. Në të vërtetë ai nuk ka heshtur asnjëherë, kur ka qenë fjala për të akuzuar demokracinë dhe marrë në mbrojtje bllokun komunist. Më 8 maj të vitit të kaluar ai përuronte në ambjentet e Fondacionit Soros librin e tij për viktimat e Gërdecit, ndërkohë që miku i tij Rama së bashku me sllavo-serbo-bullgarin Dokle sot ishin në Gërdec "për të përkujtuar" këto viktima të "kutive të mbyllura". Ardian Klosi e quante më 9 maj të vitit të kaluar hyrjen e Shqipërisë në NATO thjesht një ndryshim abstrakt?! Një "historian" i "së vërtetës" nuk mund ta thjeshtojë një ngjarje historike siç është ajo e pranimit të Shqipërisë në Aleancën ushtarake e të sigurisë botërore një ndryshim abstract. Ndërkohë që kjo përbën një ngjarje me rëndësi e vlera historike thelbësore, racionale e përmbajtësore për shqiptarët dhe kombin shqiptar. Ja si shkruante Klosi para gati një viti: "Po të pyesësh shqiptarët në rrugë askush nuk e ka të qartë se çfarë do të ndodhë tani. Do jemi më të sigurt? Si, pse, kush na kërcënonte? Koreja e veriut, Irani apo Hugo Chavezi? Do dërgojmë ushtarë në vende të tjera? Po ne këtë e bënim edhe pa qenë në OTAN!
Madje ushtarë kemi dërguar historikisht, qysh kur i quanin nizamë ose edhe më parë, kur quheshin maqedonë, epirotë ose stratiotë". Dhe pas këtyre nocioneve abstrakte ai përpiqet të matet me filozofinë dhe principet nacionale që ka përpunuar në krijimtarinë e tij universale, shkrimtari i shquar, Ismail Kadare. Klosi dhe klosianët kurrë nuk do të kuptojnë atë që ka ndodhur dhe ndodh me shqiptarët. Jo pse nuk kanë aftësi, por se nuk duan, jo se nuk kanë dijeni, porse ishtrembërojnë dhe trillojnë faktet, ngjarjet, rrethanat, fenomenet, heronjtë, mitet, të vërtetat për Shqipërinë dhe shqiptarët.
(*) Pikëpamjet janë qëndrime personale