Ka mbyllur edhe kutinë e Gërdecit që dihet kush e ka bërë ndërkohë që prokuroria ka ikur në drejtim të paditur. Ka mbyllur edhe kutinë e tunelit të Kalimashit që është shembur si piramidat e 97-ës duke gllabëruar miliarda që i paguajnë shqiptarët në formë borxhesh që i merr ai për korrupsionin e për shiritat e pushtetit të tij. Ka mbyllur edhe kutinë e Fierzës duke përmbytur 11.400 hektarë për të thënë pastaj zoti ju mbyt unë ju shpëtoj
Nga Damian Gjiknuri*
Çfarë ndodhi në Komisionin e Ligjeve, ku argumentet tona juridike e profesionale u ndeshen e u përplasen vetëm me murin e ngritur nga pushteti për të ndaluar transparencën, ishte një tjetër provë e mungesës së vullnetit për t'i hapur kutitë e 28 qershorit.
Fatkeqësisht po vihet në diskutim apo tentohet të bëhet jurisprudencë kushtetuese me çështje që asnjë profesionist dhe asnjë vend nuk i diskuton, asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk i ka trajtuar si problematike dhe asnjë ligj nuk i kufizon.
Dhe këtu e kam fjalën jo për objektin e hetimit, i cili është i qartë, i gjithëpranuar dhe në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës. Fjalën e kam për mjetet që i ka dhënë ligji dhe kushtetuta një Komisioni Hetimor - të drejtën për tu njohur me dokumentet zyrtare që mishërojnë vullnetin e administratës shtetërore në funksion të kontrollit parlamentar.
Ata që janë njohur botërisht për një rekord në shkeljet e Kushtetutës, plot njëzet herë në katër vjet, shkelje që kanë nxitur edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese që sot i përmendin pa i lexuar, nuk janë në gjendje prej tetë muajsh që të citojnë një vendim të vetëm, një nen apo një fjali të vetme, ku lejohet kjo që po bëjnë prej tetë muajsh duke shkelur edhe në këtë rast Kushtetutën.
Ku e gjejnë të drejtën ta kufizojnë hetimin e komisionit hetimor duke përjashtuar kutitë si mjet hetimi? Asgjëkundi në ligj, po vetëm tek frika që kanë nga e vërteta. Sepse nuk ka asgjëkundi përveçse tek frika e pushtetit, kushte të tilla absurde për të drejtën e padiskutueshme të Kuvendit për tu njohur me dokumente zyrtare, përfshirë edhe ato që ndodhen në kutitë e votimit. Pa këtë të drejtë elementare, hetimi parlamentar që kërkojmë, bëhet praktikisht i pamundur.
Është njësoj si t'i kërkosh dikujt të mësoj mësimin pa e hapur librin, thotë për një rast të tillë një filozof i madh.
Një parlament që nuk ka mundësi të këqyrë dokumente zyrtare nuk është më parlament, por një mashë e rrezikshme në duart e një qeverie të kthyer në kërcënim shoqëror, i cili mund të miratojë gjithçka i kërkon qeveria por nuk mund të kontrollojë asgjë që qeverisë i prish gjumin.
Kur një parlament nuk kontrollon dot më ekzekutivin, atëherë ka dy rrugë: Ose largohet ekzekutivi ose shpërndahet parlamenti. Sepse rruga e tretë, ajo e pranimit të kësaj gjendjeje si e mirëqenë, do të thotë dorëzim i lirive e të drejtave tona si qytetarë në duart e një pushteti që votën na e merr edhe kur nuk ia japim, dhe prandaj është një rrugë që as nuk llogaritet dot si mundësi për ne që duam të jetojmë të lirë në shtëpinë tonë.
Meqenëse në relacionin e dobët dhe pa argumente të palës tjetër, u përmendën shembuj nga Semi Polak apo Seima Lituaneze për objektin e hetimit dhe që s'kanë lidhje për çështjen që diskutohet, më lejoni tju citoj edhe unë se çfarë thotë jurisprudenca kushtetuese e disa vendeve të tjera modele të demokracisë evropiane për mjetet e hetimit dhe të drejtën për tu njohur me dokumentet zyrtare:
E drejta parlamentare Britanike: "Komisionet e veçanta kanë një rol kyç për realizimin e llogaridhënies së plotë të ekzekutivit tek parlamenti. Qeveria duhet të jete e gatshme që të japë çdo lloj informacioni në lidhje me çështjet që hetohen apo kontrollohen nga parlamenti. Është detyrë e departamenteve të qeverisë që t'i sigurojë komisioneve të veçanta furnizimin me çdo lloj informacioni, dokumenti apo të dhëne që ka lidhje direkte ose indirekte me hetimin parlamentar dhe pa pasur nevojë për specifikim të veçantë nga komisioni."
E drejta kushtetuese Italiane: "Komisionet hetimore kanë po ato të drejta si të kishte një gjykatë e republikës, por me të vetmin dallim se vendimet dhe gjetjet kanë fuqi rekomanduese për qeverinë dhe vet parlamentin. Këto komisione kanë po ato fuqi investigative për çështjen që hetojnë por me dallimin e vetëm që qëllimi i tyre nuk është penal. Gjatë hetimit komisionet mund të kërkojnë gjithçka dhe mbi këdo me të vetmin kusht, që kërkesa të jetë në përputhje me qëllimin e hetimit. Qeveria dhe çdo autoritet publik ka për detyrë t'i përgjigjet parlamentit duke i venë çdo informacion dhe të dhenë në shërbim të hetimit, përfshirë edhe paraqitjen e zyrtarëve të saj kudo që ata të ndodhen."
Dhe meqë dëshironi edhe Komisionin e Venecias ja ç'thotë ai lidhur me këtë çështje: "E drejta për hetim parlamentar përfshin të drejtën e pakicës për të përcaktuar objektin e hetimit, marrjen e provave të caktuar dhe të drejtën për të paraqitur një raport të pavarur. Pa këto të drejta të garantuara e drejta e pakicës për hetim nuk do të kishte më kuptim praktik në hetimin e veprimtarisë qeveritare."
Le ta thjeshtojmë maksimalisht çfarë kërkojmë? Kërkojmë dokumente zyrtare në dispozicion të hetimit, të cilat ndodhen në kutitë e votimit. Pse i kërkojmë? Për të parë se si është zbatuar ligji nga administrata zgjedhore, për të verifikuar nëse ka pasur shkelje për të bërë rekomandimet për parandalimin e tyre në të ardhmen.
Dokumentet që kërkojmë janë kopje unikale dhe i disponon vetëm KQZ-ja. Cfarë parashikon kodi zgjedhor për to ? Disa dokumente asgjësohen (fletët e votimit) se nuk kanë ndonjë vlerë të mëtejshme publike, disa të tjera ruhen në arkivat shtetëror (lista e votimit). E pra të dyja këto lloj dokumentesh nuk janë as sekret shtetëror dhe as janë pjesë e ndonjë hetimi penal në vazhdim ku nuk hyn dot Kuvendi, megjithëse ky parlament ka hyrë në të shkuarën në kundërshtim me Kushtetutën dhe vetëm për tekat e zotit Berisha.
Bëhet fjalë për dokument të rëndomtë zyrtarë që gjurmojnë punën e administratës zgjedhore dhe si të tilla janë parakusht për suksesin e hetimit për zgjedhjet prandaj Kuvendit nuk mund t'ia ndalojë askush. Kush ia ndalon e bën në kundërshtim me çdo liri e të drejtë kushtetuese dhe duhet të marrë parasysh të gjitha pasojat, sepse kjo çështje është mirë të zgjidhet këtu, por nuk do të mbetet pa zgjidhur nëse këtu nuk zgjidhet.
Pretendimi se ka një vendim gjyqësor që nuk e lejon këtë është shprehje e dembelizmit mendor tipik për pushtetet antidemokratik. Si çdo vendim gjykate vendimi i Kolegjit Zgjedhor është një vendim mbi një çështje konkrete, me palë të përcaktuara qartë dhe që ka si objekt dhe bazë ligjore një çështje krejt të ndryshme nga hetimi parlamentar.
KZ ka shqyrtuar rregullsinë e vendimi të KQZ-së për refuzimin për rinumërim në vetëm 3 zona zgjedhore për efektet të tabulimit të rezultatit. Ndërkohë që hetimi parlamentit synon dhe kërkon një gjë tjetër që s'ka lidhje me tabulimin e rezultatit zgjedhor, por me detyrimin kushtetues të kontrollit parlamentar në zbatimin e ligjit.
Në të gjithë këta muaj e në gjithë debatin këtu nga Komisioni i Ligjeve deri në sallë, nuk dëgjova asnjë rast të vetëm, shqiptar apo botëror, dhe as citimin e një fjalie të vetme të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë apo të kujtdo vendi demokratik në botë po të doni, që tregon se mjeti i hetimi ( këqyrja e dokumenteve) cënon pavarësinë e një pushteti tjetër.
Asnjë shembull dhe asnjë praktikë nuk u përmend që ekzistoka një kategori dokumentesh zyrtare përveç sekreteve shtetërore apo atyre në hetim penal që kuvendi nuk mund t'i hapë publikisht.
Pse s'keni ç'thoni përveç përsëritjes si në jerm të fjalive pa kuptim juridik të autoritetit tuaj suprem zotit Sali? Sepse nuk ka të tilla dhe nuk mund të gjesh të tilla në asnjë vend demokratik të botës, tek ne jo e jo. Çdonjëri nga ju, jurist apo jo, di ta bëj dallimin në mënyrë të qartë, siç e di edhe vetë zoti Berisha.
Por një shtysë tjetër, aspak juridike, ju mban në këtë pozicion antikushtetues dhe antidemokratik: Frika nga e vërteta dramatike që ato kuti fshehin! Frika se nga hapja e tyre del e vërteta e hidhur që Ruzhdia nuk është një rast i veçuar, po një metodologji sunduese në administrimin e zgjedhjeve prej jush.
Frika se duke u tretur në dritë tamam si një fantazmë e natës ai mekanizëm kriminal që ka deformuar zgjedhjet, ju nuk fitoni dot më kurrë të drejtën ta qeverisni këtë vend. Të cilën do ta humbni pa diskutim edhe duke mos hapur kutitë, sepse nga ajo e vërtetë asgjë nuk e shpëton pushtetin tuaj.
Hapja e kutive dhe marrja e dokumentacionit për qëllime hetimore nga parlamenti nuk është asgjë e re për këtë Kuvend. Komisioni Hetimor për zgjedhjet e vitit 2005 kërkoi të njëjtën gjë nga administrata zgjedhore e asaj kohe, e cila i hapi kutitë dhe i dorëzoi materialet zgjedhore të kërkuara të gati një mijë qendrave të votimit, pa e diskutuar fare këtë si problem juridik apo kushtetues.
Natyrshëm lind pyetja se përse kjo kërkesë u pranua në atë kohë dhe jo tani? Në fakt këtu qëndron si absurditeti i qëndrimit tuaj sot, e cila rreket të përmendë gjithfarësoj argumentesh gjysmakee juridik, ashtu edhe shkaku i vërtetë i këtij qëndrimi absurd. Ky shkak ka të bëjë me faktin e thjeshtë se zgjedhjet e vitit 2005 i organizoi qeveria e Partisë Socialiste, ndërsa në vitin 2009 zgjedhjet i organizoi Sali Berisha.
Ky i fundit, ashtu siç ka mbyllur kutinë e të vërtetës së 28 qershorit, ka mbyllur edhe kutinë e shifrave reale të ekonomisë që po lëngon kurse ai thotë po vrapon.
Ka mbyllur edhe kutinë e Gërdecit që dihet kush e ka bërë ndërkohë që prokuroria ka ikur në drejtim të paditur.
Ka mbyllur edhe kutinë e tunelit të Kalimashit që është shembur si piramidat e 97-ës duke gllabëruar miliarda që i paguajnë shqiptarët në formë borxhesh që i merr ai për korrupsionin e për shiritat e pushtetit të tij.
Ka mbyllur edhe kutinë e Fierzës duke përmbytur 11.400 hektarë për të thënë pastaj zoti ju mbyt unë ju shpëtoj.
Ka mbyllur edhe kutinë e administratës publike ku lulëzon injoranca e fanatikëve dhe bakshishi për shërbëtorët.
Ka mbyllur edhe kutinë e mirëqenies e të zhvillimit duke hapur vetëm vrima në çdo xhep e çdo cep të Shqipërisë ku inauguron punime që nuk i paguan dot.
Ka mbyllur edhe kutinë e premtimeve duke lënë hapur vetëm shtigjet e rritjes së çmimeve dhe borxheve nga të katër anët.
Ka mbyllur edhe kutinë e konkurrencës në një treg të sunduar nga monopolet e oborrit të pushtetit të tij.
Ka mbyllur edhe kutinë e bashkëpunimit me partnerët tanë më të mëdhenj për një nga pikat më nevralgjike të këtij bashkëpunimi si ai mes shërbimeve sekrete në një fushë ku është fat dhe nder për Shqipërinë të jetë nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sali Berisha kërkon të mbyllë në kuti të gjithë lojën e demokracisë për pjesën e mbetur të jetës së tij dhe ta kthejë qeverisjen e këtij vendi në sundimin e një familjeje mbi një shoqëri që po humbi të drejtën e transparencës së zgjedhjeve ka humbur të drejtën e vetë zgjedhjeve.
Insistimi me çdo kusht për të mos lejuar transparencën më kujton një shprehje të Gery Adams që ka thënë se " transparenca për dikë mund të jetë turpi për dikë tjetër". Por mohimi i transparencës me dikë është vetë turpi. Ky do të mbetet turpi juaj nëse nuk do të gjeni fuqinë që të kuptoni se turpin e Ruzhdieve të 28 qershorit e keni marrë, ndërkohë që mospranimin e tij për të mbajtur me çdo kusht pushtetin do ta paguani me humbjen e pushtetit duke e futur përfundimisht në histori këtë parlament si parlamentin e Ruzhdies.
(*) Fjala e mbajtur sot në Kuvend e deputetit të PS