English

Nisja e mbrapshtë e komunikimit

E kemi filluar mbrapsht këtë komunikim qe do duhet ta promovojmë për tashmë thuajse 3 vitet e ardhshme. Komunikimi nuk nis nga kutia, por nga shqiptarët. Kutitë nuk janë tonat zotërinj, janë nën administrimin e një organi të pavarur, nën vendimin e gjykatave të pavarura, dhe mbi to mund të hetojë, t'i hapë e t'i mbyllë vetëm një tjetër organ i pavarur që është Prokuroria e Republikës

Nga Mesila Doda*

Kemi gjashtë muaj që përsërisim e ripërsërisim të njëjtat fraza për të njëjtat çështje dhe kemi gjashtë muaj që kemi harruar të flasim për shqiptarët. Kemi gjashtë muaj që ju kërkoni të na bllokoni në çdo reformë, po kërkoni të na zhysni brenda nocionit krizë, ndërsa ne po mundohemi të neutralizojmë e të ç'bëjmë në mendjet e shqiptarëve atë që Edi Rama po tenton të mbjellë. Normalisht nuk do zija në gojë një njeri që mungon por fakti është se kryetari juaj është i vetmi aktor protagonist që mungon në këtë sallë, ku gjithë detyra do ia donte të ishte i ulur ai vetë në vijën e parë të deputetëve, sepse është lideri i opozitës. Në të vërtetë nuk është aspak habi që Edi Rama të mungojë. Ka më shumë se 10 vjet që ai mungon në çdo debat publik, pasi nervat nuk i mbajnë ta ketë përballë kundërshtarin, kur gazetarët i bëjnë pyetje të papëlqyera reagon si fëmijë i fyer. Te nderuara zonja dhe zotërinj, anëtare të opozitës. Nuk mundem të mos respektoj së paku gatishmërinë tuaj për të qenë në vijën e parë të betejës së partisë suaj, por me keqardhje ju them se ende vazhdoni të mbeteni ushtri pa komandant, dhe pa komandant e pa kurajë ju e dini që nuk ka kurrë fitore. Gjithsesi është çështje e brendshme dhe nuk do doja ta zgjasja më tej këtë temë.

Kemi dy ditë në një seancë boshe. Kemi dy ditë që i ripërsërisim shqiptarëve të njëjtat fjalë. Ne ju vëmë përpara kushtetutën dhe ligjet e vendit, ju na kërcënoni me dy togfjalësha krize dhe Bashkimi Europian.

Të nderuar kolegë. Asnjë ditë e këtyre 6 muajve nuk ka qene në krizë, ka qenë e trishtueshme, sepse është e trishtueshme kur sheh gjysmat e deputetëve në detyrën për të cilën u votuan dhe gjysmën tjetër peng të liderit të tyre të ri, por nuk ka qenë krizë. Kemi vazhduar të votojmë dhe të miratojmë ligje për shqiptarët. E vetmja seancë që po shkon në vorbull e retorikë boshe është kjo e dite-natës së sotme. E kuptoj dëshirën e të gjithë kolegëve të opozitës, veçanërisht të rinjve që kanë hyrë me dëshirën për tu bërë politikan të mirë e të denjë për tu besuar, qe kanë ëndërruar ndoshta për vit por ndoshta edhe krejt papritur të flasin e të thonë fjalën e tyre dhe të votuesve të tyre në këtë foltore. Por kjo e sotmja nuk është një ditë e mirë për fjalën tuaj të parë, ky është debat shterpë. Ne operojmë kithtas sepse kur ne ju themi ligj, ju thoni krizë, kur ne themi Kushtetutë ju na përgjigjeni Edi Rama fitoi, kur ne ju themi rrugë ligjore si zgjidhje ju na përgjigjeni s'ka proces integrimi për shqiptarët.

Ky është kodi i mbrapshtë i komunikimit që kemi vendosur. Dhe në mes na rrinë kutitë e votimit, të cilët kanë obseduar fillimisht kryetarin tuaj dhe më pas obseduar të gjithë të bindur se keni gjetur gurin e Sizifit.

E kemi filluar mbrapsht këtë komunikim qe do duhet ta promovojmë për tashmë thuajse 3 vitet e ardhshme. Komunikimi nuk nis nga kutia, por nga shqiptarët. Kutitë nuk janë tonat zotërinj, janë nën administrimin e një organi të pavarur, nën vendimin e gjykatave të pavarura, dhe mbi to mund të hetojë, t'i hapë e t'i mbyllë vetëm një tjetër organ i pavarur që është Prokuroria e Republikës. Kjo është rruga reale që ju kemi ofruar. Ky është realitet i ndodhur në rastin e shumëpërmendur të fshatit Ruzhdie, ky është një nga shembujt që tregojnë se ngërçet zgjidhen me logjikë dhe me respekt të shtetit ligjor, jo me teka absurde.

Meqë kam dëgjuar së fundmi të përmendet kaq shumë për të famshmin rast flagrant të fshatit Ruzhdie, ju ftoj përsëri të jeni serioz dhe të mos përdorni më demagogji. Keni shkatërruar procesin e votimit në atë fshat duke tërhequr komisionerët tuaj vetëm e vetëm sepse e dinit që ju në atë fshat nuk kishit vota. Ruzhdia ka 70 vjet që është në opozitë me ju, ka 70 vjet që nuk ju ka pranuar. E keni burgosur, internuar, e keni lënë pa bukë, pa të mbjella, prandaj dhe votën nuk jua jep dhe nuk do jua jap kurrë. ju zotërinj jo vetëm shkatërruat procesin në këtë fshat që po zihet në goje pa fund e pa asnjë lloj stime njerëzore për banorët, por e mashtroni opinionin kur tregoni skandalet e kutisë dhe nuk thoni qe kutia është shpallur e pavlefshme. Është rezultat nul në tabelën e përgjithshme të rezultateve, prandaj mos e harroni herën e ardhshme kur të zini në goje ketë fshat me banore tejet të vuajtur dhe thojeni që me këtë skenar nxorëm jashtë loje së paku 300 vota të partisë Demokratike, të përhershme të dhëna në këtë zonë. Ka vetëm një mësim që mund të nxjerrim nga ky rast. Ky system bipartisan që kemi zgjedhur mund të rezultojë tejet I brishte, nga dëshira, teka, apo keqdashja e njërës palë apo tjetër të politikës. Këtë ne nuk mundemi ta lejojmë. Kjo duhet të jetë sfida e ardhshme e sistemit tonë, përveç shumë rregullimeve te tjera.

Të nderuar zotërinj!

Kryetari i opozitës deklaroi disa javë më parë se në gjithë sistemin tonë institucional ka vetëm një instancë që ka mundur të përballojë presionin e maxhorancës dhe kjo është gjykata kushtetuese. Delegacioni i presidencës së asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës kërkoi që palët t'i drejtohen kësaj instance dhe Komisionit të Venecias për interpretim mbi interpretimin e mundësisë apo jo të hapjes së kutive, Rezultati është përsëri nul, pasi kryetari i opozitës është i bindur se di ta lexojë kushtetutën më mirë se juristët e Venecias.

Të nderuar zotërinj!

Jemi përballë një sjellje absurde! Opozita nuk i beson kolegjit zgjedhor, nuk i beson KQZ, nuk i beson gjykatës kushtetues, nuk i beson komisionit të Venecias, nuk i beson as komisionerëve të vet. I vetmi institucion që beson dhe që duhet të zëvendësojë gjithë të tjerët është komisioni i ngritur prej tyre, i dominuar në maxhorancë prej tyre, i kontrolluar vetëm nga syri vigjilent i tyre dhe nga hamendjet e kryetarit të tyre. Kjo është kërkese me një thelb të fortë punist pasi zhduk çdo institucion për ti dhënë jetë rolit hegjemon të partisë. Dhe kjo është e papranueshme në një demokraci!

Të nderuar zotërinj!

Prej muajsh Evropa po pret një zgjidhje të situatës. Ky është momenti i shqiptarëve, kur presin të marrin vizat dhe statusin e vendit kandidat. Këtë aspiratë të madhe ju e keni kthyer si një kërcënim ndaj nesh. Ju kërkoni lëshimet e maxhorancës për të kontrolluar gjithçka, për tu kthyer ju në prokurori, gjykatë, në kushtetutë, për tu kthyer ju në maxhorancë të pavotuar por të marre nën kërcënim. Ju nuk mund ta përdorni kërkesën e Evropës si pengmarrje kombëtare sepse vizat do merren jo vetëm për demokratët por për shqiptarët, sepse statusi nuk do merret për PD, por për Shqipërinë. Nëse mendoni se kërcënimi juaj ndaj këtyre aspiratave europiane të shqiptarëve do na shtrëngojë të shkelim kushtetutën, ligjin, zgjedhjet tona të lira dhe të ndershme, vullnetin e votës së lirë të shqiptarëve, atëherë mund t'ju pohoj se po jetoni brenda një gënjeshtre të madhe. Ne këtë nuk do e pranojmë asnjëherë, me asnjë kusht, pa asnjë dyshim!

Ne do vazhdojmë të respektojmë votën e shqiptarëve, do vazhdojmë të çojmë përpara reformat në këtë vend dhe të bëjmë ligje dhe më të mira për shqiptarët. Nëse na kërkoni t'i këmbejmë të gjitha këto në këmbim të heshtjes suaj për të mos minuar procesin e europianizimit në Shqipëri, në përsëri do ju themi JO! Në Europë do të hyjmë sepse e meritojmë, sepse kemi zgjedhjet më të mira në historinë e Shqipërisë, sepse po e çojmë përpara ekonominë e vendit dhe vazhdojmë të zhgënjejmë korrin tuaj të kukuvajkave që lut krizën ekonomike, se e kemi nxjerrë Shqipërinë jashtë hartës së trafiqeve dhe krimit, sepse e bëmë Shqipërinë vend anëtar të NATO-s dhe realizuam dokumentin më të mirë të identifikimit, sepse ne e shndërruam këtë vend!

Të nderuar zotërinj!

Kam dëgjuar shpesh nga ju të mërmërisni nëpër dhëmbë ditët e fundit vitin e mbrapsht ‘97, fundin që na prêt, terrorin qe do mund të sjellë e të tjera kësisoj. Lus që ky të jetë një keqkuptim dhe që askush nga ju nuk ka patur qëllim tendencioz të kujtoj kohën më të trishtë të shqiptarëve. Por, ju deklaroj publikisht se nëse këto nuk janë lajthitje a retorike momenti, unë personalisht do kërkoja nga prokurorja e republikës së Shqipërisë të nis hetimet për tentative e për kërcenim të përmbysjes së rendit kushtetues me dhunë. Dhëntë Zoti, dhe kjo përsiatje malinje është veç një keqkuptim, po ju garantoj se nëse do mendoni të realizoni një marrëzi të tillë, do jeni të parët që do bini pre e marrëzisë. Shqiptarët nuk meritojnë më asnjë lloj shqetësimi. Ne të gjithë së bashku kemi sfida ardhmërie dhe nuk do mbetemi peng tekash që tentojnë të na tërheqin zvarrë. Ju keni patur fatin e keq ta provoni për muaj me radhë këtë pengmarrje, ne nuk mund ta pranojmë të njëjtin fat tuaj.

(*) Fjala e mbajtur sot në Kuvend e deputetes së PD

KOMENTE