English

Numrat e pasaportave që u dërguan me sms

Cila është arsyeja që emigrantëve tanë në Britaninë e madhe u është kërkuar ditën e votimit në telefon nga komisionerë të zonës së Burrelit, që të dërgojnë më sms numrin e pasaportave? Mos hapja e kutive do të bëj që emigrantëve shqiptarë t'u vidhet identiteti. Identiteti nuk u është vjedhur njerëzve në asnjë regjim

Nga Besnik Baraj*

Në fillim të viteve 1990, optimistët mendonin se Shqipëria pas 5 vjetësh do të ishte e krahasueshme me vende normale të Europës, ndërsa pesimistët thonin se kjo gjë do të ndodhte pas 10 vjetësh. Kanë kaluar 20 vjet nga fillimi i transformimeve demokratike dhe në ende jemi në udhëkryq.

Shqiptarët kanë uri të ngjashme për të braktisur vendin si 20 vjet më parë. Mendoj se ka një arsye shumë të thjeshtë që pengon zhvillimin normal të këtij vendi. Në Shqipëri ende nuk është vendosur si duhet ajo që është themelore për një demokraci, zhvillimi i zgjedhjeve të lira, transparente dhe të ndershme. Ky element është tharmi rregullator i demokracisë dhe i transparencës së një shoqërie, ai kondicionon zhvillimin normal të ekonomisë, të kapaciteteve të administratës, të prokurorisë së pavarur, të policisë së pavarur, të shërbimit informativ të pavarur, të niveleve akademike plotësisht të pavarura, të mospushimeve nga puna për shkak të bindjeve politike.

Për fat të keq të të gjithë shqiptarëve, PD ka treguar se është e paaftë të kryej zgjedhje të lira. Është e hidhur dhe ironike, por edhe zgjedhjet e bëra në mars të 1992 rezultojnë më të mira, nuk i kontestoi asnjë parti. Në korrik 1992, PD humbi ne zgjedhjet lokale, por kurrë nuk e pranoi humbjen. Në referendum përsëri humbi, por zoti Berisha vazhdoi të jetë president. Këto dy ngjarje shërbyen si fakt i mjaftueshëm për PD dhe Berishën për të kuptuar që ai mund të qëndronte në pushtet vetëm nëpërmjet manipulimit. Për këtë arsye u gatua manipulimin skandaloz në maj të 1996. Manipulimin vazhdoi edhe në tetor të 1996, ku unë kam qenë nënkryetar i komisionit të zgjedhjeve. Në korrik të 1997 edhe pse vendi kalonte situatën më tragjike në historinë moderne, mendohesh për manipulim.

Aq i sigurtë ishte në fitore nëpërmjet manipulimit Berisha sa thirri disa vëzhgues të BE dhe u tha që duhet të detyrojnë socialistët të njohin zgjedhjet, pasi ata do humbin dhe s'do i njohin ato. Në fakt Berisha i humbi zgjedhjet dhe ishte ai që nuk i njohu ato.

Në 2009 është po prapë PD që organizon zgjedhjet dhe ato deformohen shumë rëndë, por kësaj radhë më shumë kujdes. Vota në 28 Korrik ishte plebishitare kundër Berishës, por fal deformimit e majta doli barazim me të djathtën.

Në qytetin e Tiranës, pa folur për Kamzën, Paskuqanin, Domjen etj, pavarësisht se Tirana qytet doli mbi 15 mijë vota më shumë, evidencat tona tregojnë qartë se është manipuluar rëndë. Në arritëm të identifikojmë disa qindra votues që nuk ishin në qendrat e zakonshme ku ata votonin prej vitesh. A nuk u kap tek Dhora Leka votues nga Fushë Kruja me emër fallco? A nuk shkoi tek pallati i sportit votuesi tjetër dhe në vend të tij kishte votuar dikush tjetër? Po të qendra e votimit pranë doganës në autostrade, a nuk erdhën rreth 300 votues që komisionerët tanë as i kishin dëgjuar as parë si banorë të asaj zone. Këto janë maja e ajsbergut, ndaj kërkojmë verifikim edhe në qytetin e Tiranës. Këto fakte i kemi denoncuar në media që ditën e zgjedhjeve.

Cila është arsyeja që emigrantëve tanë në Britaninë e madhe u është kërkuar ditën e votimit në telefon nga komisionerë të zonës së Burrelit, që të dërgojnë më sms numrin e pasaportave? Mos hapja e kutive do të bëj që emigrantëve shqiptarë t'u vidhet identiteti. Identiteti nuk u është vjedhur njerëzve në asnjë regjim.

Ju në fjalët tuaja do thoni që këto janë fantazira! Ka vetëm një mundësi të na bindni ne, por mbi të gjitha popullin shqiptar, faktorin ndërkombëtar, transparenca dhe ne do t'ju kërkojmë ndjesë dhe kokulur do vijmë në Parlament. Ju se bëni këtë, i mbani kutitë e mbyllura me sofizma ligjore, në kundërshtim me tërë parimet e një demokracie normale.

Kur forcës më të madhe politike në vend nuk i lejohet të bëj këtë verifikim, imagjinoni çdo ndodhte nëse një parti e vogël do kërkonte këqyrjen e dokumenteve. Veshi do ish i shurdhër. Ju me këtë veprim po deformoni rëndë vlerat e demokracisë reale. Kur një parti politike më e votuara në Shqipëri nuk arrin të sigurojë transparencë, imagjinoni a mund të këtë drejtësi dhe transparencë për individin, qytetarin apo fshatarin shqiptar. Sigurisht jo. Atëherë kjo nuk është demokraci por dhuno e pseudodemokraci. Në këtë mënyrë ju po shkatërroni besimin në demokraci, bile vetë imazhin e demokracisë Europiane që përpiqeni ta shisni si të njëjtë me atë shqiptare, po shkatërrohen e degradohen raportet shtet-qytetar.

Cila është arsyeja zotërinj që në komisionet e votimit komisionerët e PS dhe PD e shohin njëri tjetrin si izraeliti sheh palestinezin. Cila është arsyeja që elektorati i majtë është gjithmonë në ankth se do i vjedhin votën? Kjo klimë ushqehet nga ju. Kur militantit i thua manipulo se do bëhesh punonjës në dogana e tatime, është gati të hidhet në zjarr e jo më të dhunojë një komisioner. Manipulo është mesazhi juaj se kutitë nuk do të hapen dhe se ne do t'ju mbrojmë. S'ju prek as ligji as prokuroria e ca më pak pretendimi i PS apo kujtdo force tjetër. Për fat të keq po krijohet ideja se manipulimin në Shqipëri nuk e shkul dot dhe faktori ndërkombëtar, i cili po flet çdo ditë.

Përfundimi është i qartë, PD e lidershipi i saj nuk bëjnë dot zgjedhje normale, me standarde demokratike. Arsyeja është shumë e thjeshtë, një grusht njerëzish nga PD është implikuar në afera korruptive, sot ata e dinë se zgjedhje të ndershme do të thotë demaskim i këtij klani. Me zgjedhje të lira do të thotë se do zbulohet në formë ligjore kush fshihet prapa Gërdecit, kush fshihet prapa abuzimeve të rrugës Durrës Kukës, apo privatizimeve, kush fshihet prapa Fazlliçit, kush fshihet prapa zhdukjes se Remzi Hoxhës, pse Shqipëria po ndërton fabrika çimentoje 10 fishin e nevojave te vendit. Pse Shqipëria po kërkon të ndërtojë TEC-e me qymyr shumëfishin e nevojave të vendit, kur dihet se ato marrin jetë njerëzish. Kur asnjë vend në rajon nuk ngre më shumë se nevojat e veta të këtyre industrive nga më ndotëset në planet. Pse në Vlorë duhet te pritet pylli prej 500 ha i sodës, ku mendohet te ngrihet një park përbindësh që do të shkatërrojë tërë biznesin dhe turizmin e Vlorës. Pse Shqipërisë po i rrëshqet toka si asnjë vendi tjetër në Europë. Pyesni pilotët që fluturojnë në hapësirën ajrore Shqiptare zotërinj dhe do t'ju thonë se terreni Shqiptar i ngjan një koke të rrjepur.

Është papërgjegjshmëria e juaj që mbrohet nga mos hapja e kutive që ju bën të qëndroni të qetë në pushtet. Të gjitha këto dhe të tjera mbrohen vetëm nga kutitë e manipuluara, nga Ruzhdija dhe Ruzhdijet në tërë Shqipërinë. Pa transparencën e kutive nuk do ketë transparencë në të gjitha krimet njerëzore, ekonomike, ekologjike dhe Shqipëria do vazhdojë të lëngojë.

Ne duam të këqyren kutitë që jo vetëm fëmijët tanë, por edhe ne të gjithë, përfshirë edhe ju të shohim ditë të bardha në këtë vend. Ne kemi bindjen se Ruzhdija është mbarë Shqipëria, këtë e tregon qartë mos lejimi kategorik i hapjes së kutive. Tek kutitë është çelësi i zhvillimit të Shqipërisë me një ritëm tjetër, me një kulturë tjetër.

Socialistët e Shqipërisë nuk do të lejojnë më të vazhdohet si këto 20 vjet. Ne u ofrojmë shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar filozofinë dhe standardin europian. Pa transparencë të përhershme, të zgjedhjeve, të zhvillimit ekonomik e social, jo vetëm për sytë e dy partive të mëdha, por për individin më të thjeshtë, nuk ka demokraci. Që nga këtu do e nisim ndërtimin e Shqipërisë se re post-tranzicion.

(*) Fjala në Kuvend e deputetit të PS

KOMENTE