Tiranë, 19 mars, NOA - Sot, në orët e mesditës, në ambientet e Ministrisë së Jashtme në Tiranë është zhvilluar ceremonia e hapjes zyrtare të aktivitetit tashmë të njohur në Shqipëri, "Pranvera Frankofone".
Ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Maryse Daviet, zv/Ministrja e MTKRS-së, znj. Zana Turku, senatorë francezë, ambasadorë të akredituar në Tiranë, deputetë dhe njerëz të artit dhe kulturës shqiptare, që kanë dhënë ndihmesën e tyre në shkëmbimet kulturore Francë-Shqipëri.
Në fjalën e hapjes, z. Selim Belortaja nënvizoi kontributin e kulturës franceze në Shqipëri, i cili ka një fillesë të hershme. Më tej ai theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së këtyre shkëmbimeve, të cilat ndihmojnë vendet tona, ku nëpërmjet diversitetit të kulturave arrihet përcjellja e kulturës franceze në Shqipëri dhe asaj shqiptare në Francë.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e kulturës franceze në Shqipëri, pa harruar të kujtojë ata shkrimtarë që kanë dhënë një kontribut të dukshëm në fushën e letrave jashtë kufijve në kulturën franceze, si Fatos Kongoli, Ismail Kadare, Besnik Mustafaj.
"Pranvera Frankofone" nderoi në një ceremoni modeste figura të njohura të shkencës, artit dhe kulturës shqiptare, duke vlerësuar kontributin e tyre në lëvrimin dhe zgjerimin e kulturës franceze në Shqipëri. Për merita të veçanta u nderuan : Mahir Domi (pas vdekjes), Besnik Mustafaj, Genc Pollo, Iris Pojani, Emin Riza, Fatos Beja, Andromaqi Haloçi, Eldina Nasufi, etj.
Aktiviteti zhvillohet nga Ambasada Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe ambasadat rumune, egjiptiane, greke maqedonase dhe institucionet kulturore në vend, do të sjellë aktivitete të shumta kulturore që nisin në datat 19 mars- 7 prill 2010.
Dita Ndërkombëtare e Frankofonisë (20 mars) është rasti për të festuar frankofoninë, e ndërtuar në bazë të diversitetit kulturor, që është simboli të cilin ajo e mbron si një të drejtë fondamentale. Frankofonia ka luajtur një rol të rëndësishëm për UNESCO-n për të adaptuar Konventën mbi mbrojtjen dhe diversitetin e shprehjes kulturore, pasi shtetet që janë pjesë e kësaj konvente të bëhen partnerë të këtij organizimi. Është vokacioni i thellë i frankofonisë, që nëpërmjet gjuhës frënge në 20 mars të takohen të gjithë kontinentet dhe kulturat.
"Pranvera Frankofone" do të vazhdojë nismën e nisur me mbrëmjen poetike, që organizohet të shtunën pasdite në sallën "Çehov" të Teatrit të Metropolit, ora 20.00, ku do të interpretojnë aktorët: Sesilia Plasari, Llazi Serbo, Ardiana Tolka, Lindita Ruka, etj.
Aktiviteti "Pranvera Frankofone" do të ketë një shtrirje dhe lëvizje në shumë qytete të Shqipërisë, ku parashikon koncerte, performance teatrore, biseda letrare në Shkodër, Korçë, Elbasan, Përmet.
m.s/NOA