Tiranë, 19 mars, NOA Update - Ka rinisur në Kuvend seanca plenare, e lënë përgjysmë dje në mesnatë, ku deputetët po vazhdojnë diskutimet e tyre mbi propozimet e Partisë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve.
Nga ana e tij, deputeti socialist, Gazmir Bizhga deklaroi sot nga salla e parlamentit se nëse kutitë e 28 qershorit nuk hapen, atëherë e vërteta do të kërkohet nëpër sheshet e rrugët e Shqipërisë me protesta.
Pas tij, ka vijuar me të njëjtat tone edhe fjalimi i deputetit socialist, Dashamir Peza, i cili ka theksuar se nuk mund të vazhdojë më, edhe pas 20 vitesh tranzicioni, historia e vjedhjes së votave.
Ndaj tyre kanë reaguar menjëherë deputetët demokratë, Jemin Gjana dhe Paulina Hotaj, sipas të cilëve, përpjekja për të hapur kutitë, është vetëm një dështim i radhës së kryesocialistit Rama, pas humbjes së zgjedhjeve.
n.e/NOA