Shkup, 19 mars, NOA - Deri në fund të muajit mars, është planifikuar një takim i radhës midis kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski dhe atij grek, Jorgos Papandreu.
Takimi do të zhvillohet në kuadrin e takimit të rregullt të Bashkimit Evropian, kur edhe pritet që Papandreu të ketë në axhendën e tij takimin me homologun Gruevski.
Ndërkohë, tani është konfirmuar takimi mes Gruevskit dhe euro-komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule dhe kryetarit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuj.
Kabineti i kryeministrit grek, Jorgos Papandreu ka bërë të ditur se deri tani nuk është përcaktuar agjenda për takimet bilaterale të parashikuara më 25 dhe 26 mars në Bruksel, me çrast në axhendën e BE-së çështje kyçe do të jetë kriza financiare në Greqi.
Nga ana tjetër, burime pranë zyrës së ndërmjetësit të OKB-së për kontestin e emrit, Metju Nimiç, bëjnë të ditur se po përgatitet një propozim i ri, i cili do tu shtrohet të dyja palëve.
Propozimi do ti shpaloset palëve negociatore të Shkupit dhe Athinës. Ministri i Jashtëm, Antonio Milloshoski konfirmoi ditë më parë se deri në fund të muajit do të zhvillohet një takim i radhës midis ndërmjetësit Nimic dhe palëve negociatore. NOA-INA