Tiranë, 19 mars, NOA - Seminari mbi "Teknikat dhe Impiantet për sektorin Enologjik" është një aktivitet i realizuar nga ICE në kuadër të ekspozitës "Poezia e Verës" - organizuar nga shoqata "Syri Blu".
Kjo nismë përfaqëson një nga iniciativat e planifikuara në brendësi të sezonit të madh "Italia dhe Shqipëria 2010 - Dy Popuj, Një Det, Një Miqësi", koordinuar nga ambasada Italiane në Tiranë, në të cilën janë të pranishme të gjitha institucionet italiane në Shqipëri.
I parashikuar për t'u mbajtur ditën e nesërme, ai do të ketë ndër relatorët e konferencës drejtorin e Institutit Italian për Tregtinë e Jashtme, Francesco Vitulli; drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Genc Juka; drejtori i përgjithshëm i CDQ, Cosimo Pellegrino.
Seminari, edhe pse i përfshirë në një kontekst kulturor, sikurse është Poezia e Verës, përfaqëson një mundësi për të dhënë elementët e nevojshëm mbi Çertifikimin e Standardeve Europiane për Kantinat; mbi njohuritë e proceseve për garantimin e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së ndërmarrjeve.
Një tjetër moment i rëndësishëm është ai i kushtuar Linjës së Kredisë, një program për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme shqiptare, i financuar nga qeveria italiane, i menaxhuar nga ministria e Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës dhe Kooperacioni Italian për Zhvillim.
Linja e kredisë është një mjet për favorizimin e financimeve për blerjen e impianteve dhe makinerive, si dhe teknologjive moderne përkatëse, ku të paktën 70% e shumës së projektit duhet të shpenzohet në mallra e/ose shërbime me origjinë italiane. n.e/NOA