Shkodër, 19 mars, NOA - Një municion i vërtetë me lëndë plasëse, që nëse do të shpërthente i gjithi do shkaktonte një tragjedi të vërtetë, u arrit të sekuestrohej sot nga forcat e policisë së Shkodrës.
I zhvilluar nën kuadrin e operacionit të koduar "Ndezësi", aksioni policor synonte të kapte autorin e dy ngjarjeve të rënda të vënies së eksplozivit në dy banesa të qytetit verior, brenda një kohe mjaft të shkurtër.
Bëhet fjalë për shpërthimin e shkaktuar në shtëpinë e avokatit Gjon Lepuri, si dhe eksplozivin e vendosur te shtëpia e një gazetari të "Fiks Fare", B.Dushi, që të dyja ngjarje të cilat kanë tronditur opinionin në qytetin e Shkodrës.
Konkretisht, bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se janë sekuestruar 23 kallëpe tritoli prej 250 gram, 3 kallëpe prej 500 gram, 16 kaposlla fitil ndezës, 3 kuti me barut, 4 kapsolla elektrike, 3 m fitil, 1 thikë dhe 36 fishekë.
Forcat e policisë së Shkodrës bëjnë me dijeni se i gjithë ky arsenal luftarak është gjendur i fshehur në shtëpinë e Roland Lumçit, 21 vjeç, banues në Pistull të komunës Haimel, ndaj të cilit ishte marrë informacion në rrugë operative se dispononte të tilla lëndë.
Policia po kryen veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të të arrestuarit, ndërsa materialet do t'i kalojnë prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të "Prodhim dhe mbajtje pa leje e municioneve luftarake" si dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta".
n.e/NOA