Më shumë foto te Galeria
Tiranë, 19 Mars NOA I Plotë - Grabitje e shoqëruar me pengmarrje dhe panik në mes të kryeqytetit ndodhi sot duke sjellë në vëmendje të qytetarëve skena tipike filmash aventuresko-policorë. Djali që u bë protagonist i ngjarjes, ishte një emigrant në SHBA që ishte riatdhesuar disa kohë më parë.
Ngjarja ndodhi sot rreth orës 12.30 kur u konstatua një person i armatosur i cili ka dalë nga ambientet e brendshme të Hotel Rogner duke vrapuar, menjëherë pasi kishte vjedhur me armë filialin e bankës Raiffeisen.
I riu që më vonë u identifikua të ishte 25-vjeçari Romeo Leka, ish-emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nxituar me qesen me para në dorë dhe ka mbërritur pranë vendit të quajtur Libri Universitar në zonën e ish-Bllokut.
"Patrullat e Përgjithshme të Policisë, konstatuan se personi i armatosur po largohej me shpejtësi në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe bënë një kufizim më të ngushtë të zonës dhe pikërisht në rrugën "Abdul Frashëri" në Tiranë përballë me librin Universitar, mundën që të ndalin autorin e vjedhjes me armë", - tha për mediat Tonin Vocaj, Drejtor i Policisë së Tiranës.
Kur gjendej ndërmjet marketit Euromax dhe filialit të Bankës Kombëtare Tregtare që funksionon dhe si zyrë kredidhënieje, ai ka parë se në vendin e ngjarjes u afruan Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr.1 dhe Nr.2 të Policisë së Tiranës, të cilët bënë të mundur një kufizim të shpejtë të zonës.
Në këto kushte, grabitësi mori peng një kalimtare të rastit. Ndërkohë në vendin e ngjarjes u afruan me shpejtësi edhe forca të tjera të Policisë së Tiranës dhe të Repartit RENEA.
Policia tha se është negociuar me rrëmbyesin përreth 30 minuta dhe është synuar që të ruhej qetësia e tij, deri në organizimin e operacionit për kapjen dhe neutralizimin e tij.
Sajë ndërhyrjes mjaft profesionale të forcave speciale RENEA u bë e mundur çlirimi i vajzën së rrëmbyer dhe kapja dhe arrestimi i autorit, gjithashtu u bë e mundur edhe sekuestrimi i të gjithave parave të grabitura.
"Autori është Romeo Llesh Leka, lindur në Lezhë dhe me vendbanim të papërcaktuar", - deklaroi Vocaj.
Sakaq bëhet e ditur se autori është i moshës 25 vjeç dhe në vitin 1998 ka emigruar së bashku me familjen e tij në Nju Jork të Shteteve të bashkuara të Amerikës. Në SHBA është arrestuar disa herë për "Trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike", "Vjedhje me armë", Vjedhje banke" dhe për "Posedim të armëve të zjarrit".
Në gusht të vitit 2007 është deportuar nga autoritetet e emigracionit të SHBA dhe ka jetuar tek të afërm të tij në qytet Durrës, Kavajë, Burrel dhe Tiranë.
Por përveç ngjarjes së sotme Romeo Leka është i dyshuar si autor i vjedhjes me armë të mbetur në tentativë të filialit të bankës Union Bank e ndodhur më datë 18.03.2010 në rrugën "Ali Demi" në Tiranë, si dhe i tentativës së një vjedhjeje me armë ndodhur në mbrëmjen e mbrëmshme në Unazë të Re në Tiranë.
"Në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet të Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tij", - tha Vocaj.
Ai shtoi se dëshironte të falënderonte në mënyrë të veçantë Forcat Speciale RENEA për guximin dhe profesionalizimin në lirimin e vajzës së rrëmbyer dhe arrestimin e autorit, si dhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve Nr.1,2 dhe Policinë Rrugore për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar në përballimin e kësaj situate.
"Gjithashtu dua të falënderoj qytetarët e Tiranës, për mirëkuptimin që treguan me forcat e policisë dhe mediat që pasqyruan në kohë dhe mënyrë reale ngjarjen", - deklaroi Vocaj.
e.r/NOA
Lexoni mbi argumentin e ditës:
Policia jep profilin e pengmarrësit, precedent për trafik droge dhe grabitje
Identifikohet pengmarrësi, detajet e rrëmbimit